Koalicioni – Marrëdhëniet e ftohta me PD-në u reflektuan në disa votime
Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi dje në vështirësi serioze demokratët gjatë votimit për aktin normativ “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”. Pro këtij akti votuan 67 deputetë, ndërsa katër deputetë, tre të LSI-së, Ilir Meta, Nasip Naço dhe Lefter Koka, abstenuan me votën e tyre. I katërti që abstenoi ishte deputeti Kastriot Islami. Kur deputeti Koka bëri të ditur qëndrimin e grupit të LSI-së për shtyrjen e votimit të aktit normativ të debatuar, ministri i Shëndetësisë, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, u largua nga paneli i qeverisë, duke iu bindur urdhrit të partisë së tij. Si ministër ka preferuar të largohet nga votimi, sesa të abstenojë me votën e tyre. Opozita, duke parë mungesën e kartonëve të mazhorancës, si dhe qëndrimin e LSI-së për të shtyrë votimin, mori vendimin për të hequr kartat e tyre, duke mos marrë pjesë në këtë proces. Por votat abstenuese të LSI-së dhe Islamit e bënë të vlefshëm votimin, pasi 71 deputetë morën pjesë në këtë proces. Por shpëtimi i PD-së erdhi nga votat e Mediut dhe të dy deputetëve të PDIU-së, Idrizi dhe Tahiri. Lëvizja Socialiste për Integrim disa herë ka shprehur qëndrimet e kundërta me PD-në për çështjen e disa projektligjeve apo për ato të kandidatëve për anëtarë të institucioneve kushtetuese. Të tilla janë ligjet “Për akcizat”, “Për statusin e invalidëve”, “Për Kodin Zgjedhor”, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore” dhe “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” për të cilat LSI-ja ka abstenuar me votën e saj, duke tkurrur ndjeshëm mazhorancën. Përplasja më e madhe mes PD-së dhe LSI-së ka qenë për kandidatin e PD-së për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa. LSI-ja kishte lënë të lirë qëndrimin e deputetëve, por u pa qartë se Meta dhe disa deputetë të partisë së tij abstenuan apo s’morën pjesë në votim. Ministri i asaj kohe, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, ishte i vetmi që tradhtoi me votën e tij, pasi shtypi butonin pro emrit të PD-së për anëtar të KLD-së. Ikja e Gazmend Oketës nga PD-ja drejt partisë së re FRD, ka vënë në vështirësi Kryeministrin Berisha në votimin e ligjeve, pasi më shumë se kurrë ai ka nevojë për votat e aleatëve dhe të deputetëve të pavarur. Jo të pakta janë rastet kur përplasjet mes LSI-së dhe PD-së janë reflektuar gjatë votimit të ligjeve apo në mbajtjen e qëndrimeve të ndryshme për çështje sensitive. Të tilla kanë qenë ato për draftin për Shërbimin Informativ Shtetëror, apo për referendumin e proklamuar nga Berisha për heqjen e imunitetit. Vetë Meta ka bërë thirrje që heqja e imunitetit të votohet në Parlament, duke kërkuar konsensusin me opozitën. Kjo deklaratë e kundërt me kreun e PD-së, e lëshuar nga Meta, u duk si një ftohje e marrëdhënieve që përflitet se ishin mos rënë dakord për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. LSI-ja synon të marrë një post të tillë duke ofruar një kandidaturë të saj, por siç duken gjasat Berisha ende nuk e ka dhënë konsensusin e tij. B.HOTI
67 vota – Akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave mori vetëm 67 vota pro të mazhorancës. Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa LSI abstenoi gjatë këtij procesi
126 vota – Dy marrëveshjet për investime dhe ndërtime rrugësh janë votuar me një shumicë dërrmuese votash. Të dy nismat morën 126 vota pro, pavarësisht debateve për investimet
Arsimi – Në diskutimet jashtë rendit të ditës deputetët e të dyja kampeve i kushtuan vëmendje çështjes së arsimit. PS akuzoi qeverinë për mosrealizim investimesh në shkolla
Berisha – Kryeministri Sali Berisha nuk ka qenë prezent në procesin e votimit të projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës. Në seancë mungonin dhe Pollo, Oketa
Aleatët – Deputetë aleatë të PD-së shpëtuan qeverinë nga dështimi i votimit të aktit normativ. Mediu, Idrizi dhe Tahiri ishin deputetë që votuan pro këtij akti normativ