Zgjerohet harta e shtrirjes së protestave antiamerikane në botën myslimane, që erdhën si reagim ndaj një filmi amator të prodhuar në SHBA, ku tallet profeti Muhamed.
Demonstruesit nuk kanë kursyer as selitë diplomatike të vendeve të tjera europiane. Në Sudan,ditën sotme u sulmua ambasada gjermane në Kartum dhe protestuesit ngritën një flamur islamik mbi ndërtesë, gjatë një proteste kundër filmit amator të prodhuar në SHBA, të cilin myslimanët e konsiderojnë si denigrues ndaj fesë islame, njofton agjencia e lajmeve ‘Reuters’.
Policia kishte provuar më parë që të shpërndante rreth 5 mijë protestues, të cilët kishin rrethuar ambasadën gjermane dhe atë britanike duke hedhur gaz lotsjellës, por policët nuk janë parë afër misioneve pas sulmit.
Në kryeqytetin e Jemenit, Sana, demonstruesit kanë sulmuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, kanë thyer dritaret në ambasadë, kanë djegur disa vetura dhe flamurin amerikan, para se policia t’i dëbonte ata, duke përdorur ujë, gaz lotsjellës dhe të shtëna alarmi. Nga trazirat kanë mbetur të vdekur të paktën tre vetë, ndërkohë që dhjetëra të tjerë rezultojnë të plagosur.
Në Egjipt, prej nga morën fill protestat e para të këtij lloji, policia është përleshur me demonstrues, të cilët për disa ditë me radhë kanë demonstruar afër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kajro kundër këtij filmi, ndërkohë që janë marrë masa të forta sigurie për të bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë në ambasadën e SHBA.
Në Irak, mijëra njerëz kanë marshuar në lagjen shiite të Bagdadit, Sadër Siti, duke brohoritur parulla kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraeli, ndërkohë që protesta të dhunshme antiamerikane ka pasur edhe në Liban, ku njerëz të shumtë janë tubuar para ambasadës amerikane në vend duke hedhur parulla anti-SHBA.
Protestat e botës arabe kulmuan në Libi, ku tri ditë më parë, gjatë një sulmi ndaj ambasadës amerikane në vend mbeti i vdekur ambasadori i SHBA, Kristofer Stivens, dhe tre zyrtarë të tjerë amerikanë.
14 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)