Incidenti përpara Kuvendit. Miell ndaj makinës: Mos u tall me ne
“Kryeministri na ka lënë pa buke, pa pune, pa marrë lekët e burgut. Ne dolëm në një revoltë të vogël dhe gjuajtëm me miell Kryeministrin”
“Jam qëlluar barbarisht nga eskorta e kryeministrit. Më kanë marrë zvarrë, më kanë grisur, më kanë thyer gjyzlykët, orën, e jam gjakosur”
BLEDAR HOTI
Tre ish-të përndjekur politikë sulmojmë me miell makinën e kryeministrit, Sali Berisha përpara hyrjes së Parlamentit. Incidenti ndodhi në orën 11:15 kur kreu i Ekzekutivit po kalonte së bashku me eskortën e tij për të marrë pjesë në punimet plenare. Tre ish-të përndjekurit Gjergj Ndreca, Agim Kollçaku dhe Skënder Tufa kanë hedhur disa qese me miell. Protestuesit e përhershëm të shtresës së ish-të përndjekurve kanë përfituar momentin kur makina e kryeministrit Berisha së bashku me eskortën kanë ulur shpejtësinë për të marrë kthesën me qëllim për tu futur në ambientet e brendshme të Kuvendit. Menjëherë forca të shumta policore kanë mbërthyer tre protestuesit dhe i kanë dërguar për në komisariatin numër një të kryeqytetit. Ish-të përndjekurit janë goditur nga forcat policore, si dhe janë liruar pas 2 orësh mbas mbajtjes në ambientet e komisariatit. Kryeministri Berisha qëndroi vetëm 10 minuta në seancë, ku replikoi me opozitën për çështjen e investimeve në infrastrukturën rrugore. “Ne ishim të parapërgatitur dhe ne të dy vetëm, qëlluam me miell, në mënyrë simbolike. Është brenda normave demokratike. Të burgosurit politik kanë qenë gjithnjë fillimi i zërit të ndërgjegjes së popullit shqiptar”, deklaroi Tufa pas daljes nga ambientet e komisariatit.
Ndërsa theksoi se goditjet kanë ardhur edhe nga eskorta e kryeministrit. “Jam qëlluar barbarisht nga eskorta e kryeministrit. Më kanë marrë zvarrë, më kanë grisur, më kanë thyer gjyzlykët, orën, e jam gjakosur”, thekson ai. Ish-të përndjekurit i bëjnë thirrje gjithë shqiptarëve që çdo të enjte të dalin të protestojnë kundër qeverisë përpara godinës së seancave plenare të Kuvendit. “Të gjitha shtresat shoqërore që janë në nevojë dhe që janë të sforcuara nga ky shtet, të dalin dhe të kërkojnë të drejtat e munguara. Protesta jonë e sotme ishte një zë i ndërgjegjes mbarëqytetare, sepse ne sot kemi vepruar si qytetarë. Në qoftë se ngremë zërin ne si qytetare, ne ia tregojmë vendin atij që po na shet si bagëti”, thekson kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Shqipërisë, dhe ish-i burgosuri Skënder Tufa. Ndërsa Agim Kollçaku shprehet se “Kryeministri na ka lënë pa buke, pa pune, pa marrë lekët e burgut. Ne dolëm në një revoltë të vogël dhe gjuajtëm me miell Kryeministrin që të kujtohet që ne jemi akoma gjallë. Nuk kam pasur frikë Enver Hoxhën dhe nuk do të kemi frikë edhe tani që gjithë të kuqtë janë me poste. Në parlament janë të gjithë miliarderë, të burgosurit e ndershëm dhe të sinqertë janë pa lekë pa bukë në shtëpi. Ne i godasim me bukë ato na godasin me grushta”. Ish-të përndjekurit, ndryshe nga shtresat e tjera shoqërore, prej kohësh po protestojnë para selisë së Kuvendit, në godinën ku mbahen seancat ndaj të drejtave të tyre. Ashtu si dhe në kohën e monizmit dhe në kohën e pluralizmit ato po ndiqen dhe persekutohet për të drejtat e tyre legjitime. Kërkesa e tyre kryesore është dhënia e dëmshpërblimit për vitet e burgut gjatë sistemit komunist. Partia Demokratike prej rreth tetë vitesh në pushtet nuk ka dëmshpërblyer plotësisht shtresën për të cilën përbën dhe shtratin elektoral të saj. Nisur nga këto vonesa ish-të përndjekurit janë konfliktuar disa herë me përfaqësues të mazhorancës, si ministrin Ridvan Bode apo dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, deputetin e PD-së, Ilir Rusmali. Ndreca goditi Rusmalin, i cili po kalonte në momentin kur ish-të përndjekurit po kryenin homazhe para godinës së tyre për një bashkëvuajtësin e tij. Ngjarja ndodhi në mars të këtij viti, ndërsa Ndreca u dënua nga gjykata me punë detyruese.