Ishte në krye të detyrës, apo…
Kontradikta mes variantit të policisë për vrasjen e Adem Tahirajt dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes
Autori
Vetëm pak orë pas krimit, policia ka identifikuar autorin kryesor të krimit, i cili dyshohet se është Ilir Xhakja, një person me rrezikshmëri të lartë, ndërkohë që mendohet se ai ka qenë i shoqëruar me nipin e tij, por nuk përjashtohet edhe prania e një personi të tretë
Nga të dërguarit në Sukth
Bledi Gilaj
Vali Qyrfyçi
Krimi ka gjunjëzuar shtetin, duke ekzekutuar me pesë plumba shefin e Komisariatit të Shijakut. Ai është vrarë në mes të ditës, në mes të dëshmitarëve, në sy të dy kolegëve dhe autorët kanë mundur të largohen, pa u qëlluar asnjë plumb nga dy kolegët e viktimës për të parandaluar këtë krim të rëndë, që ka sjellë edhe plagosjen e një banoreje, e cila kishte shtëpinë fare pranë vendit të ngjarjes. Policia tha se kryekomisari Adem Tahiraj, i cili ka lënë jetimë tre fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë, u ekzekutua me breshëri automatiku në krye të detyrës. Por dëshmitarët, disa të shoqëruar forcërisht, pasi kishin tmerr të flisnin për grupin hetimor mbi autorin, e disa që u kanë shpëtuar uniformave blu, shprehen se mes shefit të policisë dhe “atij”, i cili konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm, jo vetëm në fshatin Katund-Sukth e në Shijak, por në të gjithë Qarkun e Durrësit, ka pasur një debat të ashpër, para se të ndodhte ekzekutimi. Megjithatë, hetimet do të jenë ato që do të zbardhin ngjarjen e rëndë, ku sipas të dhënave janë identifikuar dy autorët kryesorë të saj. Ndërkaq, vetëm pak orë pas krimit, policia ka identifikuar autorin kryesor të krimit, i cili dyshohet se është Ilir Xhakja, një person me rrezikshmëri të lartë, ndërkohë që mendohet se ai ka qenë i shoqëruar me nipin e tij, Ledio Krasniqi, por nuk përjashtohet edhe prania e një personi të tretë.
Policia: Shefi ishte në postbllok
Për krimin e rëndë, Policia e Shtetit, e cila është angazhuar e gjitha me qëllim zbardhjen e plotë të saj dhe kapjen sa më të shpejtë të autorëve të krimit, ka deklaruar se ka ndodhur rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth. Gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, 48 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën. Pas aktit kriminal, autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. Paralelisht, grupi i ekspertëve të hetimit ka filluar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj”, deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Më tej, oficerët në vendin e ngjarjes deklaruan që shefi i komisariatit ka qenë i shoqëruar me shoferin e tij dhe një oficer tjetër policie dhe kishin ngritur një postbllok pranë një parukerie, ku kanë ndaluar për verifikim një mjet “Mercedes Benz”, ngjyrë blu e errët, që para nuk kishte targa, ndërsa mbrapa kishte targë të huaj. Sipas të dhënave, në momentin që shefi i komisariatit Adem Tahiraj ka shkuar te dera e shoferit, pikërisht 5 metra larg makinës së shërbimit, pasagjeri ka qëlluar me breshëri automatiku mbi të, ku e kanë kapur pesë plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Një plumb nga breshëria e automatikut, ka kapur në këmbë edhe një banore të zonës dhe më pas, autorët janë larguar me shpejtësi.
Banorët rrëfejnë për debat mes tyre
Por, teksa policia ka dhënë variantin e saj zyrtar, të tjera dëshmi, që sjellin dyshime mbi këtë ngjarje nga ata që e kanë parë realisht, por që kanë tmerr të tregojnë nga frika e autorit të këtij krimi të rëndë. Madje, disa prej tyre janë shoqëruar forcërisht nga policia, pasi nuk mund të thoshin asgjë. “Ata njiheshin me njëri-tjetrin, pasi shefi i ri ka një vit që ka ardhur në detyrë. Mes tyre ka pasur një debat të ashpër para se të ndodhte ngjarja. Ne nuk kemi parë të ketë pasur ndonjë postbllok policie”, shprehet një nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Ndërsa një tjetër tregon se vëllai i tij ka qenë pranë parukerisë dhe i ka thënë se debati ka nisur në një tjetër biznes aty pranë. “Vëllai më tha se ata u shanë njëherë te një lokal e më pas debati ka qenë i ashpër edhe jashtë. Nuk e dinte për çfarë ishin zënë, por kur autorët kanë hipur në makinë”, kanë qëlluar me breshëri automatiku”, tregon një 40-vjeçar, i cili nuk pranon të identifikohet, por shton se “si mund të flas unë (duke treguar me gisht një banesë 300 metra më tej), kur atje, te vila trekatëshe, jetojnë autorët. Dy variantet kontradiktore mes dëshmitarëve dhe policisë kanë sjellë dyshime mbi këtë krim të rëndë, por që pritet të zbardhet së shpejti nga policia. Strukturat e Policisë së Durrësit, forcat RENEA, si dhe forcat e FNSH-së vazhdojnë punën intensive për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, të cilët janë Ilir Azem Xhakja, 38 vjeç dhe nipi i tij, Ledio Ruzhdi Krasniqi, që të dy banues në Katund Sukth. Kjo nuk është hera e parë kur një oficer vritet në Qarkun e Durrësit, pasi pikërisht në këtë qark, tre vjet më parë, nga Dritan Dajti u vranë katër ish-kolegë të viktimës së djeshme, pasi edhe Adem Tahiraj ka qenë oficer i operacioneve speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.