“Zvicra, favorite absolute, ndaj meritonim më shumë respekt”
Altin Manallari
Entuziazmi i madh duket se është harruar fare. Tashmë trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Xhani De Biazi, është më i qetë për të analizuar atë që ka ndodhur në këto dy ndeshje të parë eliminatore të botërorit “Brazil 2014” në Grupin E dhe nga Italia u kërkon shqiptarëve që të jenë të vetëdijshëm, se skuadra helvetike është favorite absolute për t’u kualifikuar, prandaj Kombëtarja meriton më shumë respekt. Në fakt, menjëherë pas humbjes tekniku italian nuk ka preferuar të kthehet në Shqipëri për të bërë analizën e ndeshjes, por ka fluturuar menjëherë drejt vendlindjes. Kjo zgjedhje e tij ka qenë e ndikuar edhe nga fakti se numri një i stolit të shqiptarëve është i punësuar si komentator ndeshjes në një kanal televiziv dhe sonte në mbrëmje do të duhet të mendojë për komentimin e një takimi të Serisë B, që sipas mediave italiane, që konsiderohet si një antipastë e një fundjave të gjatë, e cila do të propozojë sfida vërtet interesante si Borusia Dortmund-Bajer Leverkusen, Sevilja-Real Madrid ose Xhenova-Juventus. Por përpara se të zhytet sërish në punën e tij si specialist futbolli, portali i njohur sportiv italian “Tuttomercatoweb.com” i ka marrë një intervistë të shkurtër Xhani De Biazi, trajnerit aktual të Shqipërisë, i cili ka komentuar dy ndeshjet e para eliminatore ndaj Qipros dhe Zvicrës. Pas 180 minutave të para, Shqipëria është e treta në Grupin E në kuotën e 3 pikëve: një fitore kundër Qipros dhe një humbje ndaj Zvicrës. Në këtë intervistë, tekniku ka kërkuar më shumë respekt për kuqezinjtë, ndërkohë që vetë skuadrës i kërkon të jetë e vetëdijshme për situatën në këtë grup, ku favoritja kryesore është Zvicra, ndërsa pas saj janë Norvegjia e Sllovenia.
Le ta nisim që nga sfida e fundit, ajo kundër Zvicrës. Cila është përshtypja juaj?
Në ndeshjen e fundit kualifikuese ne kemi bërë lojë të mirë, ashtu sikurse katër ditë më herët me Qipron. Kundër Zvicrës nuk arritëm të marrim rezultat pozitiv, por besoj se skuadra meriton pak më shumë respekt për atë që dha në fushën e lojës.
Grupi ku Shqipëria bën pjesë është i ekuilibruar. Në fakt, pas Zvicrës, është luftë e hapur për vendin e dytë në klasifikim. A jeni dakord me këtë analizë?
Është ende shumë herët për ta thënë. Besoj se Zvicra është favoritja absolute për t’u kualifikuar nga ky grup. Dhe pas shpatullave të saj janë Sllovenia dhe Norvegjia. Më pas vijmë ne bashkë me Islandën dhe Qipron. Do të provojmë t’i shqetësojmë favoritët.
Pyetja e fundit mbi futbollistët shqiptarë, që luajnë në Serinë A. Si ju janë dukur në këto ndeshje?
Bogdani është në një formë shumë të mirë. Kundër Qipros shënoi një gol të bukur me një gjuajtje të bukur nga 25 metra distancë. Cana ka drejtuar mbrojtjen me shumë autoritet, ndërsa Ujkani nuk ka bërë gabime në portë. Në total kemi pësuar tre gola, por nuk ka asnjë faj në asnjë nga golat e shënuar nga kundërshtarët”.
Analiza
Respekti – “Në ndeshjen kundër Zvicrës nuk arritëm të marrim rezultat pozitiv, por besoj se skuadra meriton pak më shumë respekt për atë që dha në fushën e lojës”
Grupi E – “Zvicra është favoritja absolute, pas saj janë Sllovenia dhe Norvegjia. Më pas vijmë ne me Islandën dhe Qipron. Do të provojmë t’i shqetësojmë favoritët”
Pro Ujkanit – “Samir Ujkani nuk ka bërë gabime në portë. Në total kemi pësuar tre gola, por nuk ka asnjë faj në asnjë nga golat e shënuar nga kundërshtarët”