Diplomacia
Qarqe të Athinës bëjnë presion pas raportit të publikuar mbi skenarët e negociatave
Ministria e Jashtme shqiptare është përballur dje me një situatë të vështirë, e ardhur si rezultat i bërjes publike të qëndrimeve dhe frikës të tyre nga procesi i rinegocimit të marrëveshjes së ujërave me Greqinë. Shqetësimi për publikimin në media të faktit se shteti grek nuk pranon rinegocim dhe se hakmarrja e tij mund të shkojë deri në bllokimin e proceseve integruese në BE. Kjo bëri që paraditen e djeshme, kryenegociatori, njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, të dilte për të bërë një sqarim të shkurtër publik. Fillimisht ai sqaroi faktin se nuk kishte asnjë raport apo skenar sekret lidhur me trajtimin e çështjes së kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Po kështu, Turdiu theksoi faktin se materiali i dorëzuar anëtarëve të Komisionit të Politikës së Jashtme përmban vetëm opinione të grupit teknik të Ministrisë së Punëve të Jashtme për trajtimin e çështjes së lartpërmendur në funksion të zbatimit të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk duhej të publikohej në media. “Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që dokumente zyrtare për përdorim të brendshëm bëhen publike me papërgjegjshmëri në cenim të funksionimit të institucioneve shtetërore”, theksoi Turdiu përgjatë një deklarate të mbajtur përpara mediave në lidhje me këtë çështje. Po kështu, ai theksoi faktin se “Ministria e Punëve të Jashtme siguron opinionin publik se çështja e marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë po trajtohet me transparencën e nevojshme, në përputhje të plotë me interesat e vendit, Kushtetutën dhe legjislacionin ndërkombëtar”. Nisur nga vështirësia e kësaj çështjeje, mazhoranca aktuale duket se synon që ta shtyjë pas zgjedhjeve të ardhshme fatin e marrëveshjes detare me Greqinë. E cilësuar prej kohësh si një “patate e nxehtë e politikës”, PD-ja ka gjasa ta lërë në “harresë” dhe t’ia postojë atë si një “mollë sherri” mazhorancës qeverisëse, që do të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Ky fakt është bërë prezent nga vetë kryediplomati Edmond Panariti në seancën dëgjimore të zhvilluar dy ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Politikës Jashtme. Duke iu përgjigjur pyetjes së socialistit Qemal Minxhozi për kohën se kur mbyllet ky pakt me Greqinë, Panariti u shpreh se “nëse rinegocimi do t’i lihet ose jo mazhorancës tjetër, kjo do të varet se sa do të zgjasin procedurat dhe është plotësisht e mundur që kjo t’i kalojë qeverisjes së ardhshme”.
F.Mejdini
Vizita – Takimi zyrtar i ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, me homologun e tij grek, Dhimitris Avramopulos, që do të zhvillohet në datë 5 tetor, pritet të ketë në qendër të tij diskutimet për këtë çështje
Idrizi – Kreu i PDIU-së, Idrizi, theksoi se është shqetësues fakti që Greqia ka nisur kërkimin e naftës në detin Jon dhe për herë të parë në gazetën zyrtare greke është botuar harta e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë
Dule – Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi dje se nuk duhet ndryshuar marrëveshja Athinë-Tiranë për kufirin ujor, pasi ajo u krye nën frymën dhe germën e të drejtës ndërkombëtare të detit dhe konventave në fuqi
Ish-ministrja
Dade: Shqipëria nuk është çiflig i askujt
Nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Arta Dade, deklaroi se personat të cilët kanë kryer marrëveshjen e parë me Greqinë për ndarjen e detit, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. “Ku akt, të cilin Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë në rojë të Kushtetutës e hedh poshtë, bën që padyshim personat përkatës të mbajnë përgjegjësi. E këtu nuk e kam fjalën vetëm për ish-ministrin, por edhe për grupin negociator. Ne nuk kemi pasur asnjë informacion për ata që e negociuan marrëveshjen”, theksoi Dade. Sipas saj, tashmë pala shqiptare duhet të negociojë mbi bazën e profesionalizmit dhe etikës qytetare në respekt të Kushtetutës dhe padyshim në respekt të interesave madhore të vendit. “Askush nuk mund ta trajtojë Shqipërinë si çiflig, ashtu siç ka ndodhur dikur me Ahmet Zogun apo në momente të tjera të historisë së vendit kur territori i Shqipërisë është cunguar në mënyrë të dukshme dhe këtë nuk e ka të drejtë as Sali Berisha”, theksoi deputetja socialiste, Arta Dade.
Eksperti
Krisafi: Nuk ka vend për gjykatat ndërkombëtare
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, deklaroi dje se nuk ka asnjë marrëveshje për t’u zbatuar nga pala shqiptare dhe se ajo e firmosur nnë 2009-n më parë nuk ka asnjë vlerë juridike. Sipas Krisafit, kjo vjen për shkak të faktit se në asnjë nga parlamentet kjo marrëveshje nuk është ratifikuar. Sipas tij, ideja e hedhur për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare është e pavlefshme, pasi më parë Greqia dhe Shqipëria duhet të bien dakord që t’i drejtohen kësaj gjykate. “Ministria e Jashtme ka për detyrë të zhvillojë marrëdhëniet midis shteteve. Në këtë kuadër duhet të eliminojë çdo lloj vështirësie dhe situate që mund të krijohet. Për sa u përket skenarëve, janë skenarë që ne duhet të punojmë për të restauruar këtë situatë që është rënduar. Mendimi i parë që vjen është që Ministria e Jashtme, me një kujdes të natyrshëm që i takon, duket se hera-herës kalon në një situatë frike. Ministria e Jashtme duhet të ketë parasysh që të veprojë sipas së drejtës ndërkombëtare dhe qëndrimet e saj duhet të jenë mbi baza parimore”, theksoi eksperti.