Paranoja - Sa më shumë kalon koha e mosshpalljes paraprakisht të fituesit, aq më nervozë bëhen konkurrentët
Ftesës së Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto nuk i janë përgjigjur pozitivisht si ambasadori kanadez ashtu dhe presidenti i “Bankers Petroleum”, kompania e të cilit konkurron për të blerë “Albpetrol”-in. Një ditë më parë, ministria njoftonte zyrtarisht se do të zhvillohej Këshilli i Biznesit Kanada-Shqipëri. “Të pranishëm do të jenë edhe Abby Badwi, Kryetar i Këshillit të Biznesit Kanada Shqipëri, Ambasadori i Kanadasë në Shqipëri, James Fox, si dhe përfaqësues të rëndësishëm të biznesit kanadez”, thuhej në njoftim. Në fakt konferenca u zhvillua, por me pjesëmarrjen e nivelit të ulët përfaqësues të kompanive, kurse bosi i “Bankers” dhe diplomati kanadez nuk morën pjesë në forum.
Burime të ministrisë nuk japin një shpjegim të qartë, por mjaftohen me sqarimin se ata ishin ftuar, por “ndoshta mungesa lidhet për arsyeje shëndetësore apo shkaqe të tjera”. Në konferencë ishte parashikuar të merrnin përfaqësues të nivelit të lartë nga të dyja shtetet, por në fakt përfundoi në nivel zv/drejtorësh dhe krerësh agjencisë, kurse Haxhinasto mbajti një fjalim të shkurtër.
Duket se sa më shumë ecin ditët pas hapjes së ofertave, aq më shumë tepër ndizen tensionet mes kompanive konkurrente.
Cila është kompania që ka ofruar 850 milionë euro? Natyrisht, emri që e përfaqëson, “Vetro Energy”, nuk tregon asgjë, pas saj fshihen të tjera bashkime shoqërish, të cilat Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po vijon ende, në ditën e tetë t’i verifikojë. Oferta marramendëse për të zotëruar tokat shqiptare me naftë dhe gaz kanë vendosur në pikëpyetje Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për vendimin që duhet të marrë.
Përfaqësues të “Vetro” japin garanci se i kanë paratë, madje kanë derdhur në bankën amerikane në Çikago 10 përqindëshin, plot 85 milionë euro, por sërish juria në METE, e drejtuar nga anëtarë të Partisë Socialiste për Integrim, duket e paqartë dhe e sheh me dyshim burimin e parasë.
Sakaq, lëvizja e sekserëve ka nisur me kohë. Vëmendja është përqendruar te konsulenti amerikan “Patton Boggs”, të cilit i është besuar çdo verifikim dokumentesh. Natyrisht, për amerikanët sa më e lartë të jetë vlera e pranuar, aq më shumë fitojnë, pasi është caktuar në kontratë tarifa mbi çmimin e shitjes, 2.5 për qind, ose të paktën 20 milionë euro në xhep, që nuk janë pak për një vit pune në kohë krize.
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, është treguar i kujdesshëm në deklaratat e tij, duke reflektuar dhe vetë ai paqartësi. Dje, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një takim jo pak të rëndësishëm. Zyrën e tij e vizitoi diplomatin e shquar amerikan, Frank Wisner, një nga drejtuesit kryesorë të “Patton Boggs”. Pasi kanë folur për procesin e pavarësisë së Kosovës, Kryeministri e njohu zotin Wisner edhe me zhvillimet në Shqipëri, duke u ndalur në një numër reformash ligjore, ekonomike, në shëndetësi, arsim etj., si pjesë e projektit të qeverisë shqiptare për një Shqipëri të zhvilluar dhe integrim në BE. Radha i vjen diskutimit për privatizimin e “Albpetrolit”. Berisha i ka premtuar Wisner-it garanci në zbatimin e rregullores për shpalljen e fituesit, por, nga ana tjetër, më shumë se kurrë, Kryeministri ia kërkon transparencën konsulentit në vendimmarrjen që do të bëjë. “Kryeministri Berisha i shprehu zotit Wisner vlerësimin për punën e bërë nga kompania ‘Patton Boggs’ në procesin e përgatitjes së tenderit për privatizimin e ‘Albpetrolit’”, ishte njoftimi zyrtar i qeverisë.
Me kalimin e ditëve, nervozizmi mes konkurrentëve sa vjen dhe bëhet më i dukshëm. Kompanitë trafikojnë informacione të ndryshme rreth procesit, për të turbulluar skenarët e konkurrentëve, por paqartësia e tyre se kush do të jetë fituesi duket qartë.
A.Kola