Një tjetër pedagog i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, prangoset për korrupsion. Policia lokale bën me dije se pedagogu i Fakultetit të Gazetarisë, Isidor Koti, ka rënë në pranga, pasi dyshohet se kërkonte para në këmbim të një note kaluese në provim.


Denoncimi është bërë nga studentët, të cilët kanë rrëfyer se profesori u linte takime jashtë orarit të mësimit dhe u kërkonte para për tu dhënë provimin. Sipas burimeve, dyshohet se shuma që Koti kërkonte në këmbim të notës kaluese, varionte nga 10 mijë lekë deri në 100 euro. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sasi parash prej 300 eurosh dhe 84 mijë lekë të reja. Pedagogu i gazetarisë hetohej prej disa muajsh nga policia, por si pasojë e mungesës së provave materiale nuk mund të bëhej arrestimi i tij. Në momentin e arrestimit, policia i ka sekuestruar rreth 100 mijë lekë të ndara në disa zarfe.


Ky është rasti i dytë brenda këtij viti, që pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan arrestohen në kushtet e flagrancës për mitmarrje. Në fillim të muajit korrik, pedagogu i matematikës, Pëllumb Kllogjeri, 61 vjeç u kap në flagrancë në zyrën e tij.


15 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)