Mbi 40 miliardë do të hidhen në treg çdo muaj deri sa problemet ekonomike të zgjidhen


Rezervat Federale në SHBA, të cilat kryejnë rolin e bankës qendrore, njoftuan dje se do të fillojnë një program të ri të paprecedent të Lehtësimit Sasior, duke hedhur në treg, çdo muaj, mbi 40 miliardë dollarë dhe për ta vijuar këtë deri sa papunësia në këtë vend të ulet.


Vendimi i bankës qendrore më të rëndësishme të botës është shumë i debatuar në qarqet e ekonomistëve, pasi përbën një mënyrë financimi direkt të qeverisë me prodhim dollarësh të rinj. Ai është një hap i paprecedent dhe përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të dy programeve të mëparshme të lehtësimit sasior, përmes të cilave, miliarda dollarë u hodhën në treg, duke blerë borxhin e qeverisë amerikane. Bursat në SHBA u rritën me shpejtësi, ndërsa çmimi i floririt shënoi nivelin më të lartë në gjashtë muaj, për shkak se investitorët tani parashikojnë inflacion më të lartë.


Ndryshe nga operacionet e tjera të blerjes së bondeve, FED deklaroi se tashmë do të blejë vetëm tituj të mbështetura me kolateral, duke shpresuar që të rigjallërojë tregun e pronave në SHBA. Sipas kreut të FED, Ben Bernanke, tregu i shtëpive është “pistoni që mungon” në rimëkëmbjen ekonomike.


Disa nga republikanët akuzojnë FED se po punon për të ndihmuar Presidentin Barack Obama të rizgjidhet në zgjedhjet e planifikuara për më 6 nëntor. Kandidati republikan Mitt Romney deklaroi se masa e fundit e FED tregon dështimin e politikave të Obamës. Bernanke injoroi kritikat për anim politik, duke thënë se po vepronte thjesht për shkak të gjendjes së vështirë të tregut të punës. Por demokratët kujtojnë se Bernanke ka qenë këshilltar i Presidentit republikan George Bush, i cili edhe e zgjodhi si drejtues i FED.


“Situata e punësimit mbetet një problem i rëndë”, tha Bernanke. “Ndërsa ekonomia duket se është në shtegun e rimëkëmbjes së ngadaltë, ajo nuk po rritet mjaftueshëm për të reduktuar papunësinë”, shtoi ai.


Duke blerë borxhet e lidhura me pronat e patundshme, FED shpreson të ulë interesat e kredive për prona të patundshme. Një lëvizje e tillë do t’i shtyjë investitorët të zhvendosen drejt llojeve të tjera të investimeve, si p.sh., bondet e korporatave, duke sjellë reduktim të përgjithshëm të interesave në ekonomi. Këto interesa më të ulëta, besohet se do të rrisin kreditimin dhe rrjedhimisht, të gjithë ekonominë.


Disa analistë besojnë se FED do të blejë me këtë program mbi 1 triliardë dollarë borxh për shkak se mekanizmi i vënë në punë është pa afat. Plani shkaktoi nervozizëm në tregjet financiare, të cilat tashmë i druhen inflacionit më të lartë, megjithëse FED deklaroi se do të tërhiqet nga tregu, në rast se ekonomia përmirësohet. FED ka blerë deri më sot 2.3 triliardë dollarë borxhe qeveritare.


Ndërkohë, veprimi i FED shkaktoi shqetësim edhe në vendet e tjera, të cilat besojnë se prodhimi i dollarëve shtesë nënkupton hapjen e një lufte monetare, ku SHBA fiton avantazh konkurrues për shkak se zhvlerëson dollarin në mënyrë të vazhdueshme. Një metodë e tillë konkurrence e zhyti botën në kaos pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1933.