Plani


Qeveria e Japonisë ka përgatitur një plan me synimin për të nxjerrë jashtë shërbimi reaktorët e saj bërthamorë duke filluar nga viti 2030, një ndryshim i madh politik ky i shkaktuar nga katastrofa e Fukushimës një vit më parë. Sipas propozimit, energjia bërthamore do të pushojë së ekzistuari në këtë vend në vitin 2040. Para katastrofës së Fukushimës, ku një termocentral bërthamor u dëmtua për shkak të një tërmeti dhe një cunami, Japonia siguronte një të tretën e nevojave energjetike nga ky burim.


Japonia synon ta zëvendësojë energjinë bërthamore me më shumë naftë, qymyr e gaz, si dhe me më shumë energji të rinovueshme. Plani përballet me kundërshtime të forta nga biznesi. Para tragjedisë së Fukushimës, planet qenë që roli i energjisë bërthamore të rritej në 50 për qind të nevojave.


“Plani aktual i qeverisë është i pamundur për t’u realizuar nga pikëpamja teknologjike, deklaroi një përfaqësues i biznesit japonez. Energjia bërthamore është bërë një problem politik kyç në Japoni.