Aktiviteti


Andis Gjoni, ekspozitë provokuese  


Në kthimin e tij të radhës në Shqipëri, Andis Gjoni, artisti që prej disa vitesh jeton në Amerikë, nuk vjen me ndonjë skenografi opere apo teatri. Sjell një ekspozitë personale që do të hapet sot, ora 19.00 në galerinë “Zenit”. Një ekspozitë që pritet të hapë debat mbi një pjesë të realitetit shqiptar sot. E titulluar “Tranzicion i përhershëm”, ekspozita bazohet në vepra konceptuale përmes së cilave autori kërkon të jetë protagonist i zgjidhjes së problemeve që trajton në veprat e tij. Instalacioni, video, performanca e një modeleje të veshur me kostum polemizues, fotografitë, si edhe Kushtetuta e Republikës së Plehrave janë pjesë e kësaj ekspozite.


 


Vepra


Teatri i Metropolit, shfaqje për jetimët


Qendra Kulturore “Tirana” çel sezonin e ri artistik me shfaqje në terren. “Petriti dhe ujku” baleti për fëmijë, vënë në skenë nga koreografi Llaqi Nako do të shfaqet nesër, ora 12:30 në qendrën e fëmijëve “E ardhmja jonë”. Tashmë shfaqjet në terren për grupmosha të ndryshme, të cilat nuk kanë mundësi të jenë të pranishëm në teatër, janë kthyer në traditë për Teatrin e Metropolit. Këtë shfaqje do ta pasojë “Pema e Çokollatave” me regji të Suela Xhonuzit. E para premierë për fëmijë për sezonin e ri artistik në Teatrin e Metropolit do të jetë shfaqja “Në qytetin e kafshëve”. Kjo pjesë do të ngjitet në skenë më 6 tetor, salla “Çehov” ora 10:30 me regji të Genti Deçkës. Shfaqjet do të alternohen gjatë fundjavave, duke siguruar një aktivitet të vazhdueshëm për fëmijët e kryeqytetit. Për teatrin e të rriturve sezoni do të çelet në 13 tetor me multi-komedinë “Ëndrra në Papafingo”, të vënë në skenë nga regjisori Erion Isai. Sakaq është duke u punuar edhe për dy premiera të reja, teatrore për të rritur.