U ngrit fat’ i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri
Mori udhën e Azisë
Duke ikur si i marri
Naimi
ANDREA STEFANI
Në “Respublica.al”, sapo është raportuar se një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse, Vladsislav Kurbackij, ka botuar një shkrim me titull: “Shqipëria dhe Rusia drejt riafrimit”. Sipas rusit Kurbackij, e ndodhur nën trysninë e SHBA dhe BE për implementimin rigoroz të reformave demokratike dhe e kritikuar për situatën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Shqipëria “po e vret mendjen seriozisht për kthim te miqtë e vjetër Kina dhe Rusia”. Dhe si tregues të kësaj tendence sjell intensifikimin e marrëdhënieve me Pekinin, në vitin 2009, reflektuar edhe nga vizitat në Tiranë të zëvendëskryeministrit dhe më pas, edhe të ministrit të Jashtëm kinez. Në artikull nënvizohet se elita politike shqiptare është e shtrënguar t’i mbajë sytë nga Perëndimi dhe aleatët e saj të NATO-s, gjë që vështirëson “lirinë e manovrimit” në raport me “miqtë e vjetër” si Kina apo Rusia.
***
Konstatimi i rusit Kurbackij nuk është pa gjë. Vitet e fundit është e dukshme një tendencë për të ringjallur miqësitë e vjetra me Kinën, Rusinë apo edhe për të restauruar edhe lidhje më të vjetra si ato me Turqinë, që shkojnë deri në rishikimin e historisë. Gabimi bëhet kur kjo tendencë i vishet Shqipërisë dhe krejt elitës politike shqiptare. Në fakt, ajo është një tendencë e kufizuar me një elitë politike në pushtet, grupëzuar përreth Kryeministrit Sali Berisha. Ideator i akteve të spikatura autokratike, jo vetëm për sabotimin e zgjedhjeve por edhe për kapjen e gjithçkaje dhe rrënimin e ndarjes së pushteteve në shtet, Berisha e ka ndjerë me kohë se po shkel mbi ca parime e rregulla që Perëndimi nuk mund t’i tolerojë për një kohë të gjatë. Prandaj, ndërsa vazhdon të flasë dhe betohet për integrimin në Europë ka hapur, si dhelpra, një dalje nga prapa strofkës së pushtetit. Një dalje që shikon nga Azia, nga miqtë e vjetër që para pak vitesh i denonconte si shkaktarë të fatit të zi të Shqipërisë. Dhe ndërsa shumica dërrmuese e shqiptarëve vazhdojnë të shprehen se duan të integrohen në Europë, lakmia për pushtet pafund e Kryeministrit po e zhvendos përsëri Shqipërinë në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit, Europës dhe Azisë. Një udhëkryq në të cilin Shqipëria është ndodhur disa herë gjatë shekullit të kaluar. Hera e fundit ishte fillimi i viteve ‘90, kur u duk se Shqipëria i tha lamtumirë përfundimisht Azisë dhe despotizmave lindorë. Por ja, pas 20 vjet tranzicion drejt Europës duket se diçka po ndodh në kokën e qeverisë, duke e bërë të marrë udhën e Azisë. Ç’të jetë?
***
Një art i madh ka vetinë e pakonkurrueshme jo vetëm të shpjegojë të tashmen, por edhe të parathotë të ardhmen. E themi këtë sepse, sipas mendimit tonë, asgjë nuk mund ta shpjegojë më mirë thelbin e çka po ndodh me Shqipërinë, sesa një tregim i Ismail Kadaresë, i titulluar “Lamtumira e së Keqes”. Në fokus të tregimit është Shqipëria e fillimit të shekullit XX, e ndodhur pikërisht në prag të pavarësimit të saj nga Turqia dhe njëherazi, në udhëkryqin mes Europës dhe Azisë. Nga do t’ia mbajë? Një enigmë që nuk bren vetëm patriotët shqiptarë, por edhe sunduesit osmanë që po zbythen. Dhe është pikërisht kjo enigmë që kish detyruar një zyrtar të lartë të nisej drejt e nga Dollma Bahçeja e Sulltanit për të përfunduar në sarajet e Beqir Aliut, një zyrtari të vogël në Shqipëri. Thelbi i misionit të zyrtarit të lartë, është të zbulohet mënyra sesi të mbahet pranë Shqipëria, që ajo “të vazhdojë t’i mbetet Azisë” edhe pasi të jetë shkëputur nga Perandoria. Dhe ky zyrtar i lartë “qe një aziatik i thellë që qysh në rini i kish urryer për vdekje Europën dhe europianët. I kish urryer qytetet dhe gratë e tyre, kishat, kafenetë, gazetat, babëzinë për të marrë vesh çdo gjë, votimet, parlamentet, mendësinë e tyre të ftohtë, mënyrën si ecnin, si visheshin, si arsyetonin, shpirtin e tyre kundërthënës, krenarinë, trazimin e përhershëm, gjithçka që kishte të bënte me atë që ata e quanin të drejtat e njeriut”. Ai kërkon të bëjë që Shqipëria ta ndjekë pas Azinë edhe pasi t’ia kenë hequr frerin e nënshtrimit, ai beson në aziatizimin e shqiptarëve, por me kusht që ai të bëhet prej vetë shqiptarëve, pa u shtyrë drejtpërdrejt nga askush. Por që të ndodhë kjo “mrekulli” aziatike, thuajse m’u në mes të Europës, duhet të gjendet një njeri që mund të bëjë atë që nuk e bën dot as edhe një ushtri. Vetëm me një kusht, që të jetë shqiptar dhe shqiptarët ta pranojnë si udhëheqës të tyre. Ky është vizioni që vërtitet në kokën e zyrtarit të lartë, i ardhur nga Stambolli. Dhe shpjegon se pavarësisht disfatës dhe tkurrjes që mund të pësojë Azia pas pavarësimit të Shqipërisë, mjafton që ajo të jetë e ruajtur, kruspull dhe e padukshme, në kokën e udhëheqësit të shqiptarëve. Sepse do të vijë dita kur, ashtu siç bymehet prapë gjithësia e zvogëluar, do shpërthejë e do bymehet gjithë Azia e tkurrur: prangat, ankthi, tirania. Dhe është zyrtari i lartë i sulltanit që shpjegon, në rreshtat e mrekullueshëm të Kadaresë, se ky udhëheqës i ri i shqiptarëve duhet të ketë diçka për të mbuluar, diçka të keqe, të padurueshme për të fshirë nga e kaluara e vet. Një sëmundje të turpshme, një ves apo një krim, një njollë të pafalshme për robin e zakonshëm dhe jo pastaj për një prijës. Mos vallë që t’i bëhej shantazh sikundër i bëhet sot gjithkujt që ka një dosje? Jo aspak! Dialektika e vetërrëshqitjes drejt Azisë është ku e ku më e rafinuar. Dhe ja sesi: Pas ardhjes në pushtet prijësin e ri do të niste ta gërryente krimbi i dyshimit se njerëzit ia mbanin mend të fshehtën e tmerrshme madje, ia përflisnin apo edhe e përqeshnin. Ndaj në pamundësi për ta mbajtur mbi vete këtë krusmë, do vinte çasti kur të vendoste ta shfaroste pëshpërimën qoftë edhe duke vrarë ata që e përhapnin atë. “Të vriste…në krye ata që flisnin. Pastaj ata që mund të flisnin. Pastaj…krejt ata që e dinin… ose që mund ta dinin”. Një paranojë që do ta bënte krimin mullar dhe pikërisht ai, do ishte momenti i ndarjes së Shqipërisë me Europën dhe i rendjes drejt Azisë. Sepse Europa nuk mund t’i durojë krime të tilla dhe i tmerrohet atyre më fort se murtajës. Pra do të ishte momenti kur Europa dalzotëse do ta qortonte rëndë të përkëdhelurin e saj. Ndaj ai do të ngrihej vetë kundër Europës dhe do kërkonte mbështetje te miqtë e vjetër në Azi.
***
“Lamtumira e së keqes” mund të shërbejë për të zbërthyer kodin e sjelljes së të gjithë pushteteve dhe pushtetarëve shqiptarë që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këtej. Është aty edhe Ahmet Zogu, edhe Enver Hoxha por akoma më shumë, edhe Sali Berisha. S’ka rëndësi se çfarë e nxit atë në fshehtësi. E rëndësishme është fakti tashmë i qartë se Berisha ka një prirje të natyrshme, një mendësi të rrënjosur për të instaluar në Shqipëri një sistem që është tipik lindor, aziatik, putinist, erdoganist dhe kurrsesi një sistem tipik perëndimor, me ndarje pushtetesh ku sundimtari absolut nuk është një njeri por vetëm ligji i zbatuar me drejtësi. Kjo nxitje e brendshme, karakteriale, e ka shtyrë Berishën drejt bëmave madje dhe krimeve politike që po bëhen të padurueshme dhe të pajustifikueshme për Perëndimin. BE po i kërkon të përmbushë reforma që i japin liri njerëzve dhe pushteteve që Berisha nuk do t’i bëjë, pavarësisht se gjen alibira vulgare, duke ia hedhur fajin opozitës. Nga Uashingtoni i kujtojnë pareshtur pavarësinë e institucioneve dhe zgjedhjet e lira. Është pikërisht ky presion, i konstatuar saktë nga rusi Kurbackij, që e ka bërë Berishën të kthejë sytë për mbështetje nga “miqtë e vjetër” të Azisë, në fakt miq të pushteteve diktatoriale shqiptare, por kurrë të Shqipërisë. Ndaj po afron me shpejtësi momenti kur shqiptarët duhet të provojnë sesa ata vetë, pavarësisht zigzageve të Berishës, janë të dedikuar për Shqipërinë si e gjithë Europa! Sepse Shqipëria është prapë në udhëkryqin mes Europës dhe Azisë, demokracisë dhe autokratizmit.