Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli nuk e kishte denoncuar në polici zëvendësministrin Haraçija, për të cilin ka thënë se i ka kërkuar 3.6 milionë euro që hoteli “Grand” të mos merrej nën administrimin e AKP-së. Moslajmërimi përbën vepër penale, të dënueshme deri në tre vjet burgim, raporton gazeta kosovare “Koha ditore”.


Për rastin nuk kanë folur as në Qeveri dhe as në Prokurorinë e Shtetit. As Pacolli nuk e ka treguar arsyen e mosdenoncimit. Zyrtarët qeveritarë janë treguar memecë të premten, kur iu është kërkuar të tregojnë nëse kanë qenë në dijeni për kërkim ryshfeti ndërmjet zyrtarëve të lartë të këtij institucioni. Nuk kanë treguar as për ndonjë masë që do të mund të ndërmerrej ndaj tyre.


Një prokuror, i cili ka folur në kushte anonimiteti, i ka thënë Kohës Ditore se Pacolli vetë ka kryer vepër penale dhe se për këtë vepër parashihen dënime burg deri në tre vjet.

15 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)