Vlorë
Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e djeshme në afërsi të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, e cila ka përfunduar me goditje me thikë. Inspektori i tatimeve të Vlorës, 35 vjeçari Ardian Selimaj, është nisur për të marrë automjetin e tij tip “Ford” nga parkimi në afërsi të universitetit për të shkuar në punë. Gjatë daljes nga parkimi, 35-vjeçari Selimaj ka ndeshur një tjetër automjet i cili ishte parkuar pranë portës së universitetit dhe kishte bllokuar daljen e automjeteve të tjera. Pasi ka pritur më shumë se 10 minuta ardhjen e drejtuesit të automjetit i cili kishte bllokuar daljen nga parkimi, Selimaj i është afruar dhe i ka kërkuar shpjegime, se përse e kishte lënë makinën në mes të rrugës së daljes. Fillimisht ata kanë debatuar dhe më pas kaluan në sharje dhe ofendime. Janë afruar dhe kanë filluar të shkëmbejnë grushte. Në momentin që inspektori i tatimeve është ulur që të merrte sende për t’u mbrojtur ndaj sulmit, nga pas ka ndier një shpim që u pasua më pas me dy goditje të tjera me thikë. Autori është larguar me shpejtësi, ndërsa i plagosuri ka hipur në automjet dhe ka mundur të shkojë drejt spitalit. Pasi doli nga mjekimi, Selimaj ka pohuar se nuk e njeh autorin. M.Marsi