Deklaratat e kreut të PS u bënë gjatë forumit që Partia Socialiste organizoi për ekonominë
Partia Socialiste ka organizuar një forum kushtuar ekonomisë ditën e sotme, ku përfaqësues të kësaj partie dhe specialistë të ekonomisë kanë folur mbi gjendjen e vendit tonë dhe parimet që do të ndjekë PS për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare nga stanjacioni.
Në fjalën e tij gjatë këtij forumi, lideri i PS, Edi Rama ka theksuar se strategjia e ndjekur nga ana e qeverisë po shkatërron nismën e lirë dhe biznesin vendas, duke e mbytur në taksa dhe borxhe të cilat bëhen të papërballueshme dhe çojnë drejt falimentimit të tyre.
“Qeveria po e falimenton ekonominë me një model mbytës. S`gjen një njeri që merret me biznes që të mos thotë se fuqia blerëse ka marrë të tatëpjetën, gjen vetëm një njeri që flet çdo ditë për një mrekulli ekonomike, që ka shitur çdo pasuri të vendit”, – theksoi Rama.
Kreu i PS u ndal më tutje në privatizimet e pasurive publike nga ana e qeverisë Berisha, të cilat sipas Ramës po e fundosin në kolaps ekonominë shqiptare. Ai ka theksuar se shitja e Albpetrolit është një krim i rëndë që i bëhet popullit shqiptar, pasi ai është pasuri kombëtare dhe asnjë vend në botë sipas Ramës nuk shet burimin e naftës, ashtu siç po vepron qeveria shqiptare, ku në rastin e privatizimit të Albpetrol, shitja bëhet në mënyrë tërësore, përfshirë burimet ekzistuese dhe lejen për të gjetur burime të tjera.
“Asnjë shtet që ka një pasuri të tillë siç është nafta nuk ka nxjerrë në treg të drejtën e vet, në emër të qytetarëve që përfaqëson. Kudo janë koncensionuar burime, por asgjëkundi nuk është privatizuar e drejta e shtetit mbi këto burime. Shuma që përfitohet nga kjo e drejtë në një vit është 50 milionë dollarë”, – tha Rama.
Rama theksoi se alternative e PS për ekonominë synon rimëkëmbjen e saj duke u mbështetur në taksimin real dhe lirinë ekonomike.
“Programi ynë do kthehet nga një tekst i shkruar në një frymë të përbashkët ndryshimi. Ne kemi vizionin për një model të ri ekonomik. Nuk premtojmë parajsën, por të gjithëve do t’ju japim garancinë që do jemi të parët që bëjmë atë që themi dhe do të themi vetëm atë që mund të bëjmë”, – e përfundoi fjalën e tij, kreu i PS.
15 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)