Dibër – Për t’u punësuar duhet të paguash një milion lekë të vjetra. Ka pasur raste që janë hequr mësues me pesë gjashtë vjet punë. Edhe pse plotësojnë kërkesat
Elbasan – Nga informacionet që kanë mbërritur në gazetën “Shqip”, mësohet se “pazaret” për një vend pune mësues në Rrethin e Elbasanit variojnë mbi tre mijë euro
Denoncimet e qytetarëve mbi “pazaret”, sekserët, flamujt e ngjyrat politike që kërkohen për një vend pune
Lorina Mixha
Një mësues, arsimtar apo prindi i dytë i nxënësit, siç na mëson shkolla, para se të ushtrojë profesionin e t’u dalë përpara nxënësve duhet të përshkojë një rrugë të gjatë, të mundimshme e mbi të gjitha të kushtueshme.
Urdhri i ministrit të Arsimit dy vjet më parë për “pastrimin” e shkollave nga mësues të pakualifikuar, u pasua nga një ligj, i cili parashikon dhe legjitimon procesin e rekrutimit të mësuesve në çdo institucion arsimor, parauniversitar.
Por në shtator të vitit 2012, qytetarët e thjeshtë, ata që kanë një familjar që ka mbetur pa punë, që do të punësohet apo kërkon të fitojë një vend të ri pune si mësues, duhet të paguajë për ta blerë vendin e punës dhe jo ta fitojë atë nëpërmjet legjislacionit apo kritereve ligjore.
Gazeta “Shqip”, në një investigim të saj në kryeqytet dhe në rrethet kryesore të vendit, ka mbledhur denoncime, rrëfime dhe përvoja të qytetarëve, të cilët kanë paguar për të blerë një vend pune në arsim. Denoncimet në gazetë kanë ardhur nëpërmjet telefonatave, email-eve, por edhe rrëfimeve verbale nga të cilat rezulton se për t’u punësuar sot në një shkollë të ciklit 9-vjeçar apo të mesëm, nëpërmjet sekserëve apo duke përdorur “kartat” e kredibilitetit të ngjyrave politike paguajnë shifra të majme parash për t’u punësuar si arsimtar. Tarifa që paguhet në fillim të çdo viti shkollor nis nga 2 milionë lekë në 7 milionë lekë apo edhe më shumë. “Duhet të paguash para, të kesh lidhje politike, si dhe të gjesh personin që të jetë i besuari i atij që të merr në punë dhe t’i japë zarfin me para. Shifrat janë të ndryshme, por kryesisht paguhet 3 milionë lekë, 5 milionë lekë”, tha mësuesja I.K., që prej 15 vjetësh ka punuar si mësuese në Tiranë.
Kostot
Paratë që duhet t’i paguhen kryetarit të komisionit që vendos për punësimet në shkolla, tarifat që sekserët kërkojnë për t’i dorëzuar te vendi i duhur, përcaktohen në bazë të kërkesave. Nëse mësuesi do të punësohet në një shkollë 9-vjeçare, tarifa është më e ulët se në shkollë të mesme. Ndërkohë që më shumë paguhet për shkollat e qendrës dhe më pak për ato të periferisë.
Në qytetet e mëdha, ku kërkesat janë më të larta, kostot janë më të larta se në qytetet më të vogla. Ndërkohë që për të nënshkruar një kontratë të përhershme kushton më shumë sesa për një vend pune të përkohshme, apo për t’u vendosur në listën e mësuesve të dispozicionit. Qytetarë të ndryshëm nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Kukësi, Berati, Fieri e qytete të tjera kanë raportuar se shpeshherë si kriter për të nisur procedurat e aplikimit kërkohen bindjet politike, anëtarësimet pranë celulave partiake në lagje, të cilat bëjnë edhe konfirmimin nëse janë apo jo votues të partive të koalicionit në pushtet. Rroga mesatare e një mësuesi llogaritet 45 mijë lekë të reja. Ndërkohë që për të paguar koston e vendit të punës atyre u duhet të punojnë të paktën një vit. Në rastin më të mirë, nëse mësuesit janë të lëndëve ekzakte, mund të shlyejnë debitin nëpërmjet parave që fitojnë me kurse private. Denoncimet që kanë mbërritur në gazetën “Shqip”, raportojnë se mesatarisht një vend pune kushton nga 500 mijë lekë, në rastin e shkollave në Kukës, në 5 mijë apo edhe më shumë për një vend pune si mësues në Tiranë.
“Nuk përjashtohen nderet që bëhen nga punonjësit e drejtorisë arsimore për shkaqe politike apo miqësore. Punësime dhe shtim të punonjësve në arsim ka pasur gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, ku një vend mësuesi ‘këmbehej’ me të paktën 20 vota”, tha mësuesja A.I. nga Berati.
Lidhur me këto denoncime, gazeta “Shqip” i ka kërkuar një prononcim zëvendësministres së Arsimit, Nora Malajt, e cila ka deklaruar se ky dikaster është politikëbërës, por për shkak të shqetësimeve dhe denoncimeve shpesh kthehet në një “polici” arsimi.
Deklarata
“Ministria e Arsimit është një institucion politikëbërës, por jo në pak raste dëgjojmë shqetësime, denoncime të qytetarëve, mësuesve, ekspertëve. Duke nisur nga ky vit shkollor, rekrutimi i mësuesve bëhet në bazë të një ligji në fuqi, ligji për arsimin parauniversitar, duke u bazuar në ligjin e profesioneve të rregulluara, por duke plotësuar edhe kriteret që vendosen nga drejtoritë arsimore të secilit rreth. Janë këto tri shtyllat ku bazohet rekrutimi i mësuesve. Ligji e ka rregulluar pjesën e punësimit dhe kërkesat e nevojshme”, sqaroi zëvendësministrja Malaj. Sipas saj, në rastin e denoncimeve të raportuara në faqet e gazetës “Shqip”, mitëmarrja është një vepër penale që kryesisht nuk denoncohet, pasi në këtë rast dënohen të dyja palët, ai që merr dhe ai që jep.
“Problemet dhe denoncimet që vijnë për rastin e punësimit të mësuesve, për nivelin e arsimtarëve në shkolla, si dhe për gjithçka tjetër që lidhet me mësimdhënien duhet të raportohen dhe duhet të jenë prindërit të parët që të paraqesin pakënaqësitë e tyre për nivelin e mësuesve që mësojnë fëmijët e tyre. Duhet të denoncohen sekserët, por edhe të gjithë ata sektorë që nuk respektojnë rregullat, urdhrat dhe ligjin”, sqaron Malaj.
Sipas saj, ky është viti i fundit që rekrutimi dhe punësimet bëhen nga drejtoritë arsimore. Vitin e ardhshëm, mësuesit do të merren në punë nga bordi i shkollave dhe qeverisja vendore.
Të dhëna
Berat – Pazaret shkojnë më shumë se tre milionë lekë, madje edhe për punësimet në fshat. Nuk përjashtohen nderet që bëhen nga punonjësit e drejtorisë arsimore për shkaqe politike apo miqësore. Punësime dhe shtim të punonjësve në arsim ka pasur gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, ku një vend mësuesi “këmbehej” me të paktën 20 vota.
Kukës – Kostoja përllogaritet 1 milion lekë të vjetra dhe 500 mijë lekë të vjetra. Kohët e fundit ka pasur shkurtime, mbyllje shkollash, për shkak se është zhvendosur popullsia. Zonat rurale po shkojnë drejt boshatisjes. Mësuesit e Kukësit, që janë shpërngulur në Tiranë, deklarojnë se paguajnë qimet e kokës për një vend pune
Tabela
Kostot për punësimin në shkollat e disa qyteteve
Tiranë 3 mijë – 5 mijë euro
Shkollat periferike – 2 milion-2.5 milionë lekë
Cikli 9 vjeçar 3.7 milionë lekë – Gjimnazet mbi 6 milion lekë
*Kontratat që lidhen në këtë rast janë me kohë të plotë
Kukës 0.5-1 milion lekë
Dibër 1 milion lekë të vjetra
Elbasan mbi 3 milionë lekë të vjetra
Lushnjë nga 3-5 milionë lekë
Fier nga 3-5 milionë lekë
Berat mbi 3 milionë lekë
Shkodër 3-5 mijë euro
Lezhë 3-4 milionë lekë
Vlorë 1.5-3.5 mijë euro
Gjirokastër 2-5 milionë lekë
Durrës 3-5 milionë lekë
Korçë 3 milionë lekë të vjetra