Sekti
Një studio në Hollivud deklaroi së fundmi se disa anëtarë të sektit të shenjtologëve ushtruan presion mbi të, në përpjekje për të ndalur realizimin e një filmi që pjesërisht bazohet në jetën e udhëheqësit të parë të këtij religjioni.
Kreu i studios Harvey Weinsten tha se filmi “Mjeshtri” do të realizohet pavarësisht “presionit të madh” të ushtruar për bllokimin e tij. Ai nuk përmendi emra konkretë. Filmi bazohet pjesërisht mbi jetën e L. Ron Hubbard, i cili themeloi religjionin e ri në vitet ‘50. Kisha e Shenjtologjisë mohoi akuzat për përpjekje për bllokim. Filmi tregon historinë e udhëheqësit të kultit dhe një veterani të Luftës së Dytë Botërore, i cili joshet nga ai. Filmi fitoi disa çmime pas shfaqjes së parë në Festivalin e Venecias dhe shikohet si një konkurrent i fortë për çmimet “Oskar”. Kulti i shenjtologjisë është përhapur gjatë dekadave të fundit në shumë shtete të botës dhe është kritikuar në disa raste, se përdor psikologjinë dhe dobësitë e njerëzve për t’i zhvatur financiarisht. Disa nga anëtarët e famshëm të kultit janë Tom Cruise, John Travolta, Juliette Lewis dhe Priscilla Presley.