Ekspozita “Tranzicion i përhershëm”, hapur në galerinë “Zenit”, provokon mbi betonizimin e Shqipërisë, mbi çështjen e plehrave dhe dhunës së vazhdueshme
Ndonëse prej disa vitesh jeton në Amerikë, Andis Gjoni i është qasur të gjitha problematikave të realitetit shqiptar, në këtë periudhë që etiketohet tranzicion. “Tranzicion i përhershëm” titullohet ekspozita e tij, e çelur mbrëmë në galerinë “Zenit”. Më shumë se një rrekje drejt detajeve artistike, Andis Gjoni ka synuar ngacmimin e plagëve socio-kulturore të përditshmërisë: feja, betonizimi, mëkati, plehrat, tranzicioni… Një modele prej mishi e kocke gjendet që në hyrje të galerisë. Gjysmë e zhveshur, simbolet që ajo mban në trup parodizojnë të gjitha fetë. Kokën e ka të mbuluar me një gjysmë burkë ku është qëndisur një gjysmë hënë, mbi reçipetat janë qëndisur dy kryqe dhe mbi minifundin e bardhë ylli i Davidit, njohur sot si simbol i çifutëve, i cili gjendet edhe në flamurin e Izraelit. Sipas artistit, kjo është një performancë parodizuese me të gjitha fetë, të cilat, sipas tij, në të kundërt të zhvillimit teknik dhe intelektual të njeriut të sotëm, kanë shpërthyer në shfaqje të pafre besëtytnie. “Figura e saj përfaqëson të gjitha besimet e mëdha fetare, që si me sëpatë në dorë i rrinë njeriut mbi kokë, duke e kërcënuar në çdo hap që bën dhe duke i bërë de facto këto besime një kërcënim për vetë shoqërinë”, thekson Andis Gjoni. Më tej, një grumbull copash betoni, në të cilat është zhytur një gjysmë trupi njeriu, duke lënë jashtë këmbët në formë V-je. Quhet “Victory” (Fitore), si një ngacmim ndaj fenomenit të betonimit dhe faktin që situata shkatërrimtare “shitet” si arritje e objektivave.
Përballë, në raftet ku duhet të gjendeshin librat gjen pak nga gjithçka: mbeturina ndërtimesh, hekura, një palë këpucë, pije alkoolike, gazeta, kopertinë erotike, euro, dollarë, pasaportë, etj. Për artistin janë objekte të një tranzicioni të përhershëm. Më tej, nën efektin e një drite të përqendruar shihet një arkivol i mbushur plot me mollë. Vepra titullohet “Mëkati” e duke iu referuar mollës si simbol i mëkatit fillestar, artisti aludon se në vdekje njeriu është i mbushur plot me mëkate të tilla. Më tej, në dy kuadrate të katit të dytë të galerisë gjejmë “Kushtetutën e Republikës së Plehrave”. “Ne, plehrat, aspak krenarë dhe krejtësisht të pavetëdijshëm për historinë tonë, me papërgjegjësi për të ardhmen, me besim tek askush dhe/ose tek asnjë vlerë universale, me vendosmërinë për të shkatërruar çdo gjë, përfshirë shtetin e së drejtës, anarkik dhe antisocial dhe me frymën e mostolerancës dhe të luftës ndaj të gjithëve kundër të gjithëve…”, shkruhet në fillim të saj. Është një instalacion akuzues, në të cilin sipas Gjonit, mund ta gjejë veten çdo popull në të cilin shteti është thuajse i papërfillshëm. Andis Gjoni thotë se është nisur nga një situatë surreale, i një vendi ku importimi i plehrave bëhet prioritet shtetëror në kurriz të gjithçkaje, por përkimi me realitetin shqiptar është më se i dukshëm, kur një situatë e tillë diskutohet prej disa muajsh në Shqipëri. Më tej, një pjatë ku ushqimi i përditshëm janë pistoleta, fishekët, granatat. Një mënyrë për të protestuar ndaj pamjeve të dhunshme që i ofrohen çdo ditë shoqërisë. “Veprat e shprehin shumë qartë lidhjen e tyre me realitetin shqiptar. Ne jemi gjithmonë në tranzicion, rrotullohemi vazhdimisht e mbesim në të njëjtin vend”, thotë Gjoni. Andis Gjoni jeton prej disa vitesh në Amerikë, ku lëvron krijimtarinë e tij si regjisor, por edhe si skenograf në disa vepra, të cilat janë bërë pjesë edhe të festivaleve botërore. Ende pa u larguar nga Shqipëria, pas viteve ‘90 ai është prezantuar me skenografinë e disa pjesëve teatrore si “Zonjushës Zhuli” e Strinbergut, “Ylli pa emër” nga Mihai Sebastian, “Jashtë bie borë” e Vincenso Sallemme. Si piktor, Gjoni ka qenë pjesëmarrës në “Onufri 1997” dhe në konkursin e vitit 2002.
O. Lila