Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë paraqet tri rrugëzgjidhjet e PS-së
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, aktualisht anëtari i Kryesisë së PS-së dhe kandidat i fortë për ministër të Financave, ka perifrazuar dje Çajupin, si një alternativë për shpëtimin ekonomik të vendit. “Natyrisht që bëhet fjalë edhe për reformim të sistemit financiar. E dimë që ekonomia është në udhëkryq. Partia Socialiste e ka udhërrëfyesin. Doktor Adhamudhi thoshte: E ke sëmurë njërin sy, kërreje të shpëtosh tjetrin. Ne urgjentisht duhet të kërrejmë doktorin, që të shpëtojmë ekonominë”, deklaroi Shkëlqim Cani dje në Forumin Ekonomik të PS-së duke marrë një mbështetje ovacionante nga të pranishmit. Për përveç frazës më shumë politike, Cani ka perifrazuar tri rrugëzgjidhjet e qeverisë së ardhshme që do të drejtohet nga socialistët, e që janë:
1. Marrja e pushtetit në 2013-n, vetëm kundrejt një inventari të saktë dhe të përpiktë të gjendjes. Personat fajtorë, abuzues, mashtrues t’i çohen drejtësisë. 2. Marrëdhënie të riformatuara me biznesin. Biznesi partner i qeverisë, por jo ai korruptiv, jo ai i oborrit dhe jo ai kriminal. Këta t’i shkojnë drejtësisë.
3. Fshati nuk mund të lihet në këtë gjendje mjerane ku është katandisur. Do të pesëfishojmë buxhetin për fshatin, por edhe kreditë për fshatin”. Në këtë mënyrë, receta e qeverisë së ardhshme është bërë më e qartë nëse opozita vjen në pushtet: kush ka abuzuar me financat publike do të ndëshkohet, kush ka abuzuar me paratë do t’i merret paraja e fituar në mënyrë të paligjshme dhe këto para do të përdoren vetëm për investime për të rigjallëruar ekonominë e vogël, ekonominë familjare, ndërkohë që do të ndëshkohet çdo biznes kriminal. Sipas Shkëlqim Canit, ekonomia nuk rritet nëse ekonomia kombëtare nuk furnizon me ushqim biznesin dhe ekonominë e vogël. “Në qoftë se ekonomia e madhe, ajo që quhet ekonomi kombëtare do të rritej dhe zhvillohej shumë, do të kishim më shumë vende pune, do të kishim një bilanc ose një buxhet shumë më të fuqishëm, i cili do të na prodhonte edhe paga më të larta, edhe pensione më të larta. Do të na jepte edhe më shumë mbështetje për të varfrit dhe shtresat në nevojë. Do të na krijonte mundësi për më shumë rrugë, për më shumë ujë, më shumë energji, më shumë mjekësi dhe më shumë arsim cilësor”, deklaroi ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Shkëlqim Cani
ka rrëzuar më pas argumentet e qeverisë në lidhje me rritjen e tregtisë. “Sot, pas 7 vjetëve, importohen aq sa ç’importoheshin në vitin 2005. Në mënyrë figurative, situata mund të shpjegohej kështu. Qeveria thotë: Në 7 vjet iu kam ndërtuar një pallat 10-katësh, si dhe qeveritë e tjera paraardhëse, por edhe një pallat tjetër shtesë me 5 kate. Pra gjithsej 15 kate, por materiale ndërtimi, tulla, llaç, beton etj., kam përdorur sa për një 10-katësh. Atëherë 5 katet e tjera me çfarë janë ndërtuar? Në këto kushte, qeveria ka dy mundësi: Ose të thotë ju gënjeva dhe pallati nuk është 15-katësh, ose të thotë se e kam ndërtuar pallatin me materiale të vjedhura. Pra, ose do thotë jam qeveri hajdute, ose do thotë jam qeveri mashtruese. Cilën të dojë le të zgjedhë, për ne është një opsion i hapur”, deklaroi anëtari i Kryesisë së PS-së.
Rrugëzgjidhjet:
1. Marrja e pushtetit në 2013-n, vetëm kundrejt një inventari të saktë dhe të përpiktë të gjendjes. Personat fajtorë, abuzues, mashtrues t’i çohen drejtësisë.
2. Marrëdhënie të riformatuara me biznesin. Biznesi partner i qeverisë, por jo ai korruptiv, jo ai i oborrit dhe jo ai kriminal. Këta t’i shkojnë drejtësisë.
3. Fshati nuk mund të lihet në këtë gjendje mjerane ku është katandisur. Do të pesëfishojmë buxhetin për fshatin, por edhe kreditë për fshatin.