Ilir Xhakja pretendoi se kishte konflikt me Hoxhën, ndërsa ky i fundit tha se “nuk e njihja autorin”


Sokol Çobo


Vrasja e kryekomisar Adem Tahirajt vijon të jetë në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila përgjatë 72 orëve ka marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë okularë pranë vendngjarjes. Krahas dëshmisë së autorit, Ilir Xhakja, i cili ka pranuar pa asnjë mëdyshje krimin, madje gjatë dorëzimit të pistoletës tha se “me këtë armë kam qëlluar ndaj shefit të komisariatit”, hetuesit kanë marrë dje dëshminë e shoferit të viktimës, i cili është një nga personat kyç për zbardhjen e vrasjes. Fatmir Hoxha ka pohuar para grupit hetimor versionin e ngjarjes, planin operacional dhe lëvizjet në Shijak në shoqërinë e Tahirajt, ndërsa shpjegoi edhe alibinë e autorit, i cili tha në dëshminë e tij, se “me shoferin e Tahirajt kam pasur hasmëri”. Vetë Hoxha dëshmoi se nuk e njihte Ilir Xhaken në momentin që i është afruar dhe ka debatuar me të.


Hetimet e Krimeve të Rënda


Grupi hetimor, i kryesuar nga zv.prokurori i Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, dhe prokurorët Eugen Beci dhe Njazi Seferi, kanë zhvilluar dje një analizë të gjatë, duke analizuar të gjitha provat, ndërsa ngjarjen e kanë freskuar me dëshmi të reja. Të parët që janë thirrur për shpjegime kanë qenë disa persona që kishin debatuar me kryekomisarin para vrasjes, të cilët udhëtonin me automjete pa targa. Mësohet se ata kanë pohuar se janë ndeshur me tre punonjës policie që u kanë kërkuar dokumentet dhe pas debateve kanë pranuar që t’u bllokohet automjeti. Më pas, hetuesit kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë, të cilët janë shoferi i kryekomisarit, Fatmir Hoxha, inspektori i krimeve dhe bashkëshortët Mati dhe Lena Ndokaj, të cilët kanë qenë në verandën e shtëpisë kur ndodhi ngjarja, madje 72-vjeçarja është plagosur në këmbë në momentin që Ilir Xhakja ka qëlluar me armë zjarri.




Dëshmia e shoferit


Hetuesit e Krimeve të Rënda janë ndalur gjatë te dëshmia e Fatmir Hoxhës, shoferit të kryekomisar Adem Tahirajt, tashmë i shpallur Dëshmor i Atdheut, pasi u vra gjatë kryerjes së detyrës më 13 shtator 2012. Hoxha, sipas të dhënave, është pyetur për lëvizjet ditën e ngjarjes, nëse kishin apo jo një plan operacional dhe urdhrat e Tahirajt. Duke qenë një banor i zonës, Fatmir Hoxhaj, krahas detyrës si punonjës policie, ishte “jo zyrtarisht” edhe shoferi i shefit të komisariatit. Ai ka shpjeguar se ditën e ngjarjes kanë marrë urdhër që të bllokojnë të gjitha mjetet pa targa dhe të kontrollojnë çdo automjet të dyshimtë. Madje, duke mos dashur të dekonspirohen, në aksion ka marrë pjesë edhe shefi i komisariatit, Adem Tahiraj, së bashku me një inspektor policie, duke lëvizur në të gjithë qytezën e Shijakut, për ndonjë element kriminal apo automjete pa targa apo pa dokumente. Ata kanë pikasur disa mjete të tilla dhe pasditen e 13 shtatorit kanë parë një mjet pa targa që kishte shofer një djalë të ri, pikërisht nipin e Ilir Xhakes. Shoferi Fatmir Hoxha ka shpjeguar se Adem Tahiraj ka dalë nga mjeti me të cilin udhëtonin të dy e është drejtuar te makina e ndaluar, duke i kërkuar dokumentet. I ndaluari ka komunikuar në telefon dhe në vendngjarje ka mbërritur një person. “Nuk e njihja këtë person që fillimisht ka debatuar me mua dhe më pas qëlloi ndaj Ademit. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe ai u largua me shpejtësi, së bashku me personin që kishim ndaluar për të kontrolluar mjetin. Nuk kam asnjë lidhje me këtë person”, ka pohuar Fatmir Hoxha, duke rrëzuar pretendimet e Xhakes, se me shoferin e shefit të komisariatit kishte një konflikt të pazgjidhur.


Neni 79


Vrasja në rrethana të tjera cilësuese


Vrasja me dashje e kryer: ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarët e tjerë publikë, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.


Specialisti i krimeve: S’kisha mundësi të veproja


Një nga dëshmitarët okularë në vendngjarje, specialisti i krimeve që shoqëronte në operacion Adem Tahirajn dhe Fatmir Hoxhën, është marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes, duke treguar se i ka dalë para automjetit që drejtohej nga një adoleshent. Ai tha se kanë ndalur mjetin dhe i kanë kërkuar dokumentet. Disa çaste më vonë, ky person ka bërë një telefonatë dhe në vendngjarje ka mbërritur një shtetas, që nuk e kishte parë më parë. Specialisti i krimeve me origjinë nga Tropoja, ka treguar se personi që ka mbërritur, ka debatuar fillimisht me Hoxhën dhe më pas i është drejtuar Tahirajt. Në momentin që ky i fundit i ka kthyer shpinën, ai e ka qëlluar pesë herë. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se autori veproi me shpejtësi dhe u largua”, ka pohuar specialisti i krimeve, ndërsa është shfajësuar për reagimin e munguar ndaj këtij autori, i cili i vrau eprorin. “Nuk kisha asnjë mundësi veprimi, pasi isha në automjet dhe në momentin që dëgjova krisma, dola nga mjeti. Pashë që Tahiraj ishte shtrirë dhe i shkova në ndihmë, ndërsa autori së bashku me nipin e tij u larguan me automjete me shpejtësi”, ka pohuar dëshmitari. Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka filluar një hetim administrativ ndaj punonjësve të policisë që ishin në shoqërinë e Adem Tahirajt, nëse kanë telefonuar apo jo sallën operative apo nëse kishin raportuar ndonjë informacion se në atë zonë banonte Ilir Xhakja.


Krimet e Rënda, asnjë masë për nipin e Xhakes


Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se nuk ka kërkuar asnjë masë shtrënguese ndaj Ledian Krasnajt, 17 vjeç, nipi i Ilir Xhakes, pasi nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ai nuk ka bashkëpunuar me dajën për vrasjen e shefit të komisariatit. “Nuk kemi asnjë masë ndaj Ledian Krasnajt. I kemi lënë detyrë policisë që të verifikojë rolin e tij në këtë ngjarje. Nëse paraqitet para organeve të rendit, ai do të pyetet për ngjarjen, për momentin që ka tentuar të bllokojë Xhaken të qëllojë ndaj policëve dhe mënyrën e largimit nga vendngjarja”, pohojnë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, është dorëzuar në gjykatë kërkesa për vlerësimin e arrestit ndaj Xhakes, ku kërkohet ligjshmëria, ndërsa po në gjykatë do të kërkohet lënia në burg pa afat e këtij shtetasi, me rrezikshmëri të theksuar kriminale.