Celibashi mohon rikthimin në detyrë. Përflitet edhe Artan Hoxha
BLEDAR HOTI
Procesi i rikompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shtyhet për në muajin tetor. Dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë rënë dakord për të shtyrë procesin, për shkak të hyrjes me vonesë në fuqi të ligjit. Burime nga të dyja kampet bëjnë të ditur se është rënë dakord që të shtyhet procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, si dhe ai i kryetarit të institucionit që do të merret me administrimin e zgjedhjeve. Çështjet e integrimit, si paketa për reformën në drejtësi dhe heqjen e imunitetit, duke ndërhyrë në Kushtetutë, duket se kanë bindur të dyja palët të harrojnë për momentin rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Disa javë më parë, nisi debati mes palëve për mosnisjen e procedurave për të zgjedhur 7 njerëzit që do të administrojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të pranverës së vitit 2013.
Kandidatët për kryetar e anëtarë
Beteja më e madhe pritet të përqendrohet te fakti se kush do të jetë kryetari i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë demokratët, sipas burimeve, kanë piketuar dy emra. Agron Haxhimiali, Kastriot Frashëri, Sajmir Visha, Lefteri Lleshi, Kristaq Kume, Andon Llesha, Sokol Hasani, Sokol Ago dhe Myrteza Myftari janë disa nga emrat e shpallur jo zyrtarisht. Fillimisht u përfol për emrin e ish-kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, porse vetë ai, në një prononcim për “Shqip”, shprehet se “këto janë sajesa, pasi jam shprehur publikisht se nuk do të garoj më për atë post”. Ndërsa përfliten edhe emra të tjerë, si Çlirim Gjata, Artan Hoxha apo dhe Klement Zguri, që mund të synojnë postin e kreut të KQZ-së, porse nga Kuvendi nuk jepet asnjë deklaratë zyrtare, nëse ato janë përfshirë në këtë garë ose jo. Ndërkohë që PS-ja bën të ditur se të hënën do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit listën e emrave që u paraqitën për postin e kreut të KQZ-së. Data 13 shtator ishte afati i fundit i paraqitjes së kandidaturave. Sipas nenit 15 të Kodit, “Pas verifikimit të kritereve, zbatohet procedura si më poshtë: Komisioni përzgjedh për t’u paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë; c) Përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga kandidatët e përzgjedhur sipas shkronjës “b”. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim; d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit”. Nga mazhoranca po piketohen emrat për anëtarë të KQZ-së. Emrat e parë janë Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, dy ekspertët që ndihmuan dhe mbrojtën së tepërmi PD-në në betejat elektorale. PD-ja mendon se një nga të dy duhet të jetë edhe anëtar i KQZ-së së ardhshme, ku mendohet që të jenë me një mandat 6-vjeçar. Për sa u përket anëtarëve të KQZ-së, demokratët nga katërshja aktuale e saj, do të mbajnë vetëm Klement Zgurin. Ai është një nga ekspertët e njohur, si një njeri që ka mbajtur mbi supe eksperiencat e të gjitha llojeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Si PD-ja ashtu dhe PS-ja do të përpiqen që të mbajnë anëtarët aktualë të KQZ-së, kjo nisur edhe nga këshilla e OSBE-së për të mos rifreskuar në mënyrë të plotë institucionin që do të merret me administrimin e zgjedhjeve. Kështu, PS-ja po tenton të mbajë Artan Lazajn sërish si anëtar të KQZ-së. Ndërsa si anëtar tjetër mendohet të propozohet Genc Gjonçaj, personi që ka qenë përfaqësuesi ligjor i socialistëve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Fakti që disa anëtarë do të kenë një mandat 6-vjeçar, si PD-ja dhe PS-ja po synojnë të zgjedhin njerëzit më besnikë të tyre.
Opozita
PS-ja bën të ditur se të hënën do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit listën e emra që u paraqitën për postin e kreut të KQZ-së
Neni 15
Kreu i KQZ-së
Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kompozimi i këtij institucioni mund të realizohet brenda muajit tetor
13 shtatori
Sipas njoftimit të Kuvendit, data 13 shtator ishte afati i fundit për paraqitjen e emrave për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Tabela
Kriteret për kryetar të KQZ-së
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
i) në fushën e së drejtës;
ii) në administratën publike;
iii) në administrimin e zgjedhjeve;
iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.