Reforma parlamentare, Gjana: PS-ja kërkon bllokim, Bushati: PD-ja synon ta ketë Kuvendin si xhep të qeverisë


Debati politik i ditës është fokusuar tek imuniteti, por një tjetër reformë nga lista prej 12 detyrimeve që Bashkimi Europian i ka lënë Shqipërisë për t’u përmbushur përpara 12 tetorit, është reforma parlamentare. Prej më shumë se katër muajsh, ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bllokuar. Të dyja palët thonë se e kanë të qartë se cilët janë përgjegjësit e bllokimit. “Mungesa e vullnetit politik nga ana e shumicës parlamentare”, tha për “Top Channel”, deputeti socialist Ditmir Bushati. Ndërsa negociatori tjetër i mazhorancës, deputeti i PD-së, Jemin Gjana, shprehet se “pingpongu që bën opozita është i tillë që e mban të bllokuar çështjen”. Më konkretisht, palët nuk bien dakord vetëm në dy pika, nga mbi 40 amendamente që janë miratuar me konsensus nga grupi i punës. Barazia e kohës së deklaratave në Kuvend mes Kryeministrit dhe kreut të opozitës varen edhe nga mënyra sesi votohen anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Demokratët thonë se këto ndryshime kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë, ndërsa socialistet kundërshtojnë. “Të dyja këto janë çështje, të cilat mund të rregullohen fare mirë në rregulloren e Parlamentit, nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese, por kërkojnë thjesht mirëkuptim për ta konceptuar Kuvendin e Shqipërisë një platformë kolektive, pra një platformë të përbashkët dhe jo një xhep të qeverisë”, shprehet Bushati. PD-ja ka një ndarje të qartë për këtë çështje, pasi shprehen se Kushtetuta e shpreh qartë një çështje të tillë. “Secili duhet të marrë dhe të lexojë Kushtetutën e vendit. Është e shkruar në mënyrë eksplicite në Kushtetutë, e hartuar nga kjo minorancë që është sot, kur ajo ka qenë në pushtet, që Kryeministri ka të drejtë të marrë fjalën sa herë të dojë dhe kur të dojë në seancat e Kuvendit. Situata është pezull dhe në një lojë të dyfishtë edhe për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Ata kanë sjellë edhe këtu propozime, por problemin e kanë nëse do të votohen me shumicë të thjeshtë, pasi në të gjitha propozimet e tyre nuk kanë bërë kurrë fjalë nëse votimet do të jenë të hapura apo të fshehta”, tha Gjana. Këto ndarje të forta duket se nuk i japin shumë mundësi miratimit të reformës parlamentare në këtë pak kohë të mbetur deri në publikimin e progres-raportit.


Por PS-ja e PD-ja që kanë kthyer në traditë arritjen e kompromiseve në limitet e kohës, thonë se po, ka ende shans. “Në rast se ka vullnet politik, çështja në letër, jo mënyra e zbatimit në praktikë, mund të adresohet për 24 orë. Grupi i punës është asistuar nga ekspertë të kontraktuar nga qeveria britanike, rregullat e Parlamentit Europian për sa i përket mënyrës së votimit dhe dizajnimit të institucioneve të pavarura janë shumë të qarta dhe janë mbështetëse të propozimit tonë”, thekson Bushati. Po në të njëjtin linjë shprehet edhe Gjana, i cili për “Top Channel” thekson se “nëse opozita do të tregohet e gatshme dhe të lërë lojën e dyfishtë dhe të vijë për të votuar këto për të cilat kemi rënë në dakord, është e mundur”. Deputeti demokrat, Gjana, shton se PS-ja ka rritur valvulat e bllokimit për reformën parlamentare, duke vënë kushtin e miratimit të rregullores së Kuvendit me 84 vota, në një kohë që vende të tjera demokratike, thotë ai, nuk e kanë as në nivelin e ligjit. Ndërsa socialisti Bushati thotë se edhe nëse miratohet në letër reforma parlamentare, kjo është vetëm gjysma e asaj që kërkon BE-ja. “Zbatimi i rregullores, ku mazhoranca duhet të demonstrojë heqjen dorë nga imponimi ndaj pakicës me dhunën e kartonit, është një aspekt po aq i rëndësishëm që Brukseli kërkon”, shton ai.


40 amendamente: Grupi i punës, PD-ja dhe PS-ja, ka hartuar 40 amendamente për çështjen e përmirësimit të rregullores së Kuvendit, si pjesë e reformës parlamentare


2 çështje: Koha e liderëve të mazhorancës dhe opozitës, si dhe vota e fshehtë e anëtarëve të gjykatave, janë dy pikat që ndajnë PS-në me PD-në për reformën