MASH: Reforma synon hapjen e vendeve të reja të punës


Shpresa Mezini


Urdhri i Ministrisë së Arsimit mbi pushimin nga puna të pedagogëve të dalë në pension ka shkaktuar tension në rrethin e profesorëve të merituar. Kështu, duke marrë shkas nga njoftimi që u është bërë nga rektorët përkatës të universiteteve private, pedagogët e dalë në pension kanë nënshkruar një peticion që i drejtohet ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, ku i kërkojnë shpjegime për marrjen e një vendimi të tillë. E megjithatë peticioni nuk është firmosur nga të gjithë pedagogët që i përkasin moshës së tretë, por vetëm nga një pjesë e atyre që janë në marrëdhënie pune me kohë të plotë në privat.


Rreth 9 profesorë të nderuar, kontributi i të cilëve ka qenë dhe është i vyer për brezat e rinj, të punësuar me kohë të plotë në një nga universitetet private në vend, janë të vendosur ta zgjidhin këtë çështje që, sipas tyre, fyen pozicionin dhe dinjitetin e tyre. Nisur nga kjo logjikë, duke qenë se kundërshtojnë vendimin e MASH-it mbi pushimin e tyre nga puna, ndonëse tolerohen për të dhënë mësim part-time, pagesë e cila më pas llogaritet me honorare, ata i kanë dërguar një shkresë zyrtare ministrit të Arsimit. Ata kërkojnë të dinë arsyet që po pushohen nga puna, pasi nuk preferojnë të punojnë me kohë të pjesshme. Sipas të dhënave, rezulton se dy ditë pasi peticioni i pedagogëve u dërgua në dyert e MASH-it, ky i fundit iu përgjigj duke argumentuar shkurt dhe fare thjesht arsyet pse ky institucion është i detyruar të ndërmarrë një reformë të tillë. Në përgjigjen zyrtare të dërguar në një nga universitetet private në vend, shkruhej as më pak e as më shumë sesa: “Zbatimi i kësaj reforme synon hapjen e vendeve të reja për punësimin e brazave të rinj të arsimtarëve”. Duke iu referuar përgjigjes së dhënë nga Ministria e Arsimit, rezulton se marrja e një vendimi të tillë përputhet me politikat e këtij institucioni, që në thelb ka punësimin e të rinjve, ndonëse këtë herë po bëhet në kurriz të të tjerëve.


“Përgjigjja që morëm ishte akoma më shumë fyese se vetë vendimi i MASH-it i marrë pa vënë në dijeni askënd. Kjo jo vetëm që është e padrejtë, por është sidomos e shëmtuar. Ministria e Arsimit na tha se kjo nismë synon hapjen e vendeve të reja të punës, por nuk na rezulton të jetë kështu. Ky institucion nuk po hap vende të reja pune, por po i zëvendëson ato. Po na largon neve, që të sjellë brezat e diplomuar së fundmi. Kjo praktikë nuk do të thotë të hapësh vende të tjera pune. Ndihemi më të fyer se kurrë”, tha A.M., pedagog në një prej universiteteve private, aktualisht 68 vjeç.


Vendimi


Pedagogët e dalë në pension, por të punësuar nga universitetet private, qoftë me kohë të plotë apo të pjesshme, nuk do të mund ta ushtrojnë më profesionin e tyre. Kështu, të gjithë pedagogët që kanë mbushur moshën e pensionit do t’u duhet t’u thonë lamtumirë profesionit të tyre, ndonëse plotësojnë “kushtet” shëndetësore, fizike e psikologjike për të zhvilluar ende mësim, duke mos përmendur përvojën e padiskutueshme, e cila është një thesar i çmuar për të rinjtë. Burime për gazetën “Shqip” bëjnë me dije se vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit, ndërsa urdhri i prerë në formën e një shkrese zyrtare është dërguar disa ditë më parë, në të gjitha universitetet private. Nisur nga shkresa që ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u ka adresuar universiteteve private, rektorët e këtyre institucioneve kanë nisur lajmërimet e para. Kështu, dje krerët e privatit në vend, pasi i kanë vënë në dijeni pedagogët e dalë në pension, ata të cilët punojnë me kohë të plotë, i kanë lajmëruar se me fillimin e vitit të ri akademik nuk do të jenë më pjesë e organikës së brendshme të këtyre institucioneve. Kjo do të thotë që mundësia për punësime me kohë të pjesshme është lënë e hapur.


Vendimi


MASH-i urdhëron universitetet private të mos lejojnë punësimin me kohë të plotë për pedagogët e dalë në pension


Privati


Rreth 9 profesorë të punësuar me kohë të plotë i dërgojnë shkresë MASH-it për arsyet e pushimit të tyre nga puna


MASH


Zbatimi i kësaj reforme synon hapjen e vendeve të reja të punës për të diplomuarit e rinj në këtë fushë