Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia ka kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje. Duke marrë shkak nga vrasja e kreut të policisë së Shijakut, kryekomisarit Adem Tahiraj, kreu i PLL-së ka deklaruar se dënimi me vdekje për disa vepra penale është ende një masë e domosdoshme për parandalimin e krimit e që duhet vlerësuar seriozisht nga politika dhe institucionet e shtetit.


Spahia ka kërkuar gjithashtu që në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë të kthehen në Shqipëri eshtrat e Mbretit Zog dhe të ndërtohet mauzoleumi përkatës. “Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe nderimit të personaliteteve të shquar të historisë së shtetit tonë, Partia Lëvizja e Legalitetit vlerëson maksimalisht angazhimin e qeverisë shqiptare për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog dhe ndërtimin e mauzoleumit përkatës që do të ngrihet aty ku ka qenë mauzoleumi i mëparshëm që u shkatërrua me dinamit prej komunistëve kur hynë në Tiranë”, theksoi Spahia gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë.


Kreu i PLL-së, duke iu referuar zhvillimeve politike dhe sociale në vend, i kërkoi Partisë Socialiste të ndërpresë fushatën e sulmeve ndaj Mbretit Zog dhe e deklaroi korrigjim padrejtësie aktin normativ për kthimin e banesave te pronarët legjitimë. “Ne vlerësojmë seriozisht prononcimin e z. Pandeli Majko mbi disa të vërteta historike që nxjerrin në pah vlerat e Mbretit Zog I. Fakti që këto vlerësime vijnë edhe nga një drejtues i lartë i Partisë Socialiste është i rëndësishëm dhe duhet përshëndetur. Ne presim që Partia Socialiste të ndërpresë fushatën e sulmeve ndaj Mbretit Zog I dhe Familjes Mbretërore Shqiptare, të distancohet nga qëndrimet e Partisë së Punës për këtë çështje dhe të kërkojë ndjesë publike për baltën që ka hedhur ndër vite ndaj këtyre dy simboleve të Kombit Shqiptar”, ka thënë Spahia.


16 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)