Aleanca Kuq e Zi starton fushatën elektorale të 2013-s


Aleanca Kuq e Zi mblodhi dje këshillin drejtues për të shpallur nisjen e fushatës së zgjedhjeve të drejtuesve nëpër të gjitha rrethet dhe qarqet elektorale të Shqipërisë. Në fjalën e tij, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, deklaroi se “Berisha po tenton të mbajë pushtetin në dy forma të ndryshme. E para me paratë e privatizimeve dhe koncesioneve dhe e dyta me mbështetjen politike të Athinës. Nga ana tjetër, shtetasi Sali Berisha është në akord me qeverinë greke për të injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për të konsideruar të mirëqenë marrëveshjen për dorëzimin e territorit dhe duke lejuar skuadriljet e policisë greke të vënë nën kontroll Jugun e Shqipërisë dhe duke lejuar vazhdimin e kërkimeve për burime gazi nga pala greke. Si koncesion ai po siguron mbështetjen për marrjen e statusit të vendit kandidat të cilin Shqipëria nuk e meriton, pasi nuk ka plotësuar standardet e kërkuara dhe është ende larg plotësimit të 12 kritereve të BE-së. Disponojmë të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Sali Berisha do të tentojë të blejë zgjedhjet e ardhshme me paratë e pista që po shet Shqipërinë dhe në këto kushte, duhet thelluar lufta politike me këtë qeveri për të shkuar në zgjedhje pa këtë kryeministër. Ne ndjejmë keqardhje që PS i ka falur konsensus pikërisht për Kodin dhe vazhdon ende jetën parlamentare në Kuvendin e tradhtarëve. Populli opozitar duhet të ndëshkojë këtë elitë tradhtarësh që janë njollë e zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar” deklaroi Spahiu. Sipas tij, “shitja e të gjitha pasurive nëntokësore dhe dorëzimi i territorit janë së bashku tradhti kombëtare të ndëshkueshme nga Kodi Penal dhe ndryshe nga PS që e konsideron Berishën si Kryeministër, ne si AK e konsiderojmë një shtetas të pandehur që duhet izoluar”.


Faktet: “Disponojmë të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Sali Berisha do të tentojë të blejë zgjedhjet e ardhshme me paratë e pista që po shet Shqipërinë”


“Populli opozitar duhet të ndëshkojë këtë elitë tradhtarësh që janë njollë e zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar”