“Ky është një libër për të rinjtë, sepse të rinjtë, megjithëse nuk e dinë, ndihen keq. Dhe kjo, jo për shkak të krizave të zakonshme ekzistenciale që stërpikin me yje rininë, por sepse një bujtës turbullues, nihilizmi, sillet mes tyre, depërton në ndjenjat e tyre, u ngatërron mendimet, u fshin perspektivat dhe horizontet, u ligështon shpirtin, u trishton pasionet duke i bërë këto të zbërdhulëta”. Kështu e nis librin e tij “Bujtësi turbullues”, filozofi dhe psikanalisti italian Umberto Galimberti. Libri vjen edhe për lexuesin shqiptar nën përkthimin e Ilirjana Stringës, botuar nga “Tirana Times”. Galimberti është pedagog i Filozofisë së Historisë në Universitetin e Venecias dhe është i njohur për një seri botimesh të fushës së tij. Të rinjtë dhe situata kaotike që kalojnë sot, ku identiteti dhe vlerat nuk janë më në sistemin e prioriteteve, janë në qendër të vëmendjes së tij. Galimberti rimerr nocionin e “nihilizmit” të trajtuar nga Niçe, për ta “ulur” në kohët moderne e për të shpjeguar se çfarë ndodh me “boshin” ku të rinjtë gjenden sot. “Familjet alarmohen, shkolla nuk di më ç’të bëjë, vetëm tregu interesohet për ta, për t’i udhëhequr në rrugët e zbavitjeve dhe të konsumit, aty ku çfarë konsumohet nuk janë aq objektet që vjetërsohen brenda harkut të një viti, por vetë jeta e tyre, e cila nuk mundet më të projektohet në një të ardhme sadopak premtuese. Ata nuk dinë të përshkruajnë dobësinë e tyre kur i pyesin, sepse tanimë kanë mbërritur atë lloj analfabetizmi emocional që nuk i lejon t’i kuptojnë ndjenjat e tyre, sidomos t’u vënë një emër. Nga ana tjetër, ç’emër t’i vësh asaj “asgjëje” që i pushton dhe i përmbyt? Në shkretinë e komunikimit, ku familja nuk ngjall asnjë joshje dhe shkolla nuk zgjon asnjë interes, të gjitha fjalët që bëjnë thirrje për t’u impenjuar dhe për të kthyer vështrimin drejt së ardhmes fundosen në atë lloj mosnyjëtimi që mund të matet vetëm me britmën. Vetëm kjo e fundit thyhen ndonjëherë zhguallin opak dhe të trashë të heshtjes, që, dendësore, mbështjell vetminë e depresionit të tyre të fshehtë si një gjendje shpirtërore e pakohë, qeverisur nga ai bujtësi turbullues që Niçe e quan “nihilizëm”. Po cili është mekanizmi që i çon të rinjtë në këtë gjendje për të cilën flet Umberto Galimberti? Kjo duket të jetë një pasqyrë e degradimit të vazhdueshëm të botës: një shoqëri pa identitet, kriza e familjes, shpërfillja e autoritetit, paaftësia për të njohur te tjetri një individ të denjë për t’u respektuar. Mbi të gjitha duket se qëndron paaftësia për të gëzuar vetveten, pa nevojën e “paketave të gatshme” të tipit “droga dhe diskoteka” për të mbushur atë kohë që në mungesë të tyre do të ishte boshe. Vetëvlerësimi, si një e dhënë biologjike dhe emocionale duket se ka rënë pre e indiferentizmit. Pikërisht në këtë pikë Galimberti i referohet analfabetizmit emocional për të shpjeguar fenomene të tilla si publikimi i intimiteteve, tentativat për vrasje e për vetëvrasje, dhunën nëpër stadiume, ndjenjën e ankthit. Në këtë analizë, filozofi nuk lë pa përmendur paranë, si një kushtëzues i vazhdueshëm i jetës, por edhe mungesën e projekteve aktivizuese. Galimberti madje këtë e sheh si një fenomen që nuk u takonte brezave të shkuar.


“Pak muzikë që shkarkohet veshëve për të fshirë të gjitha fjalët, pak drogë për të lehtësuar dhimbjen apo për të provuar ndonjë emocion, shumë vetmi, tipike për atë lloj individualizmi të skajshëm e të panjohur për brezat e mëparshëm, induktuar nga shterpëzimi i të gjitha lidhjeve afektive dhe nga bindja se nuk mund të shpëtojmë përveçse vetëm, qoftë edhe duke u shtënë në shkretinë e vlerave, pas të vetmit gjenerator simbolik të të gjitha vlerave, që quhet para. E ç’të thuash për një shoqëri që nuk vë në punë maksimumin e forcës së vet biologjike, atë që të rinjtë shprehin nga pesëmbëdhjetë deri në tridhjetë vjeç duke projektuar, ideuar, gjeneruar, mjafton që t’u përvijohet një qëllim realist, një perspektivë e besueshme, një shpresë në gjendje të aktivizojë atë forcë që ata ndiejnë brenda vetes dhe që pastaj e implodojnë (shpërthejnë së brendshmi) duke i paraprirë zhgënjimit për mospërmbushjen? A nuk është ky mënjanim i të rinjve shenja e vërtetë e perëndimit të kulturës sonë? Nëse vuajtja rinore nuk ka origjinë psikologjike, por kulturore, duken të padobishme melhemet e përpunuara nga kultura jonë, qoftë në variantin fetar, sepse Zoti ka vdekur me gjithë mend, qoftë në variantin iluminist, sepse nuk duket që arsyeja të jetë sot rregullator i marrëdhënieve mes njerëzve. Faqet e këtij libri nuk mëtojnë një ilaç me përdorim të thjeshtë dhe të menjëhershëm. Deri edhe ky pranim i pafuqisë flet shumë rreth natyrës së vuajtjes, që e përsëris, nuk është ekzistenciale, por kulturore. Gjykova që këto duheshin shkruar, qoftë edhe për të liruara shtegun prej të gjitha zgjidhjeve që janë gjetur pa e kapur natyrën e vërtetë të vuajtjes te të rinjtë tanë, të cilët, në atmosferën nihiliste që i rrethon, nuk e pyesin më veten për kuptimin e vuajtjes së tyre apo të të tjerëve, siç njerëzimi ka bërë gjithnjë, por përkundrazi u duket e padurueshme, sepse është e pakuptimtë”, thotë Galimberti.