Debati
Në Paris kërkohet bllokimi i së drejtës së shitjes së fotove te gazetat e tjera
Avokatët e dukës dhe dukeshës së Kembrixhit pritet t’i drejtohen një gjykate në Paris, për të kërkuar bllokimin e publikimit të mëtejshëm të një serie fotosh, ku çifti i ri shfaqet në një ambient privat, duke shijuar diellin gati pa rroba. Fotografitë u publikuan fillimisht nga një revistë franceze si dhe një gazetë irlandeze, por revista të tjera në shumë vende kanë në plan t’i botojnë.
Avokatët thonë se çifti më i famshëm i planetit, princesha Kate dhe princi William, ishin në një ambient privat në çastin kur u fotografuan dhe se përgjimi i tyre përbën shkelje të privatësisë. Ata pritet të kërkojnë zhdëmtime financiare.
Ndërkohë, vetë çifti gjendet në një tur të gjatë në Azinë Lindore dhe Pacifik, ku dje vizituan ishujt Solomon. Kate dhe William u shfaqën të relaksuar dhe të lumtur kur mbërritën në këto ishuj dhe u mikpritën nga mijëra njerëz.
Revista “Closer”, e cila i publikoi fillimisht fotot, thotë se ato nuk qenë degraduese për çiftin e ri dhe publikimi nuk synonte të dëmtonte imazhin e tyre. “Fotot paraqesin një çift të ri, shumë të bukur dhe të dashuruar, në jetën e tyre normale gjatë pushimeve”, njoftoi revista.
Ndërkohë, po diskutohet me prokurorët francezë për të parë nëse fotografimi dhe publikimi përbën thjesht një çështje civile apo ka edhe shkelje penale. Përpjekje po bëhen për të identifikuar fotografin pas fotove.
Ndërkohë, dukesha Kate falënderoi median britanike, e cila pavarësisht reputacionit që ka, nuk pranoi t’i publikonte fotot, të cilat qenë marrë nga një distancë e largët nga kështjella franceze ku po pushonte çifti.
Fotografitë pritet të publikohen sot edhe nga revista italiane “Chi”, e cila do t’i kushtojë 26 faqe. Ajo si dhe revista “Closer” janë që të dyja pjesë të perandorisë mediatike të ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi.
Princesha Kate, e cila e ka prejardhjen nga një familje jofisnike, është bërë një personazh shumë i dashur për lexuesit e gazetave në të gjithë botën, ku vetëm përmendja e emrit të saj mjafton për të ngjallur interes.