Eksperti: Në Itali janë zbuluar shumë burime të reja nafte, në Shqipëri janë zbuluar dhe nuk janë shfrytëzuar


Prof. Dr. Telo Velaj


Që nga viti 1990 dhe deri më sot, megjithëse është kryer një volum i madh punimesh sizmike dhe janë shpuar një sërë pusesh kërkimi nuk është arritur të zbulohet asnjë vendburim i ri nafte. Vendburimi i fundit i zbuluar është ai Delvinës ne vitin 1989. Gjatë kësaj kohe të gjatë në Shqipëri kanë punuar shumë kompani të huaja nga më prestigjiozet në botë, por rezultati ka qenë negativ. Ndërkohë, në Itali që është me një ndërtim gjeologjik shumë të ngjashëm me atë të vendit tonë gjatë kësaj periudhe janë zbuluar një mori e madhe vendburimesh nafte dhe gazi, duke u renditur një nga vendet kryesore në Europë për prodhimin e naftës dhe gazit. Atëherë shtrohet me të drejtë pyetja: Ku qëndron defekti? Mos vallë ky bilanc negativ tregon se Shqipëria nuk ka më vendburime të reja nafte dhe gazi dhe vazhdimi i kërkimeve është një punë e kotë? A janë treguar seriozë kompanitë e huaja në punën që kanë bërë në territorin shqiptar si në tokë ashtu dhe në det, apo kanë bërë një punë shkel e shko se janë nisur nga koncepti i “thelës së madhe” dhe kanë braktisur të ashtuquajturat “thela të vogla”? A ka lozur shteti shqiptar rolin e kontrollorit me anë të mekanizmave të veta për punën e këtyre kompanive? A kanë qenë të rregullta dhe në favor të shtetit shqiptar kontrata e bëra me kompanitë e huaja si për kërkimet ashtu dhe për zhvillimin e vendburimeve ekzistuese si Patos-Marinza, Kuçova, Cakrani, Ballshi, Delvina etj.? Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera ka ardhur koha të shtrohen për të gjetur përgjigje nga gjithë spektri i shoqërisë shqiptare. Kjo bëhet domosdoshmëri se nafta dhe gazi janë në radhën e atyre pasurive të mëdha kombëtare që ndikojnë në gjithë jetën dhe zhvillimin e vendit.


Bilanci negativ i zbulimit të vendburimeve të reja të naftës mbas vitit 1990 nuk tregon aspak se Shqipëria nuk ka fusha të reja nafte të pazbuluara. Përkundrazi. Të dhënat shkencore të marra nga shpimet e puseve dhe punimeve sizmike tregojnë për një perspektivë të mirë për zbulimin e vendburimeve të reja qoftë në tokë dhe aq më tepër nën ujërat e detit Adriatik dhe Jon. Këtu nuk e kam fjalën aspak për disa spekulime të bëra nga disa kompani të huaja si “Manas Petroleum” apo “Gustasvson”, që para disa kohe, reklamuan disa të dhëna euforiste dhe pa asnjë bazë shkencore mbi “perspektivën e madhe” për zbulime të përmasave gjigante në zonën e veriut të Shqipërisë, që përfshin territorin nga Tirana deri në Shkodër.


Perspektiva e kërkimeve mbështet nga të dhënat faktike që janë marrë deri tani si:


Në zonën e Dumresë është shpuar pusi Dumre-7 ,i cili arriti thellësinë 6119 m. dhe vërtetoi plotësisht mendimin gjeologjik mbi një mbihipje të fuqishme të evaporiteve (kripërave) në drejtim të perëndimit. Pusi ka ngelur rreth 250-300m. larg një objekti me përmasa të konsiderueshme dhe me bindje të plotë naftëgazmbajtëse. Pusi në fund u shpua nga një kompani angleze “Premier Oil” dhe aty ata e ndalën. Me gjithë këmbënguljen e autorëve të pusit dhe të Institutit të Naftës Kompania Angleze e ndërpreu shpimin, duke braktisur një zonë naftëgazmbajtëse. Logjika e tyre ishte se pusi është i thellë dhe debitet e pritshme nuk mund të jenë të tilla që pusi të dalë efektiv!? Po e njëjta histori, ndoshta dhe pak më për të ardhur keq, është dhe ajo e zonës së Shpiragut në afërsi të Beratit. Aty në vitin 1997 nga një grup autorësh të Institutit të naftës ishte projektuar një pus për takimin e një objekti naftëmbajtës në depozitimet karbonatike nën mbihipjen e strukturave sipërfaqësore. Ky pus nuk u miratua. Mbas disa kohe u kryen punime suplementare sizmike nga kompania amerikane “Occidental”  dhe nga përgjithësimi i tyre u arrit në të njëjtin përfundim me specialistët i Institutit të Naftës dhe u projektua pusi Shpiragu-1, i cili takoi gëlqerorët rreth thellësisë 4900m duke vërtetuar mendimin shkencor të specialistëve shqiptarë të pranisë së strukturave nën mbihipje. Nga përvetësimi i këtij pusi, ndonëse ai është bërë me të meta serioze, u arrit të merrej naftë e lehtë e tipit kondensatë (mesatarisht  rreth 340 barela/ditë që janë baras me 41.0 m3) dhe sasi të konsiderueshme gazi shoqërues. Ky rezultat në asnjë mënyrë nuk shpreh realitetin për debitet e pritshme të kësaj strukture, të cilat do të jenë shumë herë më të mëdha. Por kompania nuk ishte e kënaqur me debitin e marrë se donte “thela të mëdha” dhe braktisi pusin. Që prej vitit 2001 dhe deri më sot asgjë nuk është bërë për sqarimin e këtij objekti.


Nga të dhënat që disponohen ky objekt naftëgazmbajtës vazhdon në drejtim të veriut me atë të Dumresë kurse në drejtim të jugut me një sërë objektesh të tjerë si Molishti etj. Këtu kemi të bëjmë me një varg strukturash që vazhdojnë deri në Greqi në zonën Dragopsa (në afërsi të Janinës). Në këto struktura pritet kudo naftë e lehtë e tipit kondesat si i Cakranit.


Në rajonin e Delvinës vendburimi është lënë në mëshirën e fatit. Aty shfrytëzohen vetëm dy puse (Del-9 dhe Del-4) dhe asgjë tjetër nuk është bërë për intensifikimin e punimeve për zgjerimin e vendburimit dhe aq më tepër për të zgjidhur problemin e vazhdimit të tij në drejtimin verior. Kompania “Stream Oil’ po shfrytëzon naftën dhe gazin që kemi zbuluar ne të palës shqiptare dhe është më se e çuditshme që asnjë kontroll nuk ushtrohet karshi këtyre spekulatorëve që hanë pasurinë e të tjerëve. Po i kësaj natyre është dhe problemi kërkimeve të naftës në rajonin e Vlorës ku ne kemi vërtetuar praninë e një strukture naftëmbajtëse në depozitimet karbonatike me anë të puseve Vlora-10 dhe Vlora- 11 dhe pusit Kanina-1, i shpuar nga kompania austriake OMV. Debitet kanë qenë të vogla se puset nuk kanë qenë në pozicion të përshtatshëm strukturor. Edhe ky objekt ka ngelur i pasqaruar dhe zona është e lënë pezull. Këtu janë të dhënat që të zhvillohen struktura naftëgazmbajtëse në drejtim të jugut nën mbihipjen e strukturave sipërfaqësore të Cikës.


Kompania “Manas Petroleum” erdhi me një vrull të madh në Shqipëri duke bërë një bujë të jashtëzakonshme mbi një perspektivë supergjigante, aq sa shumë specialistë po çuditeshin se çfarë kish ndodhur. Shqipëria po krahasohej me Kuvajtin. Mjaft gazeta të Perëndimit filluan të botonin artikuj bombastikë se Shqipëria qenka thesar i vërtet. Aq të vërteta ishin këto spekulime sa që një sekser i kësaj firme në Florida (USA) (Kevin McKnight) më dërgonte mua një sërë e-mail-esh duke më bërë thirrje që të investoja te firma “Manas Petroleum” se do të ishte një biznes me leverdi të madhe, mbasi “kjo firmë po ushtronte aktivitet në Shqipëri ku siguria për zbulime të mëdha nafte ishin shumë të larta”. Ky zotëri kishte parë emrin tim në Buletinin Gjeologjik tek AAPG( Shoqëria e Gjeologëve Amerikanë të Naftës) dhe kujtonte se isha investitor. Mbasi më dërgoi disa mesazhe u detyrova të kthej një përgjigje shumë të thjeshtë: “Zotëri, të faleminderit për respektin, por unë nuk jam investitor, por jam vetëm një gjeolog i thjeshtë nga Shqipëria dhe kam punuar në kërkimet e naftës atje për 35 vjet me radhë”. E bëra këtë parantezë për të vërtetuar atë që disa kompani të vogla bëjnë eufori të madhe mbi perspektivën naftëgazmbajtëse të njërit apo tjetrit rajon për të gjetur partner në investim të përbashkët. Fati i mëtejshëm nuk dihet, por ama është një fakt që kjo kompani ka 5-6 vjet në Shqipëri dhe deri tani asgjë nuk ka bërë. Personalisht nuk kam asnjë besim te këto lloj kompanish. E njëjta situatë ndoshta dhe më e keqe është me një të ashtuquajtur kompani me emrin “Sky Petroleum”, e cila pretendon se është kompani amerikane, por që nuk ka asnjë lloj aktiviteti kërkimi në asnjë vend të botës. Dhe themeluesit e saj janë nga vendet arabe. Këta zotërinj kanë lidhur një kontratë me palën shqiptare për kërkimin e naftës në rajonin e Dumresë. Kjo kontratë është nënshkruar nga ish-ministri Dritan Prifti, një njeri që është shumë pak ta quash mafioz. Kjo e ashtuquajtur kompani nuk e ka idenë fare se çfarë janë kërkimet e naftës dhe nuk ka kryer asnjë lloj aktiviteti të tillë. Si mund që qeveria shqiptare të lërë në këmbë kontrata të tilla? Ato duhen anuluar me urgjencën më të madhe. Nga ky artikull i bëj thirrje Kryeministrit të vendit që të harxhoj pesë minuta dhe të merret me disa probleme të naftës, se janë shumë më të rëndësishme se debatet e votave, të cilat patjetër që duhet të jenë të ndershme se është guri themeltar i demokracisë..


Zona nga veriu i Dumresë deri në kufi me Malin  e Zi është një zonë qe ka rëndësi për kërkimet e naftës, por aty objektet janë mjaft të komplikuara  dhe kërkojnë punime serioze për t’u zgjidhur. “Manas Petroleum” ka kryer aty disa punime sizmike, por për fat të keq asgjë nuk boton mbi rezultatin e tyre, të cilat pa as më të voglin dyshim, janë negative.


Kërkimi i naftës në detin Adriatik dhe Jon është një pikë shumë e errët në historinë e kërkimeve në Shqipëri. Në vitin 1990 ,me hapjen e Shqiperise , vërshuan te vinin shumë kompani perëndimore si AGIP , Chevron,Deminex etj. për të kryer kërkime në territorin e ujrave Shqiptare .Ata kryen rreth 12000 km. profile seizmike dhe shpuan disa puse kërkimi . Te gjithë puset i konsideruan negativ dhe e braktisën territorin . Kjo nuk është aspak e vërtet . Mjafton vetëm të themi se bregdeti Italian dhe ai Shqipëtare kanë një ndërtim gjeologjik apsolutisht te ngjashëm .Është nje efektë pasqyre : Një pasqyrë e madhe në mes te detit Adriatik dhe Jon dhe kjo tregon të njëjtat gjëra si në perëndim ( Itali ) dhe Lindje (Shqipëri, Mali i Zi dhe Kroaci). Në Itali gjatë kësaj kohe (1985 e këndej ) janë zbuluar një mori vendburimesh nafte dhe gazi si në tokë ashtu dhe në det. Aty janë zbuluar vendburime gjigante si Monte Alpi. Tempa Rosa, Aquila,Falco etj., me më shumë se 100 milion m3 naftë. Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Përse nuk janë zbuluar vendburime të reja nafte dhe gaz në territorin shqiptar? Disa nga arsyet janë:


Në kohën që të huajt punuan në territorin tonë nga ana e palës shqiptare nuk kishte asnjë kontroll. Në krye të Institutit të Naftës u vunë njerëz të paaftë dhe pa asnjë meritë shkencore apo administrative. Kjo bëri që ky institucion shumë i rëndësishëm të bastardohet dhe dalëngadalë të degjenerojë në një organizëm inekzistent. Nuk u bë asnjë tentativë për riorganizimin e tij në përputhje me kërkesat e reja të ekonomisë së tregut dhe të shndërrohej në një organ që do të udhëhiqte gjithë punimet e kërkimit në vend. Kompanitë e huaja duhet të kryenin punimet dhe përgjithësimet e tyre të bëheshin nga një bashkëpunim me këtë Institut. Në fakt, të gjitha punimet e kryera u ndoqën nga disa gjeologë të naftës punësuar pranë këtyre firmave, të cilët ishin të zgjedhur  sipas meritave partiake dhe jo shkencore, me qëllimin e vetëm për të fituar disa pare nga pagesa e mirë që bënin të huajt. Kontratat, në mënyrë të veçantë ato të punimeve në det, ishin komplet në disfavor të Shqipërisë duke u lënë firmave të huaja dorë të lirë të bënin si t’u donte interesi i tyre. Por e keqja jonë nuk mbaron këtu.


Muajt e fundit, në disa prej mediave, u është bërë jehonë “sukseseve të mëdha “në kërkimin dhe zhvillimin e vendburimeve të naftës në Shqipëri. Me keqardhje themi se këto euforira janë pa baza dhe shumë të dëmshme. Ato mbulojnë të metat dhe dobësitë e mëdha që shfaqen në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë. Të flasësh se në kërkimet e naftës ka suksese është të ngopesh me lugën bosh. Ja një pyetje e thjeshtë: Përse nuk është zbuluar asnjë vendburim nafte nga viti 1990 dhe deri më sot? A tregon kjo për punë të suksesshme? “Manas Petroleum” vajti rreth 7 vjet që ushtron aktivitet, por deri tani asgjë konkrete nuk ka bërë. Vetëm llafe të bukura dhe asgjë tjetër. Ku qëndron vlera e kësaj kompanie? Flitet për suksese të kompanisë “Bankers Petroleum” në shfrytëzimin e vendburimit gjigant të Patos-Marinzës, por asnjëherë nuk përmendet se sa për qind të fitimit merr pala shqiptare (10% !!!). Ky vendburim mban gjakun dhe djersën e naftëtarëve tanë heroikë dhe të specialistëve të naftës, të cilët kanë punuar me vetëmohim dhe tani kanë ngelë me gisht në gojë, kurse kanadezi trashëgon pasurinë tonë. Akoma më dramatike paraqitet situata, kur Parlamenti shqiptar vendos që nafta të privatizohet. Si mund të merret një vendim i tillë absurd kur specialistët e naftës e kundërshtojnë një gjë të tillë? Përse nuk dëgjohet zëri i shkencëtarëve të naftës, por veprohet me arrogancën e votave? Gjithë këto vendime duhet të anulohen dhe të lidhet një kontratë e madhe bashkëpunimi me kompaninë e ndershme dhe prestigjioze Italiane ENI, kompani e cila ka suksese të mëdha në Itali dhe që kohët e fundit po punon edhe në Kroaci. Korrigjimi i gabimeve është një karakteristikë themelore e një shoqërie demokratike.


 


Kush është Telo Velaj


Unë kam punuar për 33 vjet në projektimet e puseve të naftës si për kërkim ashtu dhe për zhvillim të vendburimeve ekzistuese. Këtu unë kam qenë drejtues shkencor i grupit të përgjithësimit që ka punuar në rajone të ndryshme të Shqipërisë si në Dumre, Shpirag, Delvinë, Kuçovë, Sarandë, Gjirokastër, Borsh, etj. Jam anëtar i Shoqatës së Gjeologëve Amerikanë të Naftës, si dhe anëtar i shoqatës së Gjeofizikanëve  të kërkimeve gjeologjike në Amerikë. Punoj si gjeolog i pavarur duke konsultuar kompani të ndryshme për probleme që u dalin në ecuri e sipër.