Sulmi me thikë ndodhi në urbanin e linjës Tiranë-Kamzë. Arrestohet autori i krimit


Pasagjerët kanë ndërhyrë për të neutralizuar agresorin, por nuk kanë mundur të shpëtojnë të riun


Një konflikt i momentit i ka kushtuar me jetë një 17-vjeçari, pasi ka rënë pre e një sulmi agresiv me thikë nga një i dehur. Adoleshenti ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pavarësisht se shokët që e shoqëronin kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, ndërkohë që policia ka arrestuar agresorin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në autobusin e linjës Tiranë-Kamzë, ndërsa rezulton që autori dhe viktima ishin me banim në Bathore.


Sipas të dhënave policore, Napolon Mustafa ka qenë me dy shokët e tij dhe ka hipur në autobus në qendër të Tiranës. Rrugës ka hipur në autobus një person i dehur, të cilin, të rinjtë e njihnin për fytyrë, pasi banonte në të njëjtën zonë me ta. Ai ka filluar të zihet me njerëz të ndryshëm në autobus, ku pre e fjalëve të tij kanë rënë edhe të rinjtë. Ata janë munduar që të mos të kenë probleme të mëtejshme me të, por debati është ashpërsuar, kështu që janë përplasur fizikisht. Gjatë konfrontimit, sipas të dhënave paraprake të policisë, i dehuri ka nxjerrë një thikë, duke goditur adoleshentin Mustafa. Policia tha paraprakisht se Napolon Mustafa është goditur disa herë dhe për shkak të plagëve ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që të pranishmit në autobus kanë ndërhyrë për të neutralizuar të dehurin e armatosur. Shokët e të riut kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë të plagosurit rëndë, por ai ka ndërruar jetë në vend. Policia është njoftuar se ngjarja ka ndodhur në hyrje të zonës së Institutit dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr. 3 dhe ato të Komisariatit nr. 5, të cilat kanë shoqëruar agresorin e identifikuar si Mirush Ajazi.


Uniformat blu kanë shoqëruar edhe shokët e 17-vjeçarit dhe disa dëshmitarë okularë, pasagjerë në autobus, të cilët kanë rrëfyer mbi krimin e rëndë. Në këto kushte, 38-vjeçari Ajazi është arrestuar për vrasje me dashje, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike. Sipas të dhënave policore, i dyshuari është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore në seksionin e krimeve kundër jetës dhe shëndetit dhe ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Ai ka deklaruar se donte ta trembte adoleshentin dhe se e ka qëlluar pa dashje, megjithëse kjo nuk e ka shpëtuar nga prangat dhe akuza e ngritur nga prokurori. Red. Akt.