Nishani – Presidenti i Republikës do të zhvillojë takime intensive në Bruksel, kjo përpara publikimit të raportit të progresraportit
Takimet – Së bashku me Presidentin, në Bruksel do të jetë edhe ministrja e Integrimit, Bregu. Nishani do të takohet me Barroson, Fulen, Van Rompuy dhe me shefin e NATO-s, Rasmussen
Integrimi
Politika, larg marrjes së statusit të vendit kandidat. Nishani dhe Bregu, lobim në BE
BLEDAR HOTI
Politika shqiptare pritet të marrë një tjetër ndëshkim në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Data 20 shtator është mundësia e fundit e votimit të atyre reformave kryesore të përcaktuara si kushte të BE-së për vazhdimin e procesit të integrimit. Heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, reforma parlamentare dhe ligji i Gjykatës së Lartë janë tre kushtet që nëse miratoheshin nga Kuvendi i Shqipërisë jepnin sinjalin pozitiv në adresë të BE-së për vazhdimin e reformave të kërkuara. Data 20 shtator për votimin e këtyre tri reformave në Parlament u bë publik disa ditë më parë nga vetë ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në një prononcim për mediat më 8 shtator, Bregu theksoi se “detyrimet, të cilat ne duhet t’i plotësojmë brenda 3-javëshit të parë kalendarik, të miratuar nga Kuvendi ose të atij të shtatorit që përkon me datën e prerjes së progres-raportit, që do të japë vendimin për Shqipërinë janë: heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë në Shqipëri dhe votimi i ligjeve që janë në Parlament si pjesë e paketave të rëndësishme, sikurse është ligji për Gjykatën e Lartë”. Por kanë kaluar më shumë se një javë dhe mazhoranca dhe opozita nuk e kanë gjetur konsensusin për tri çështjet e mbetura pezull. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë do të thotë mbi të gjitha dhe përfitime të fondeve të konsiderueshme nga ana e Bashkimit Europian. Nëse ky status jepet në raportin e 10 tetorit, Shqipëria mund të përfitojë grande dhe fonde deri në vlerën e 300-400 milionë eurove. Këto fonde të konsiderueshme mund të përdoren për investimet në sektorin e bujqësisë dhe në infrastrukturë.
Nishani dhe Bregu, sot në Bruksel
Data 17 shtator shihet si një nga më vendimtarët për marrjen ose jo sinjalit pozitiv për pranimin në marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ditën e sotme, Tirana zyrtare do të njihet me natyrën e progres-raportit të KE-së, si dhe për përgjigjen për kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Mësohet se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të udhëtojë që bashku me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, drejt Brukselit. Kjo vizitë do të shërbejë në të njëjtën kohë për të lobuar akoma më tepër në mënyrë që përgjigjja e KE-së të jetë pozitive për marrjen e statusit të vendit kandidat. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur dje se kreu i shtetit, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, do të niset sot për në Bruksel, ku në datat 17-18 shtator do të zhvillojë takime zyrtare me personalitetet më të larta të Bashkimit Europian. Në delegacionin zyrtar, të cilin e kryeson Presidenti Nishani do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Axhenda e vizitës parashikon ditën e hënë, më 17 shtator, në orën 14.30, takim të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, me Presidentin e Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, pas të cilit do të ketë deklarata për shtyp dhe në orën 17.30 me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët shtypi. Ditën e martë, Presidenti Nishani do të takohet gjithashtu edhe me Komisionerin Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, ndërsa në orën 16.30 me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin do të japë edhe një konferencë për shtyp. Po të martën, Presidenti Nishani do të pritet nga kryebashkiaku i Sharbeekut, Bernard Clerfayt, dhe më pas do të zhvillojë në Universitetin e Lirë të Brukselit, në orën 18.00 një takim me përfaqësues të bashkësisë shqiptare. Dita e tretë e vizitës së Kryetarit të Shtetit shqiptar pritet të përmbyllet me një takim me zëvendëspresidenten e Komisionit Europian/ Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
3 ditë – Politika shqiptare ka 3 ditë kohë për të përmbushur disa prej kritereve për heqjen të BE-së, kur kryesori është heqja e imunitetit
300 milionë – Nëse Shqipëria merr statusin e vendit kandidat do të përfitojë fonde të konsiderueshme. KE-ja jep një fond deri në 300 milionë euro për investimet
Këshilli i Europës
Krerët e shtetit “azil” në Strasburg, në tetor ikin Nishani, Berisha dhe Topalli
Aktivitetet e parashikuara nga Këshilli i Europës do të detyrojnë drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar të zhvendosen për disa ditë në Strasburg. Sesioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe Forumi Botëror i Demokracisë do të detyrojnë Presidentin Bujar Nishani, kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha të jenë prezentë në këto dy aktivitete që zhvillohen nga 1-8 tetor. Në këtë Asamble do të marrë pjesë dhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Kështu, më 4 tetor pritet që të flasë Presidenti i vendit, Bujar Nishani, në asamblenë e KiE-s. Ndërsa Berisha dhe Topalli do të marrin pjesë në Forumin e Strasburgut për Demokracinë. Madje, Berisha si drejtues i Presidencës së Shqipërisë të Këshillit të Europës do të mbajë një fjalim aty në emër të Kryesisë së Këshillit të Ministrave të KiE-s. Gjithashtu, edhe kryeparlamentarja Topalli do të diskutojë në këtë Forum për Demokracinë. Protokolli shqiptar nuk e lejon largimin e menjëhershëm të drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar. Nëse largohen të gjithë drejtuesit kryesorë Nishani, Berisha dhe Topalli, atëherë frenat e shtetit i mbesin zv.kryeministrit, përfaqësuesit të LSI-së, Edmond Haxhinasto.