“Arrest me burg”


Gjykata vendosi masën e sigurisë burg pa afat për vrasësin e Fatjona Sulës, 24-vjeçares e cila u gjet e masakruar poshtë një ure në Qafë-Thanë. Në seancën për dhënien e masës së sigurimit ndaj Celnik Meleqit, autori nuk ka pranuar të flasë para trupit gjykues, por ka treguar shenjë përlotjeje në momentin që është përmendur fëmija i tij. Sakaq, në versionin e ngritur nga Prokuroria për krimin është bërë përshkrimi i detajuar nga momenti i takimit mes viktimës dhe autorit. Sipas organit të akuzës, ditën e ngjarjes autori dhe viktima kishin dalë në disa lokale të ndryshme, ku kishin harxhuar 100 mijë lekë të vjetra. Më tej, ata kishin kryer marrëdhënie seksuale dhe viktima i kishte kërkuar me insistim 30 mijë lekë të vjetra 27-vjeçarit, gjë që ishte bërë shkaku kryesor për të nisur një grindje të fortë mes tyre. Autori është nxehur nga ky fakt dhe e ka masakruar atë me gur, më tej e ka hequr zvarrë viktimën dhe e ka hedhur poshtë urës. Por nga ana tjetër, mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke e konsideruar autorin të parrezikshëm dhe nevojën e prezencës së tij në familje si babai i një fëmije 1-vjeçar. Pavarësisht këtij pretendimi, gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg për vrasësin e nënës së dy fëmijëve.