Ilir Xhakja


Nën masa të forta sigurie dhe me dyer të mbyllura është zhvilluar sot seanca e vlerësimit të masës së sigurisë për Ilir Xhakja, të dyshuarin për vrasjen e kreut të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, i shpallur Dëshmor i Atdheut. Seanca e zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka nisur rreth orës 10:00 dhe në përfundim të saj, trupi gjykues ka vendosur lënien në burg të 38-vjeçarit Xhakja deri në përfundim të hetimeve. Prokurori i çështjes, Eugen Beci, ka kërkuar zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.


Xhakja, i njohur si “i forti i Shijakut” ka pranuar krimin, madje në momentin e dorëzimit të pistoletën u ka thënë uniformave blu se “me këtë armë kam qëlluar ndaj shefit të komisariatit”. Ai ka mbërritur në gjykatën e Krimeve të Rënda rreth orës 9:45 të mëngjesit nën masa të rrepta sigurie. Xhakja u shoqërua nga Durrësi prej Forcave Speciale, për të shmangur çfarëdo incidenti, pasi ai ka përplasje të vjetra me shumë grupe rivale që veprojnë në Durrës. Ndërkohë policia vijon kërkimet për gjetjen e nipit të Xhakes, 17-vjeçarin Ledian Krasnaj, i cili pretendohet se ka qenë “strumbullari” i gjithë historisë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë pohuar ditë më parë se nuk ka kërkuar asnjë masë shtrënguese ndaj Ledian Krasnajt, pasi nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ai nuk ka bashkëpunuar me dajën për vrasjen e shefit të komisariatit. Megjithatë policia po verifikon rolin e tij në këtë ngjarje.


Kryekomisar Adem Tahiraj, u ekzekutua me pesë plumba pasditen e së enjtes në fshatin Katund Sukth, teksa ishte duke ushtruar kontroll në zonë. Sipas policisë, ai ndaloi një makinë të cilën e drejtonte Ledjan Krasnaj, 17 vjeç, dhe urdhëroi shoqërimin e tij në Komisariat, për shkak se kishte mangësi në dokumentacion. Në këto momente ka mbërritur Ilir Xhakja, person me precedentë të theksuar kriminalë, dhe pasi është konfliktuar ashpër me shoferin e Kryekomisarit, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar 5 herë mbi Kryekomisarin Adem Tahiraj. Babai i tre fëmijëve ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa nga plumbat ka mbetur e plagosur dhe një 67-vjeçare.


17 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)