Korçë
26-vjeçarja gjendet në gjendje kritike për jetën nga nëna, e cila pastronte rrugët e qytetit
Gëzim Ashimi
E ka marrë me dhunë nga familja e saj dhe duke debatuar rrugës me të, e ka goditur me grushte dhe mjete prerëse. Gjysmë të vdekur, ai e ka hedhur të shoqen në një kazan mbeturinash, ku është gjetur nga nëna e saj, e cila ka lajmëruar policinë dhe e ka dërguar për në spital, ku aktualisht është në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa bashkëshorti i saj, autor i dyshuar i krimit, është shpallur në kërkim.
Konflikti
Krimi i rëndë brenda familjes është regjistruar në qytetin e Korçës, ku një grua e re, nënë e dy fëmijëve, është gjendur mëngjesin e së dielës, e plagosur nga bashkëshorti i saj. Eriselda Elmazi, banore e lagjes 8 në Korçë, është gjetur e plagosur me mjete të forta mëngjesin e së dielës dhe ka përfunduar në gjendje kritike për jetën në spitalin e qytetit. Gruaja 26-vjeçare, nga komuniteti rom, sipas policisë, është plagosur nga bashkëshorti për shkaqe të brendshme familjare, pas një debati në lidhje me vajzat e tyre. “Plagosja e 26-vjeçares ka ardhur pasi ajo kishte hasur në kundërshtimin e burrit për daljen e dy vajzave nga shtëpia”, tha një drejtues i policisë rajonale të Korçës. Sipas të dhënave të policisë, që iu referohen dëshmive të para mbi ngjarjen, bashkëshorti i 26-vjeçares nuk pranonte që dy vajzat e tyre të dilnin nga shtëpia pas orëve të mesnatës.
Nëna e 26-vjeçares
Konfliktin që ka lindur mes dy bashkëshortëve, e ka dëshmuar në polici nëna e 26-vjeçares së plagosur. Sipas burimeve zyrtare nga policia rajonale e Korçës, nëna e Eriselda Elmazit, e cila punon si pastruese rrugësh në orët e vona të natës, ka treguar gjithçka për plagosjen e vajzës së saj nga i shoqi. “Kam qenë duke pastruar rrugët pas mesnate, kur mora vesh se ime bijë po grindej me të shoqin për shkak se nuk merreshin vesh që vajzat e tyre të dilnin në orët e mbrëmjes”, ka dëshmuar ajo, duke treguar se 26-vjeçarja ndodhej te shtëpia e saj, pasi kjo nuk ishte hera e parë që mes tyre kishte konflikt. Duke qenë se ishte në turnin e natës për të pastruar rrugët e qytetit, nëna e 26-vjeçares ka njoftuar policinë për plagosjen e së bijës, pasi e ka gjetur të bijën të përgjakur në një kazan plehrash. Ndërsa ka bërë përpjekjet për ta dërguar në urgjencën e spitalit, ka sinjalizuar edhe policinë për këtë plagosje.
Autori në kërkim
E qëlluar me thikë në pjesën e barkut, 26-vjeçarja, fillimisht është shtruar në spitalin rajonal të Korçës për ndihmën e shpejtë mjekësore dhe më pas, për shkak të rrezikut për jetën nga humbja e gjakut, është dërguar me urgjencë në Tiranë. Policia tha se i akuzuari për këtë plagosje të rëndë, ende nuk është kapur dhe është shpallur person në kërkim. Romeo Babani, autori i dyshuar i kësaj plagosjeje të rëndë është kërkuar në shtëpi dhe në disa zona të tjera të qytetit verilindor, por nuk është gjetur nga uniformat blu. Plagosja e rëndë e 26-vjeçares rome nga qyteti i Korçës ka ardhur pas ngjarjes së rëndë të një krimi të dyfishtë në qytetin e Pogradecit, ku protagonist atje ka qenë sërish një banor i komunitetit rom.