Pas protestës
Aleanca Kuq e Zi reagoi dje në lidhje me shkarkimin e dhjetëra efektivëve të policisë, për shkak të goditjes së makinës së Kryeministrit Berisha me qese mielli. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në AK, Rezar Balla, i konsideroi këto shkarkime një ogur të keq që jep qeveria në prag të fushatës zgjedhore. “Qeveria dhe veglat e saj në të gjitha strukturat e shtetit shfrytëzuan në mënyrë tinëzare fundjavën për të konsumuar përsëri dhe për të disatën herë aktin e turpit të radhës, pezullimin e 2 titullarëve në polici dhe dhjetëra efektivëve blu. Shtetasi Sali Berisha dhe vartësit e tij me pezullimin e efektivave të policisë ka dërguar një mesazh të fortë dhe të qartë në radhët e policisë në prag të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve parlamentare, duke i paralajmëruar ata se policia do të luajë rolin që i cakton ai vetë dhe jo ligjet në fuqi”, deklaroi përfaqësuesi i AK. Sipas tij, Berisha nuk është më Kryeministër i shqiptarëve dhe këtë e ka treguar nga jelekët antiplumb që mban në çdo rast.