ANDREA STEFANI
Dy komisione të Kuvendit, ai i Ligjeve dhe ai i Legjislacionit, sapo kanë mbyllur një seancë dëgjimore lidhur me paketën e ndryshmeve në Kushtetutë që Partia Socialiste ka sugjeruar të bëhen paralel me kufizimin e imuniteteve. Edhe këtë radhë, Jozefina Topalli, folësja e Kuvendit, bëri kujdes maksimal, që gjithçka të zhvillohej tiranikisht në përputhje të plotë me vullnetin e shumicës. Fakti që të gjithë konstitucionalistët e ftuar u shprehën pro paketës së ofruar nga opozita, që sipas tyre, do ndihmonte në pavarësimin e gjyqësorit nga bota e politikës, nuk pati asnjë rëndësi për deputetët e shumicës. Kjo e fundit ka ushtruar si përherë tiraninë e saj, duke votuar një raport të parapërgatitur po prej saj, mbushur plot sajime qesharake mbi gjoja rrezikun e “tiranisë së pakicës” që do të krijohej nëse miratohej paketa e opozitës. Por çudia është se në dakordësi me këtë praktikë tiranike është shfaqur edhe përfaqësuesi i “Euralius”, një mision i BE-së për fuqizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Pra një mision i BE, që ndërsa pretendon fuqizimin e gjyqësorit në Shqipëri, mbështet praktikat tiranike të një Kryeministri dhe shumicës së tij me tendenca të qarta autokratike?! Sot pritet që Kuvendi të votojë kufizimin e imuniteteve pa ato ndryshime në Kushtetutë që do ta bënin të pamundur abuzimin nga pushteti në kurriz të opozitës. Një fitore tjetër e autokratizmit. Këtë herë, e arritur edhe me ndihmën e misionit “Euralius”.
***
Që qeverisja e Berishës dhe shumica e tij parlamentare janë të prirura drejt një tiranie në funksion të absolutizimit të pushtetit të Kryeministrit, është një alarm dhe një tezë që ka shpërthyer kornizat e medias apo debatit politik vendas. Tashmë edhe jo pak ndërkombëtarë janë koshientë për një dukuri të tillë. Dokumenti më i fundit që provon këtë, është një studim i qendrës së analizave për marrëdhëniet me jashtë në Këshillin Europian, botuar në fillim të shtatorit. “Është e vështirë të shohësh metodën e BE-së, të karotës dhe të shkopit, të funksionojë mbi udhëheqës të pushtetshëm lokalë si Nikolas Gruevski, Sali Berisha apo Milorad Dodik, motivimi parësor i të cilëve është përforcimi i pushtetit në një klimë politike gjithnjë e më pak konkurruese”, thuhet ndër të tjera në këtë studim. Nuk ka shpresa as kur përdoret edhe “shkopi” por ç’mund të themi kur përdoret vetëm “karota” si në Shqipëri? Prova që Sali Berisha ka kryemotiv përforcimin e pushtetit të tij “në një klimë politike gjithnjë e më pak konkurruese” është edhe votimi i fundit në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Legjislacionit. Për dijeni të lexuesit, duhet të shpjegojmë se paketa e opozitës kërkon disa ndryshime në Kushtetutë me synim që të bëjnë të mundur që kryeprokurori, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, të zgjidhen me shumicë të cilësuar pra, jo vetëm me votat e shumicës parlamentare. Sipas përfaqësuesve të Gjykatës së Lartë, një numër më i lartë deputetësh është një motiv për zgjedhje konsensuale pozitë-opozitë drejt kandidaturave jo partizane. Për të gjithë konstitucionalistët që u shprehën në seancën dëgjimore, zgjedhja me 3/5 e kryeprokurorit dhe e këtyre gjykatësve, do të ishte një premisë për pavarësimin e gjyqësorit, duke restauruar kështu, disa balanca të rrënuara me amendimet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008.
***
Natyrisht që Berisha dhe shumica e tij nuk do ta miratonin kurrë një reformë të tillë. Për të përforcuar pushtetin e tyre, ata duan që gjykatësit dhe kryeprokurorin t’i zgjedhin vetëm me votat e shumicës, “në një klimë gjithnjë e më pak konkurruese”. Prandaj edhe paketën e opozitës e skualifikojnë tiranikisht, duke e etiketuar si tendencë për “tirani pakice” një reagim tipik bolshevik që klasifikon pakicën, opozitën si djallëzore dhe armike të popullit. Diktatori komunist Enver Hoxha e fuste në burg opozitën politike dhe Berisha ka qenë për shumë vjet sekretar në partinë e tij. Vazhdimësia si “forma mentis” është e kuptueshme. Por si shpjegohet që edhe përfaqësuesi i “Euralius”, që ka për mision pavarësimin e gjyqësorit dhe fuqizimin e tij përballë pushteteve të tjera në shtet e në radhë të parë qeverisë, bën gjëra që shërbejnë për të kundërtën? E ngremë këtë pyetje sepse, ndonëse e vlerësoi të rëndësishme reformën e propozuar nga opozita, “Euralius” sugjeroi se për një gjë të tillë, duhet më shumë kohë. Ndërkaq shtoi se heqja e imuniteteve duhej të bëhej urgjentisht! Po përse urgjentisht? Dhe përse më urgjentisht se sa ca ndryshime në Kushtetutë që shtyjnë për nga paanësimi i prokurorisë dhe gjykatave? Vallë vazhdojnë të besojnë në përrallën se heqja e imuniteteve është më prioritare për integrimin dhe luftën kundër korrupsionit, sesa pavarësimi i prokurorisë dhe gjykatave? Sido që të jetë, qëndrimi i “Euralius” ishte tërësisht kundër qëllimit që i është caktuar këtij misioni nga BE dhe njëherazi, tërësisht në funksion të motivit parësor të Kryeministrit Berisha, që është fuqizimi i pushtetit të tij personal në një klimë tiranike ku dhuna e kartonit të shumicës, fshin çdo mundësi për konkurrim. Nuk ka asnjë mundësi që “Euralius” dhe specialistët e tij të mos e kenë kuptuar se heqja e imuniteteve, pa e bërë të vështirë me Kushtetutë që kryeprokurori dhe gjykatësit të jenë mbështetës të Berishës dhe qeverisë, është i mbarsur me rreziqe për hetime selektive dhe gjueti shtrigash kundër opozitës. Për më tepër, këtë rrezik potencial për Shqipërinë, e ka pohuar edhe Komisioni i Venecias. Atëherë si shpjegohet nxitja për të hequr urgjentisht imunitetet dhe shtyrja për në kalenda e reformimit të gjyqësorit që propozon “Euralius”? Ndodhia na shtyn të bëjmë një paralelizëm me një situatë të ekspozuar nga Tim Judah, në një shkrim mbi integrimin e Ballkanit, botuar këto ditë në “The Economist”. Artikulli ekspozon dyshime të forta, se Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin në Komisionin Europian ka hartuar për vite me radhë, raporte progresi të trëndafilta dhe aspak realiste për vendet në tranzicion si Shqipëria. Ka dyshime se kjo drejtori ka interes që këto vende të mbeten në rrugën e integrimit pa mbarim, për ndryshe nuk do kenë asgjë për të bërë. Mos vallë një taktikë të tillë po ndjekin edhe misione si “Euralius” me drejtësinë në Shqipëri? Mos vallë ju intereson statuskuoja e një gjyqësori pa mbarim në kërkim të pavarësisë, në mënyrë që të justifikojnë praninë e tyre sepse ndryshe nuk do kenë ç’të bëjnë? Mos kemi të bëjmë me një version modern të Penelopës që e shthur vetë pëlhurën për të mos i dhënë fund? Dhe nëse nuk është kështu, si shpjegohet që të gjithë thërrasin në favor të një pavarësie të gjyqësorit që ka mbi 20 vjet që nuk po duket gjëkundi, edhe pse në raportet vjetore rezulton se “Euralius” dhe të tjerë kanë punuar fort?!