Kryesoret Gjakmarrja, Metropolia e Shkodrës shpall dekretin e çkishërimit

Gjakmarrja, Metropolia e Shkodrës shpall dekretin e çkishërimit

458
SHPËRNDAJE

Metropolia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës shpall të martën dekretin që çkishëron të gjithë katolikët shqiptarë që kryejnë vrasje apo marrin gjak. Fenomeni i gjakmarrjes, i shtrirë më së shumti në zonat veriore të banuara nga shqiptarët katolikë, si dhe rritja e rasteve të vrasjeve për gjakmarrje, kanë sjellë reagimin ekstrem të Kishës Katolike.

Shpallja e dekretit do të bëhet gjatë pasdites, në orën 18.30 në kishën katedrale të qytetit të Shkodrës.

“Dekreti është për të gjithë ata që vrasin apo marrin gjak”, thuhet në njoftimin për shtyp, ku përmenden rastet e ndodhura së fundmi që nuk kanë kursyer as fëmijët.

Pak ditë më parë, një 49-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij në fshatin Dukagjin të qarkut të Shkodrës. Autoritetet lokale njoftuan se viktima ishte shtetasi Marash Tonaj, ndërsa shkak për vrasjen është bërë gjakmarrja.

Rastet e gjakmarrjes në këtë zonë janë shumë të shpeshta dhe janë kthyer në një fenomen shqetësues, pasi si pasojë e këtyre rasteve shumë fëmijë detyrohen të ngujohen duke mos arritur të ndjekin as shkollën.

18 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)