Kuvendi voton sot nismën e përbashkët për ndryshimin e Kushtetutës
BLEDAR HOTI
Mazhoranca dhe opozita do të votojnë sot në Kuvend për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Partia Socialiste ka dhënë dakordësinë e saj për të votuar pro heqjes së imunitetit dhe ka kërkuar që ajo të konkretizohet në seancën e sotme parlamentare. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli mblodhi fillimisht konferencën e kryetarëve, në të cilën u diskutua edhe koha dhe data e votimit për heqjen e imuniteteve. Në mbledhjen e konferencës mësohet se kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, ka kërkuar që më parë të marrë mendimin e deputetëve të PS-së dhe më pas të përcaktojë nëse duhet të përfshihet ose jo votimi për heqjen e imunitetit. “U diskutua në seancën plenare nisma e PS-së, në fakt jemi dakord për atë që të gjithë palët të diskutojnë në seancë plenare sa më shpejt të jetë e mundur. Konferenca e Kryetarëve u shpreh përgjithësisht pro mbajtjes në ditën e nesërme”, tha pas mbledhjes së konferencës, nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PD-së, Ardian Turku.
Mbledhja e grupit të PS-së
Grupi i PS-së është mbledhur nën drejtimin e Gramoz Ruçit, pasi kryesocialisti Edi Rama ndodhet në Francë. Të mbledhur në orën 13:30, Ruçi u ka bërë me dije deputetëve të tij se duhet të votojnë pro heqjes së imunitetit, e parashikuar në rendin e ditës për seancën e së martës. Qëndrimi i opozitës ka qenë i prerë, pro heqjes së imunitetit, porse zërat brenda grupit kanë qenë më tepër në lidhje me nismën tjetër, asaj për votimin e zyrtarëve dhe anëtarëve të gjykatave me një shumicë të cilësuar votash nga Kuvendi. Deputetja e PS-së, Arta Dade, ka kërkuar të dijë se çfarë fati do të ketë paketa për ndryshimet kushtetuese e propozuar nga opozita, ku dihet që PD-ja e ka rrëzuar atë në këshillin e legjislacionit. Kreu i grupit të PS-së, Ruçi, ka bërë të ditur se vullneti i opozitës ka qenë pro heqjes së imunitetit, duke lënë pezull çështjen e dytë për ndryshimet e Kushtetutës. Por mësohet se në ditën e sotme, para nisjes së seancës plenare, në orën 11:00 do të ketë një takim mes dy krerëve të grupeve më të mëdha kuvendore, Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit. Sipas burimeve, në këtë takim do të diskutohet mbi fatin e nismës së opozitës për ndryshimet e tjera kushtetuese, e cila të premten e shkuar u rrëzua me 16 vota kundër dhe 11 pro në mbledhjen e këshillit të legjislacionit, pas seancës dëgjimore të zhvilluar me grupet e interesit. Në seancën e sotme do të verifikohet nëse kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të hedhë për votim paketën e PS-së për ndryshimet kushtetuese ose jo, apo do të lihet më tepër kohë për t’u konsultuar. PD-ja ka shprehur vullnetin e saj kundër paketës së PS-së për ndryshimet kushtetuese. Vetë Euralius ka kërkuar më tepër kohë dhe ka shprehur gatishmërinë për ekspertizë në lidhje me propozimet e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës. Në seancën e 6 gushtit, Kuvendi nuk gjeti konsensus për miratimin e draftit të përbashkët për heqjen e imunitetit. Kjo, për shkak se PS-ja kërkoi që të shqyrtoheshin edhe propozimet e tjera që prekin ndryshimin e Kushtetutës. Heqja ose kufizimi i imunitetit është një nga kushtet e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat. Veç tij, kushte të tjera janë reforma parlamentare dhe ligji “Për Gjykatën e Lartë”. Deri më 20 shtator shihet si një nga mundësitë e realizimit të reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat. Raporti i KE-së për progresin e Shqipërisë pritet të publikohet më 10 tetor, deri në fund të shtatorit mazhoranca dhe opozita kanë ende kohë që të arrijnë në një pakt tjetër për dy çështjet mbetur pezull, si për reformën kuvendore apo dhe ligjin e Gjykatës së Lartë.
Ideja e referendumit
Pas datës 6 gusht, kur nuk u votua imuniteti, Berisha hodhi idenë e bërjes së referendumit me popullin për këtë çështje. Por kjo ide u venit, pasi edhe vetë aleatja kryesore e PD-së, LSI-ja, kërkonte arritjen e konsensusit në Kuvend dhe jo referendum me popullin.