Horrori në rritje i luftës civile në Siri e ka kthyer ndërhyrjen ushtarake në tryezën e diskutimeve


The Economist


Luftëtarët rebelë, ndërsa qëndrojnë të përgjumur në një ish-stacion policie, zgjohen papritur nga një rraket që bie mbi tarracën e një dhome të papërdorur. Megjithëse regjimi i Sirisë ka lëshuar kontrollin direkt mbi këtë ndërtesë, si dhe mbi pjesën dërrmuese të qytetit Idleb, një provincë rurale në veriperëndim, bombardimet dhe sulmet e tjera nga distanca janë shumë të zakonshme. Ndërsa bie nata, pas dyerve të mbyllura, një grua qëndron e ulur duke hamendësuar se cili nga fshatrat aty pranë po shkatërrohet në atë çast nga predhat e artilerisë. Fëmijët e saj ndërkohë janë duke përshkruar në detaje se si nëna e një shokut të tyre humbi gjymtyrët nga një raketë.


Me gjithë rrezikun e vazhdueshëm, fshatra të tilla ngjajnë si zona shumë të mira për sirianët që po arratisen nga Alepo, qyteti i dytë më i madh në vend dhe fushëbeteja kryesore. Qeveria dhe rebelët kanë humbur dhe fituar copa të vogla toke në mënyrë të përsëritur përgjatë një linje fronti të gjatë që kur beteja filloi korrikun e kaluar. Një ditë rebelët pushtojnë disa kazerma ushtarake; ditën tjetër regjimi pretendon se e ka rimarrë atë. Ndërkohë, nëpër rrethinat e Damaskut, trupat e djemve të rinj me duar të lidhura pas shpine po bëhen pirg. Bombardimet vijojnë nga lindja në jug së bashku me sulmet ajrore. Luftimet kanë përfshirë tashmë çdo provincë.


Ndërsa numri i të vdekurve mes civilëve rritet, pyetja nëse vendet e tjera duhet të ndërhyjnë me forca të armatosura, po bëhet kritike. Grupimet e opozitës vlerësojnë se gushti ka qenë deri më sot muaji më i përgjakshëm qëkur filloi kryengritja marsin e vitit të kaluar. Më shumë se një e pesta e të gjitha vdekjeve ndodhën gjatë këtij muaji. Rreth 25 mijë vetë kanë humbur jetën dhe mbi 250 mijë të tjerë janë larguar nga vendi. Michael Clarke, drejtor i Institutit të Bashkuar të Shërbimeve Mbretërore në Londër, beson se deri tani Europa dhe Amerika kanë shprehur dëshirën të qëndrojnë jashtë konfliktit, së paku në kuptimin e aksionit ushtarak, por kjo dëshirë po zbutet për shkak të përmasave të vuajtjeve, si dhe për shkak të kërcënimit që ky konflikt përbën për stabilitetin e brishtë të të gjithë rajonit.


“Ne nuk po lëvizim drejt ndërhyrjes ushtarake”, thotë ai. “Por ndërhyrja ushtarake po lëviz drejt nesh”.


Ka shumë arsye për përshkallëzimin e dhunës gjatë verës. Luftëtarët e opozitës tek Ushtria e Lirë e Sirisë qenë tepër të sigurt tek aftësia e vet për të sulmuar Damaskun dhe Alepon, ndërkohë që nuk i kishin mjetet për një sipërmarrje të tillë; kundërsulmet e përqendruan dhunën në vende ku ka një numër të madh civilësh. Dhe regjimi i Bashar Assad duket se nuk e konsideron të tepërt asnjë lloj veprimi e nuk ka shfaqur asnjë shenjë vetëpërmbajtjeje. Kjo është pjesërisht për shkak të dëshpërimit në rritje, por gjithashtu për shkak se më parë, nuk qe e sigurt se sa të durueshëm do të tregoheshin vendet perëndimore. Tani ky regjim i ka kaluar pak a shumë të gjitha limitet që politikanët e Perëndimit patën shpresuar se nuk do t’i kalonte. Përdorimi i armëve kimike duket se është e vetmja gjë që Perëndimi ka kërcënuar se nuk do ta tolerojë dhe që nuk ka ndodhur ende.


Treguesi më i qartë i faktit se Siria nuk shqetësohet më për të kalibruar përdorimin e dhunës është përdorimi gjithnjë e më i madh i fuqisë ajrore, fillimisht me mitraloza të instaluar në helikopter dhe tashmë me aeroplanë luftimi. Fushata ajrore e lejon regjimin të terrorizojë dhe ndëshkojë zona ku ka humbur kontrollin tokësor, si dhe për të kursyer forcat e veta tokësore, veçanërisht tanket, të cilat janë bërë të dëmtueshme nga rebelët që kanë fituar eksperiencë.


Sulmet ajrore kanë edhe avantazhin që bazohen në një pjesë të ushtrisë siriane që është pothuajse tërësisht nën kontrollin e Alavitëve, sekti i familjes Assad. Babai i Presidentit të sotëm Hafezi, drejtonte forcat ajrore para se të fillonte grushtin e shtetit që e solli në pushtet më 1970. Kjo forcë është e mirëpajisur, me ndoshta 325 aeroplanë që mund të përdoren për sulme tokësore, si dhe 33 helikopterë të armatosur. Oficerët e tyre duken më pak të prirur nga dezertimi siç ka ndodhur me forcat tokësore.


Dilema ligjore


Nëse asgjë nuk ndodh për të kufizuar përdorimin e forcave ajrore nga Assad, rebelët do ta kenë të vështirë të bëjnë përparime të mëtejshme dhe mund të bëhen gjithashtu barbarë si pasojë e zgjatjes së tepërt të luftës. Vdekjet mes civilëve do të vijojnë të rriten, së bashku me numrin e emigrantëve te vendet fqinje. Aktualisht mbi 4 mijë vetë në ditë mbërrijnë në Turqi.


Po çfarë kufizimesh mund të vendosin kundër dhunës së regjimit vendet perëndimore, si dhe vendet suni arabe që mbështesin rebelët? Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari janë mbështetës të rebelëve.


Opsionet në dispozicion përfshijnë: pajisjen e rebelëve me armë antiajrore; krijimin e një korridori humanitar nga veriu i Alepos deri në kufi me Turqinë nën mbrojtjen e forcave të huaja, një propozim ky i hedhur nga presidenti i Francës, François Hollande, dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu; krijimi i një zone të ndalimit të fluturimit mbi të gjithë vendin; si dhe ndihma më aktive për të rrëzuar regjimin. Secili prej këtyre opsioneve duket se mund të ketë pasoja të padëshiruara dhe që të gjitha tërheqin njëra-tjetrën në lojë.


Por ndoshta ato janë edhe të paligjshme. Karta e OKB-së e vitit 1945 ndalon përdorimin e dhunës kundër një vendi tjetër, për sa kohë nuk bëhet nën mbrojtje legjitime të vetes ose me autorizim nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së. Doktrina e Përgjegjësisë për të Mbrojtur (R2P), e cila u lejon shteteve të ndërhyjnë për mbrojtjen e civilëve në rast se qeveria e tyre dështon në këtë detyrë, nuk justifikon shmangien nga Karta. Këshilli i Sigurisë duhet të japë miratimin e vet.


Disa argumentojnë se në një situatë emergjence ndërkombëtare, kur Këshilli i Sigurisë është bllokuar nga veto, ose kërcënimi për vendosjen e vetos nga njëri nga anëtarët e përhershëm, (siç po bëjnë aktualisht Rusia dhe Kina), Asambleja e Përgjithshme mund të anashkalojë Këshillin e Sigurisë dhe të autorizojë përdorimin e forcës. Kjo gjë ndodhi për herë të parë më 1950 në kulm të Luftës së Koresë, kur Rusia po bllokonte ndërhyrjen ndërkombëtare. Por kjo hile, nëse ka qenë ndonjëherë e ligjshme, është sot pa shumë reputacion.


Veprimet e NATO-s në Kosovë në fund të vitit 1990 cilësohen shpesh si një shembull i përplasjes mes arsyetimit politik dhe atij moral, duke mos lënë zgjidhje tjetër veç sulmit jashtë ligjit ndërkombëtar. Por i gjithë sistemi universal i sigurisë kolektive mund të minohet në rast se një zgjidhje e tillë do të përdoret sërish dhe kaq shpejt, veçanërisht pas pushtimit shumë të dyshimtë të Irakut më 2003. Përgjegjësit për një veprim të tillë mund të jenë të ndëshkueshëm për krime lufte para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.


Në mungesë të një rezolute nga Këshilli i Sigurisë, Amerika mundet së paku të kërkojë krijimin e një koalicioni aktiv, i cili duhet të ketë mbështetjen e NATO-s dhe Lidhjes Arabe. Një nismë e tillë nuk mund të ketë objektiva politike më të larta sesa thjesht reduktimi i kapacitetit të regjimit për të përdorur dhunë kundër qytetarëve të vet, por se në deri çfarë mase kjo mund të shkojë, mbetet e paqartë.


Zgjidhja më e lehtë ndoshta është krijimi i një zone të kufizuar të ndalimit të fluturimit përreth disa rajoneve të mbrojtura, një ide që u diskutua për një periudhë të shkurtër edhe në rastin e Libisë. NATO, nëse pranon të bëhet garantues i një zone të tillë të sigurt, do të duhet të deklarojë se çdo sulm mbi zonat e sigurta do të pasohet nga një përgjigje e menjëhershme. Në këtë rast, do të shpresohet se Siria nuk do ta testojë gatishmërinë e NATO-s për të vënë në vend këtë kërcënim. Ndërkohë, krijimi i një zone të vetme të sigurt do të ketë pak efekt në një konflikt që tashmë është i përhapur gjithandej; nëse krijohet një zonë e sigurt, shpejt do të ketë kërkesa për zona të tjera. Gjenerali Martin Dempsey, kryetari i shefave të shtabit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë se krijimi i një zone humanitare mund të nënkuptojë detyrimin për ta mbrojtur atë jo vetëm nga forcat ajrore siriane, por edhe nga sulmet me raketa apo artileri, gjë që nënkupton nevojën për të sulmuar forcat tokësore siriane, si dhe aeroportet e aeroplanët e saj.


Hyrje më thellë


Nëse kërcënon me përdorimin e dhunës, kjo do të thotë të jesh i gatshëm ta bësh, gjë që nënkupton një angazhim të konsiderueshëm. Gjenerali Dempsey këmbëngul se çdo krahasim mes një zone të ndalimit të fluturimit në Libi vitin e kaluar dhe një zone të ngjashme në Siri, siç është propozimi, është i pavend. Ai thotë se mbrojtja ajrore e integruar e Sirisë është shumë herë më e aftë sesa ajo e Libisë dhe mbron zona më të vogla, duke e bërë një pengesë shumë më sfiduese.


Ndryshe nga mbrojtja antiajrore e Serbisë, e cila u mposht relativisht lehtë nga NATO gjatë fushatës së Kosovës më 1999, ato të Sirisë janë ndërtuar për t’u përballur me një kundërshtar të sofistikuar, Izraelin. Regjimi ka shpenzuar miliarda për t’i ndërtuar ato. Mbrojtja në këtë rast përfshin sisteme moderne të prodhuara në Rusi, për të cilat ekspertët perëndimorë thonë se janë shumë efikase. Aty gjendet sistemi SA-22, një sistem i lëvizshëm që ka në dispozicion raketa tokë-ajër, si dhe armë të tjera antiajrore, SA-17, raketa me rreze të mesme të afta për të goditur disa objektiva njëkohësisht, si dhe raketat me rreze të gjatë SA-5, të cilat përbëjnë kërcënim për aeroplanët e komandës dhe kontrollit, si dhe tankerat ajrore të furnizimit me karburant. Siria disponon edhe rreth 4 mijë raketa, të cilat, njësoj si ato amerikane Stingers, mund të transportohen pa pasur nevojë për automjete e mund të përdoren si armë krahu. Pra kemi të bëjmë me “sisteme të mbrojtjes ajrore të transportueshme me krahë”.


Forca të tilla nuk janë të pakapërcyeshme; siç e thotë gjenerali Dempsey, forcat e tij “janë të afta të bëjnë gjithçka”. Por ndryshe nga ndërhyrja në Libi, ku Franca dhe Britania hynë në front, ndërkohë që Amerika “udhëhoqi nga pas”, një ndërhyrje në Siri ka gjasa që do të jetë një luftë pothuajse tërësisht amerikane dhe do të kërkojë forca masive që nga fillimi.


Douglas Barrie, një ekspert i fuqisë ajrore në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike në Londër, thotë se Amerika duhet të veprojë që në fillim për të shkatërruar mbrojtjen ajrore të Sirisë për të reduktuar rrezikun për forcat e veta.


Gjenerali Dempsey pretendon se asnjë plan rezervë nuk është ndërmarrë deri më sot me përjashtim të disa punëve që njihen si “vlerësimi detajor në nivel komandues”. Por një ide se çfarë mund të jetë e nevojshme për një ndërhyrje, mund të krijohet nëse lexohet një analizë e publikuar nga Brian Haggerty një ekspert amerikan, i cili shqyrtoi situatën hipotetike të krijimit të një korridori humanitar. Haggerty beson se si fillim do të duhet të goditen rreth 450 objektiva, përfshirë më shumë se 20 pika komandimi dhe kontrolli, radarë të paralajmërimit, 150 vendndodhje të raketave SAM, 205 bunkerë për aeroplanë, 32 baza të tjera ajrore, 27 bateri raketash tokë-tokë, si dhe rreth 12 bateri raketash antianije. Një listë e tillë e gjatë nënkupton se është e nevojshme një volum pune i konsiderueshëm për t’i identifikuar objektivat. Forcat speciale perëndimore ndoshta janë sakaq në terren në Siri për të krijuar një listë të tillë, si dhe për të identifikuar vendin ku Siria mban kapacitetet e saj prodhuese dhe të magazinimit të armëve kimike e biologjike.


Ekspertët besojnë se disa dëme mund t’i jenë kryer sakaq sistemit sirian të mbrojtjes ajrore nga sulmet kibernetike. Siria është më e dobët sesa Libia ndaj taktikave të tilla, për shkak se bazohet më shumë në kompjuterë për integrim dhe kontroll. Është raportuar se kur forcat ajrore izraelite sulmuan bazën bërthamore të Sirisë më 2007 ata përdorën hile të tilla për të shkaktuar një bllokim të mbrojtjes ajrore të këtij vendi në momentin e duhur, por pretendime të tilla duhet të trajtohen me skepticizëm. Ka shumë gjasa që izraelitët dëshirojnë që pjesa tjetër e botës të mendojë se ata i disponojnë artet e errëta të luftës kibernetike, në vend që të besojnë se i kapën sirianët thjesht të përgjumur.


Haggerty kalkulon se në fazën fillestare të fushatës do të nevojiten gati 200 avionë sulmi, si dhe 100 avionë mbështetës, numra këta disa herë më të mëdhenj nga sa u nevojitën në fazën fillestare të fushatës në Libi. Përveç misioneve nga aeroplanët e sulmit, do të ketë nevojë për bombardues të rëndë, të cilët u shfaqën rrallë në Libi, si dhe do të duhet të përdoren shumë më tepër raketa inteligjente. (Forcat bombarduese ndoshta nuk do të përfshijnë avionin më të fundit të padukshëm nga radarët, F-22, i cili, pavarësisht aftësisë së kushtueshme për të shmangur radarët, nuk është shumë mirë i pajisur për sulme të tilla.) Vlerësohet se 600-700 raketa inteligjente do të nevojiten, në krahasim me 221 që u përdorën në Libi më 2011 dhe 802 që u përdorën gjatë pushtimit të Irakut më 2003.


Pas sulmit fillestar, fluturime të pandërprera do të nevojiten për shumë kohë me synimin për të gjetur dhe eliminuar raketalëshuesit e lëvizshëm të Sirisë, të cilët mund të identifikohen vetëm në rastin që i ndezin radarët e tyre apo dallohen nga forcat speciale në terren). Do të duhet gjithashtu të goditen përpjekjet e regjimit për të dërguar artileri të rrezes pranë zonës humanitare.


Në termat e logjistikës, raketat Kruiz mund të lëshohen nga nëndetëset amerikane në detin Mesdhe dhe ndoshta nga anijet në Gjirin Persik, megjithëse në rastin e dytë anijet do të jenë në limitet e rrezes së tyre të veprimit. Ka më shumë gjasa që një grup i dytë aeroplanmbajtësesh do të duhet t’i bashkëngjitet Flotës së Gjashtë Amerikane në Mesdhe. Por nëse ky grupim i dytë do të duhet të tërhiqet nga forcat që patrullojnë Gjirin Persik, ku gjendet Flota e Pestë, kjo gjë do të zvogëlojë aftësinë amerikane për t’iu përgjigjur Iranit, në rast se Izraeli sulmon kapacitetet bërthamore të këtij vendi. Nevoja për të mbajtur forca të mbajtueshme në Iran është shumë më e madhe sesa problemi i Sirisë, së paku në vlerësimin aktual të Uashingtonit.


Avionë të tjerë sulmues dhe mbështetës mund të fluturojnë nga Incirlik, një bazë e NATO-s në Turqinë e jugut, si dhe nga baza britanike në Akrotiri, në Qipro. Që të dyja bazat do të jenë brenda rrezes së veprimit të raketave Skud-B të Sirisë. Gjithsesi, në rast se Siria përdor arsenalin e vet Skud, fushata për të shkatërruar forcat e saj ajrore do të shndërrohet në një fushatë eksplicite për ndryshimin e regjimit.


Opsioni tjetër


Amerika dhe aleatët e vet mund të bëjnë gjithçka në rast se urdhri jepet, por për këtë i duhet të angazhojnë burime të konsiderueshme dhe të pranojnë disa humbje. Është gjithashtu e pashmangshme që më shumë civilë do të vdesin nga bombat e NATO-s sesa vdiqën në Libi, ku zyrtarisht pranohen 72 viktima të pafajshme. Shumë baza të mbrojtjes ajrore, veçanërisht përreth Damaskut, janë të rrethuara nga ndërtesa në të cilat civilët jetojnë dhe punojnë. Përveç civilëve sirianë, sulmet ka gjasa që do të vrasin edhe këshilltarët teknikë që Rusia, Kina dhe Irani kanë dërguar në këtë vend, duke shkaktuar edhe më shumë probleme diplomatike.


Ndërsa ushtria e Muamar Gaddaf-it u hollua dhe u detyrua të varet nga mercenarët e huaj, forcat tokësore të regjimit të Assad mbeten përgjithësisht të mirëpajisura dhe të gatshme për luftë. Se si është morali i tyre aktual dhe nëse do t’i mbijetojë një sulmi ndaj sistemit të mbrojtjes ajrore, kjo mbetet për t’u parë; por ka shumë gjasa që ushtarët që kanë dëshirë të dezertojnë e kanë bërë sakaq dhe ata që kanë mbetur, mund të jenë të gatshëm për luftë.


Haggerty është i qartë dhe thotë se imponimi i një zone të ndalimit të fluturimeve do të kërkojnë edhe sulmimin e forcave tokësore. “Ideja se gjithçka mund të mbyllet me operacione të kufizuara mbrojtëse është thjesht një dëshirë”, thotë ai. “Shpejt NATO mund të bëhet forca ajrore për njërën anë të një lufte civile me objektiv të qartë për ndryshimin e regjimit”.


Pa një udhëheqësi të qartë mes forcave rebele, një luftë e tillë mund të kthehet në një kasaphanë dhe Perëndimi mund të përndiqet nga ideja se mbështet milici të të gjitha llojeve. Fakti që shkatërrimi i fuqisë ajrore të Sirisë përbën njëkohësisht edhe një dhuratë për Izraelin, mund të krijojë dyshime mbi objektivat e vërtetë të Perëndimit.


Duke parë këto vështirësi, është shumë joshëse të dalim në përfundimin se opsioni më pak i keq, mund të mos sjellë asgjë të mirë. Në anën tjetër, a mundet që Perëndimi të vijojë të rrijë mënjanë ndërkohë që civilët vriten me një ritëm të përshpejtuar, ndërsa një rajon i tërë strategjik rrezikohet nga kaosi? Me të vërtetë asnjë zgjidhje nuk është e lehtë.