Opozita


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes rrjetit social “Twitter” akuzoi Berishën se jetonte jashtë realitetit ekonomik të vendit. Pavarësisht se Rama ndodhet në Bruksel, ku ka filluar një vizitë dyditore, ai përdori internetin për t’iu kundërpërgjigjur akuzave që Berisha i bëri nga mbledhja e grupit demokrat. “Reagimi i sotëm i Kryeministrit ndaj opozitës mbi ekonominë, ndihmon për të kuptuar se Saliu jeton jashtë realitetit të ekonomisë shqiptare. Sulmet ndaj opozitës nuk i ulin taksat, nuk rrisin fuqinë blerëse, nuk ulin papunësisë. Ato tregojnë shterimin e argumenteve të Kryeministrit në ikje”, deklaroi Rama pasditen e djeshme. Ai theksoi gjithashtu se e vetmja zgjidhje për ekonominë shqiptare ishte programi i hartuar nga specialistët e PS-së. “Ne do të ulim taksat për 95% të shqiptarëve dhe do të heqim taksën e korrupsionit për biznesin. Do të çlirojmë konkurrencën dhe rrisim punësimin, taksën e korrupsionit dhe rënien e fuqisë blerëse. Politika e tij po falimenton ekonominë. Zgjidhja është e qartë: rrënim i mëtejshëm ose rilindje shqiptare për të rimëkëmbur ekonominë, ripërtërirë shoqërinë, rivendosur demokracinë”, deklaroi Rama. Kreu i PS-së mori pjesë në një takim të mbajtur nga Forumi i Gruas Socialiste me gra dhe vajza të rrethit të Tiranës. Rama theksoi se PS-ja do të ndiqte një politikë sociale për femrat në të gjithë vendin. “Ne nuk mund të pranojmë që në territorin e Shqipërisë të ketë vajza të cilave nuk u lejohet të shkojnë dhe të vazhdojnë nivelet më të larta të shkollës, sepse janë vajza. Ashtu sikundër ne nuk mund të pranojmë që në cilëndo pjesë të territorit të Shqipërisë të ketë nëna të cilat mos të përfitojnë nga barrëlindja, sepse janë të papuna dhe duhet në të njëjtën kohë të kujdesen për fëmijën në bark dhe, nga ana tjetër, të bëjnë punë të rënda për të mbajtur familjen me bukë. Këto janë të papranueshme dhe ne këto do t’i ndryshojmë”, premtoi Rama.