Manovrat
Flota amerikane dhe aleatët kryejnë stërvitje masive pranë brigjeve të Iranit
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet filluan një seri stërvitjesh detare në Gjirin Persik, të cilat synojnë të tregojnë vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të mbajtur të hapur korridorin detar të naftës, ndërkohë që Izraeli dhe Irani kërcënojnë njëra-tjetrën me luftë.
Operacioni i njohur si IMCMEX-12 përqendrohet në zhvillimin e aftësisë për të pastruar minat apo për të eliminuar grupe guerile, të cilat Irani mund t’i hedhë në veprim në rast lufte. Irani ka kërcënuar se mund të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, e cila ndan këtë vend me gadishullin arabik. Në stërvitje pritet të marrin pjesë rreth 30 anije. Disa ditë më parë, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi në SHBA se Teherani është vetëm disa muaj larg ndërtimit të bombës atomike. Izraeli po synon të bëjë presion mbi Obamën, ndërsa ky i fundit përpiqet për t’u rizgjedhur President.
Stërvitjet duket se janë dizajnuar në mënyrë të tillë që të përbëjnë një demonstrim force. “Kjo stërvitje është për minat dhe përpjekjet ndërkombëtare për t’i pastruar ato”, deklaroi zëvendësadmirali John Miller. Në stërvitje marrin pjesë fuqitë detare europiane, Britania dhe Franca, si dhe disa vende të Lindjes së Mesme.
Forcat amerikane në Gjirin Persik, aktualisht përfshijnë dy aeroplanmbajtëse që qëndrojnë në mënyrë permanente në zonë, por këto të fundit nuk do të marrin pjesë në stërvitje. Disa dhjetëra anije të tjera janë në lundrim ose në bazat amerikane në zonë.
Irani ka deklaruar nga ana e vet se do të zhvillojë stërvitje kundërajrore muajin e ardhshëm duke treguar aftësinë e vet për të mbrojtur fabrikat e industrisë bërthamore.
Në llogaritë amerikane, Irani mund të sulmojë anijet civile që qarkullojnë në gji me anë të varkave të vogla, ndoshta me pilotë vetëvrasës në rast se shpërthen lufta dhe një pjesë e stërvitjes do të përqendrohet mbi mënyrat e kundërveprimit në raste të tilla.
Bota Perëndimore po mbërrin pranë pikës kur bisedimet mund të bëhen të pavlefshme me Iranin dhe lufta mund të bëhet një opsion i pashmangshëm. Në Ngushticën e Hormuzit kalon një pjesë e rëndësishme e furnizimit të botës me naftë dhe ndërprerja, qoftë edhe e përkohshme e trafikut, mund të sjellë rritje stratosferike çmimesh. Bota konsumon aktualisht rreth 100 milionë fuçi naftë në ditë dhe 17 milionë kalojnë në këtë ngushticë.