Ndërsa pritet që prokuroria t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit për gjyqtarin Neritan Tabaku, në funksion të hetimeve të çelura për vonesën e zbardhjes së vendimit ndaj Ilir Xhakjes, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur verifikimet për mënyrën si ka ndërhyre policia gjatë aksionit në të cilin mbeti i vrarë kryekomisar Adem Tahiraj.


Nga këto verifikime pritet të hidhet dritë mbi shumë pikëpyetje mes të cilave do të sqarohen rrethanat e ngjarjes se rëndë të 13 shtatorit, përse asnjë nga efektivët e policisë që shoqëronte kryekomisarin nuk reagoi në momentin që u qëllua me armë zjarri. Jo vetëm kaq. Por do të shikohet skema se si kanë ndërhyrë në atë që u deklarua si kontroll rutinë efektivët, a u ndoq e njëjta procedurë apo jo gjatë kontrollit të automjeteve pa targa, si dhe a lejohej që gjatë një kontrolli të tillë rutinë të merrte pjesë edhe një efektiv policie që dyshohet se ishte në konflikt personal me autorin e krimit të rëndë. Një person kyç që mund të japë një version të ngjarjes është nipi i Ilir Xhakjas, 17-vjeçari Ledian Krasnajt, i cili prej ditësh rezulton në kërkim.


18 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)