Agim Llupo

Agim Llupo


Ndërsa vijojnë dëshmitë e gardistëve për ngjarjet e 21 janarit, ku katër persona u vranë gjatë protestave të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i vetmi i pandehur që ndodhet në burg, Agim Llupo kërkon lirinë.


Kërkesa u depozitua gjatë seancës së sotme nga avokati mbrojtës i Llupos, Besnik Çerepja, i cili kërkoi përpara trupës gjyqësore revokimin e masës së sigurisë për klientin e tij. Kjo kërkesë është argumentuar nga mbrojtja pikërisht me provën kryesore të gjykimit, atë të armës që sipas prokurorisë posedohej nga Llupo dhe ka vrarë shtetasin Ziver Veizi.


Sipas avokatit, gjatë dy dëshmive të dhëna gjatë procesit, mes të cilave ajo e shefit të armatimit, është theksuar se armët e Gardës së Republikës, që kur janë dhuruar në vitin 2007, nuk kanë qenë kurrë të pajisura me numër identifikimi. Po sipas avokatit mbrojtës, gjatë tërheqjes së armëve nuk identifikohet se kush është efektivi që ka marrë armën me të cilën është qëlluar viktima. Duke pretenduar se nuk ka prova bindëse që vërtetojnë se Llupo është autori i vrasjes, avokati kërkoi lirimin e klientit të tij. Gjykata do të shprehet në seancën e radhës për këtë kërkesë, ndërkohë sot prokuroria tentoi t’i bënte pyetjet e radhës ish-shefit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, por i pandehuri kërkoi që përfaqësuesit e organit të akuzës t’i përgatisnin pyetjet me shkrim, kërkesë e cila iu pranua. Ish-shefi i Gardës pohoi se ka dhënë përgjigje dhe shpjegime mbi detyrat e gardës, jo vetëm për 21 janarin, por edhe para dhe pas kësaj date.


Akuza zyrtare ndaj Prendit është ajo veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. Ndërsa për gardistin Agim Llupon, rëndon akuza e “vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave”, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode. Ndërsa për shoferin Margarit Kume rëndon akuza e “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.


19 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)