Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar sot nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami të japë dorëheqjen dhe drejtësia të hetojë aktivitetin e tij në krye të këtij dikasteri.
Kërkesa është artikuluar gjatë një proteste të zhvilluar përpara Ministrisë së Mbrojtjes, në kuadër të fushatës së nisur prej kësaj force politike “Fytyra e Krimit”.
AK ka renditur disa nga shkeljet e ministrit Imami, duke nisur nga tenderi sipas saj abuziv dhe klientelist i uniformave të ushtrisë dhe helikopterëve, blerja e pajisjeve përgjuese në kundërshtim me ligjin dy ditë përpara 21 janarit, privatizimi i objekteve ushtarake pa transparencë, pengimi i hetimit parlamentar dhe emërimet në krye të institucioneve të ushtrisë dhe sigurisë.
“Emërimi i ish-shefit të Shërbimit Sekret Ushtarak, Ylli Zyla, i implikuar ne aferat korruptive të tregtisë së armëve, në krye të Policisë Ushtarake, tregon edhe një here se besnikëria ndaj pushtetit aktual dhe jo ndaj atdheut shpërblehet dhe vlerësohet në Ushtrinë Shqiptare”, u shprehën përfaqësuesit e AK-së.
19 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)