Takimi 


Zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, takoi dje kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, Ogtay Asadov. Projekti i gazsjellësit TAP ishte një ndër pikat kryesore që u trajtua në këtë takim. Qeveria shqiptare, në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur projektin e gazsjellësit TAP, i cili është konsideruar si një projekt shumë i rëndësishëm për rajonin e Europës Juglindore (pjesë e Korridorit Jugor Energjetik të Europës), që do të diversifikojë burimet e furnizimit me gaz të Shqipërisë. Shqipëria mbetet e hapur që, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme të gazifikimit në vend të mirëpresë investitorët nga Azerbajxhani që kanë një ekspertizë të madhe në këtë drejtim. “Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri”, tha ministri, i cili theksoi nevojën për të eksploruar më tej mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve.