Kryeministri, i ftuar nga Internacionalja Demokristiane më 21 shtator
BLEDAR HOTI
Kryeministri italian, Mario Monti, do të organizojë një mëngjes kortezie për të gjithë kryeministrat pjesëmarrës në CDI. Njoftimi zyrtar i qeverisë italiane nuk konfirmon nëse Monti do të ketë një takim të posaçëm me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. “Pas këtij mëngjesi pune, do të ketë takime pune në Pallatin Kixhi me Kryeministrin e Greqisë, Spanjës dhe atë të Irlandës”, thuhet në njoftimin e qeverisë italiane.
Pakti detar
Vizita e Berishës në Itali konfirmohet dhe nga zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli. Ndërkohë që është e pakonfirmuar nëse do të ketë një takim “tetë a tetë” mes dy kryeministrave të vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë. Midis dy vendeve ka pasur një ftohje të marrëdhënieve. Shkak për këtë është bërë rrëzimi i paktit detar nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i 15 prillit të vitit 2010 i kësaj gjykate ka sjellë automatikisht dhe ftohjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo konstatohet dhe në faktin se Athina zyrtare, me anë të një note diplomatike thekson se nuk njeh asnjë marrëveshje tjetër kufitare veç asaj të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Ky fakt u bë prezent nga kryediplomati shqiptar, Edmond Panariti, në raportimin e bërë disa javë më parë në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme. Në raportin e paraqitur nga Panariti jepeshin tre skenarë për zgjidhjen e situatës. Skenari i tretë është cilësuar si më ekstremi nga Ministria e Jashtme, ai i acarimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje. “Skenari më ekstrem do të ishte vështirësimi i menjëhershëm i marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, me implikime shumë negative, si në marrëdhëniet dypalëshe, ashtu dhe në proceset integruese të Shqipërisë dhe në disa negociata ndërkombëtare (KiE, OSBE etj.). Me rrethanat e tanishme, ky skenar nuk ka gjasa të ndodhë. Në takimin e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, zoti Meta me ministrin Plotësues të Jashtëm grek, zotin Droutsas, ky i fundit ka dhënë mesazhe pozitive dhe miqësore, por pala greke pret që pala jonë të marrë nismën për të zhbllokuar situatën”, thuhet në raportin e MPJ-së. Ministria jonë e Jashtme jep tri opsione për zgjidhjen e çështjes së paktit detar, por ajo thekson se rinegocimi i marrëveshjes është diçka e zbehtë. Opsionet janë: rinegocimi, gjykimi ndërkombëtar ose arbitrazhi. “Nëse dy palët shprehen dakord, pala jonë është e detyruar të hyjë në bisedime me një projekt, i cili mban parasysh të gjitha përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, do të duhet të ngrihet një grupe pune ndërinstitucional, i pajisur me plotfuqinë e kryetarit të shtetit për negocim, për ndjekjen e procedurave të brendshme të miratimit në përputhje me ligjin për traktatet dhe marrëveshjet, nënshkrimin, si dhe hyrjen në fuqi të saj. Mundësia për rinegocim duket shumë e zbehtë. Pala greke është shprehur zyrtarisht se ‘ka negociuar marrëveshjen në besim të mirë’ dhe se ka vendosur të ‘respektojë atë që është rënë dakord midis palëve’ (nota verbale e datës 25 shkurt 2010 e ambasadës greke në Tiranë) ‘Greece intends to honor the Agreement’”.
Pesëshja
Në Romë, në takimin e CDI-së janë ftuar Kryeministri i Greqisë, ai i Irlandës, Kryeministri i Hungarisë, Kryeministri i Spanjës dhe Kryeministri i Shqipërisë
Monti
Kryeministri italian, Mario Monti, i cili është i ftuar, do të takohet me tre kryeministra, ndërkohë që ka shmangur takimin me homologët Viktor Orban dhe Sali Berisha
Fule: Reformoni Kuvendin
Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë, Stefan Fule, u takua dje në Bruksel me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, për të diskutuar zhvillimet e fundit lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë. Ai deklaroi se Shqipëria ka një perspektivë reale për progres drejt rrugës së saj europiane, në rast se do të ketë rezultate konkrete në adresimin e 12 prioriteteve kyçe të opinionit të Komisionit Europian. “Këtu përfshihet kryesisht aprovimi i Ligjit për Gjykatën e Lartë dhe përmbyllja e reformës parlamentare. Po aq e rëndësishme është edhe reforma e sistemit të imuniteteve”, theksoi komisioneri.

