Dalipi: Do të kontrollohet çdo qindarkë. Të gjithë ministrat në komision
Fatjona Mejdini
“Kush ka abuzuar me çdo qindarkë të qytetarëve do të përgjigjet deri më një. Ne, jo vetëm që nuk do ta lëmë, por aktualisht kemi të bëjmë vetëm me majën e ajsbergut. Gjithçka do të analizohet deri në detaje”. Deputeti i opozitës, Alfred Dalipi, anëtar i Komisionit Parlamentar të Medias, deklaroi dje se reklama shtetërore do të kthehet në një çështje jo thjesht deklarative, por do të hetohet në imtësi. Dalipi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Median, deklaroi në një prononcim për “Shqip” se do t’i kërkojnë Ministrisë së Financave një raport të hollësishëm për shpenzimet në kuadër të reklamës qeveritare. “Socialistët në Komisionin e Medias do t’i kërkojnë në mbledhje një raport zyrtar Ministrisë së Financave, në lidhje me praktikat që janë ndjekur nga ministritë për akordimin e fondeve publike për reklamën qeveritare. Ne do të kërkojmë nga kjo ministri të shpjegojë procedurën e prokurimit publik që këto ministri kanë ndjekur, teksa kanë përzgjedhur kompaninë, e cila prodhon reklamat e tyre”, deklaroi Dalipi, duke theksuar se është shumë shqetësues fakti që dikasteret i japin vetëm një firme të drejtën për kryerjen e reklamave. Sipas deputetit socialist, ky raport dhe të dhënat që pritet të merren prej tij do të shërbejnë si një bazë që do t’i mundësojë ligjvënësve thirrjen e ministrave në komisionin parlamentar që mbulon veprimtarinë e mediave. “Ky raport kërkohet mbi bazën e nevojës që kemi për të dëgjuar ministrat në komisionin, në lidhje me kriteret që ata kanë ndjekur për të prodhuar dhe shpërndarë reklamën qeveritare”, theksoi Dalipi. Sipas tij, PS ka qenë konstante në denoncimin e politikës klienteliste të ndjekur nga qeveria në shtatë vite, lidhur me politikën e mbështetjes së medias pro qeveritare me fonde publike. “Kjo filozofi ka qenë në themel të konceptit që kjo mazhorancë ka pasur për të penguar institucionalizimin e një autoriteti që do të kryente procesin e monitorimit të audiencës, si bazë për shpërndarjen e reklamës qeveritare”, thekson deputeti socialist. Nga ana tjetër, të kontaktuar në lidhje me këtë çështje, dy deputetët demokratë të Komisionit Parlamentar të Medias, Mark Marku dhe Fatbardh Kadilli, deklaruan se nuk kishin ende dijeni për denoncimet e socialistëve për këtë çështje. Pavarësisht kësaj, mbrojtja që do të bëjnë demokratët për këto akuza pritet të zbulohet sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Medias. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, ka publikuar dy ditë më parë disa dokumente, ku bëhen të ditura shifrat marramendëse të lëshuara ndër vite për reklamën qeveritare, të cilat në total shkojnë deri në 4.8 milionë dollarë amerikanë për 6 vitet e qeverisjes së PD-së. “Këto janë shpenzimet marramendëse, mbi 4 milionë euro, për të propaganduar qeverisjen e saj. Pra, Sali Berisha shpenzon miliona dollarë për të reklamuar veten. Ajo që bie në sy është një kompani e pranishme në të gjithë këto vite, quhet ‘Promo sh.p.k’. Nuk bëhet fjalë për reklama informuese, por për propagandë të pastër politike dhe e shitur te klientela e drejtpërdrejtë mediatike e Kryeministrit”, deklaroi Shalsi për këtë fenomen.
Pra, nga njëra anë kemi dhjetëra, qindra, miliona euro të shpenzuara në reklama dhe, nga ana tjetër, janë të njohura kushtet e vështira të punës, pagat e ulëta të punonjësve të Policisë së Shtetit. Është një tjetër fakt i njohur, mospagesa e orëve të punës shtesë për qindra punonjës të policisë, mungesa e karburantit për makinat e policisë dhe gjithkush sjell në vëmendje pamjet e shëmtuara, ku policët ishin të detyruar që të shtynin makinat. Pse? Se nuk kishin naftë, për të vazhduar me mungesën e pranuar tashmë të logjistikës adekuate. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë së Sali Berishës, të cilën shqiptarët e dinë, por që ne do t’ua bëjmë edhe më të kuptueshme dhe më të qartë përditë”, theksoi Shalsi. Në dokumentet e ofruara nga PS-ja, nga vetë Shalsi rezulton se janë tri kompani që kanë përfituar fonde reklamash, këto janë “Promo sh.p.k”, “Panorama sh.p.k” dhe “Standard sh.p.k”. Këto fonde janë dhënë gjatë vitit 2009, në vlerën e rreth 710 milionë dollarëve amerikanë.
Denoncimi i dytë
Shalsi: Ministria e Mbrojtjes, harxhoi 2.5 milionë USD reklama
Partia Socialiste vijoi dje të bëjë publike shifrat e larta të harxhuara nga qeveria shqiptare në kuadër të promocionit dhe reklamimit të punës së ministrive. Në deklaratën e radhës për mediat, Eduard Shalsi theksoi se ministria, e cila deklaron se nuk ka mjete për të shuar zjarret në vend, i ka lejuar vetes të shpenzoj 2.5 milionë dollarë në pesë vite. Sipas Shalsit, pjesa dërrmuese e këtyre parave kanë shkuar për kompaninë ‘Promo sh.p.k’, në pronësi të shtetasit Eduard Frangaj dhe pastaj janë transmetuar në televizionet e afërta me pushtetin. “Ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar 300 mijë dollarë për një koncert. Ja dhe shifrat e shpenzuara ndër vite nga kjo ministri: 2007 – 235 000 dollarë; 2008 – 115 000 dollarë; 2009 – 385 000 dollarë; 2010 – 30 000 dollarë; 2011 – 700 000 dollarë dhe 2012 – 700 000 dollarë. Si shpjegohet që të gjithë këto mijëra dollarë shkojnë vit pas viti te një dhe vetëm një agjenci prodhimi e më pas tek një televizion? Që janë brenda së njëjtës familje”, theksoi Shalsi, i cili njoftoi gjithashtu se të tjera të dhëna do të publikoheshin së shpejti.