Bode shkel ligjin, jep 10 milionë lekë pa tender

Parkingu

Kreu i Financave, kontrata të dyshimta. Jep para kur puna është mbyllur

Duket se as ministri i Financave nuk po pyet shumë për zbatimin e ligjeve, tashmë në fund të mandatit të dytë të tij si shefi absolut i buxhetit. Më shqetësues është fakti se ministria tashmë po i shkel hapur, duke sfiduar edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. E ndërsa manovrat për të përfituar luhen për vlera të larta, faktet e fundit tregojnë se “babëzia” nuk kursen as paratë e mbetura në buxhet.

Pas shpenzimeve të luksit për zyra dhe salla moderne konferencash, Ministria e Financave planifikoi të rregullonte edhe parkingun, përfshi edhe rindërtimin e një objekti pranë oborrit të ministrisë (dyshohet se janë pa leje ndërtimi).

Për këtë qëllim, ministria, më datë 31 maj, zhvilloi tenderin me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit të Ministrisë së Financave” (ndërtim vendparkimi). Më 28 qershor, ministria lidh kontratë me fituesin, për një vlerë prej 80 milionë lekësh (të vjetra, me TVSH).

Punimet nisin me ritëm të shpejtë. E ndërsa brenda në godinë punohej për zyrat e reja të ministrit dhe stafit të tij të ngushtë, përfshi edhe sallën e konferencave, me vlerë totale prej gati 400 milionë lekësh, ndërtohej edhe parkingu, i cili konsistonte në asfaltimin e terrenit, vendosjen e shtyllave elektrike dhe ngritjen e objektit.

Kur punimet ishin gati në mbyllje, Ministria e Financave ndërmerr veprimin e dyshimtë. Përmes faqes zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, dikasteri i Ridvan Bodes njofton, se më datë 3 shtator kishte lidhur një kontratë, me të njëjtën shoqëri dhe për të njëjtin qëllim (parkingun), me vlerë 10 milionë lekë. Kjo kontratë ishte lidhur sipas procedurës së prokurimit “Me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”, e thënë ndryshe pa tender.

Pra, ministria shkel ligjin e prokurimeve, pasi të bësh punime pa tender, do të thotë se institucioni është gjendur në situatë emergjente dhe se këto punime i kryen vetëm një subjekt i caktuar. Edhe pse firma ka marrë pas mbylljes së punimeve edhe 10 milionë lekë, në mënyrë të habitshme Financat e kanë kryer këtë pagesë duke ndjekur procedurën e “negocimit”. Po sipas ligjit, për shkak të situatave të paparashikuara, firma ka të drejtë të marrë shtesë deri në 20 për qind të fondit, por ministria me procedurën e ndjekur e mohon krijimin e kësaj situate, pasi në të kundërt thjesht do të vendoste për shtesë kontrate dhe çdo veprim konsiderohet i rregullt.

Këto manovra me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ministri i Financave i ka bërë 4 ditë pas hyrjes në fuqi të bllokimit të shpenzimeve për administratën për shkak të mungesës së parave në arkën e shtetit.

A.Kola

Autor te 19 Shtator 2012. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry