Debati në Parlament


Rasti “Xhakja”, Ruçi: Berisha deri dje, ju e përdorët për të mbushur shportën elektorale


Diskutimi për nismën e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës ka rikthyer në seancën e Parlamentit çështjen “Xhakja” dhe vrasjen e kryepolicit të Shijakut, Adem Tahiraj. Kryeministri Sali Berisha, nga foltorja e Parlamentit, akuzoi ish-presidentin Topi dhe ish-kreun e KLD-së, Kreshnik Spahiu për lirimin e Xhakes nga drejtësia dhe për vrasjen e gjyqtarit Konomi. Sipas Berishës, gjykatësi i Ilir Xhakes (njeriu që vrau kryekomisarin e Shijakut), ishte thirrur në KLD për ta liruar. Pas qëndrimit të Kryeministrit ka replikuar dhe kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Ai akuzoi mazhorancën për lidhje me Xhaken, duke e përdorur për votat në zgjedhjet parlamentare. “Ilir Xhaken, që deri dje e përdorje për të mbushur shportën elektorale, sot mundohesh t’ia faturosh opozitës. Më kot mundohesh. Ai guxoi, ngriti dorë në mes të ditës ndaj uniformës së shtetit, sepse ju e mbrojtët”, tha Ruçi. Ndërsa deputeti i PD-së, Edi Paloka, në fjalën e tij u shpreh se “i kërkoj zotit Ruçi që gjithë ato pyetje që i bëri ai këtu zotit Berisha, sot duhet t’ia drejtojë të gjitha Ina Ramës. Nuk janë për qeverinë, por Ina Ramës që sot ju e mbroni ende”. “Barrë të rëndë ke marrë mbi shpatulla more djalë! Përse ta pyes Ina Ramën, se dora vrastare e kryepolicit i mbushi kutinë partisë tënde dhe terrorizoi një zonë të tërë në Shijak për kandidatin tënd. Përse ta pyes Ina Ramën që në dhjetëditëshin e fushatës së 2009-s i dha leje nga burgu?! Apo ishte ministri yt, që terrorizoi gjithë zonën e mbushi kutinë për një mandat më shumë në Durrës? Këto janë përgjigje që nuk mund t’i japësh ti, se nuk ke shpatulla, është shefi yt, është politika jote deri në sistemin e drejtësisë”, tha Ruçi. Ndërsa deputeti i Qarkut të Durrësit, socialisti Gazmir Bizhga, në diskutimet jashtë rendit të ditës u shpreh se “ajo që ndodhi para pak ditësh, kur u vra në krye të detyrës një kryekomisar nuk është e rastësishme. Ashtu siç nuk është e rastësishme dalja nga burgu e një vrasësi serial të dënuar me 21 vite burg. Të gjithë e dinë dhe e pëshpërisin rrugëve të Durrësit të vërtetën, por askush nuk guxon ta thotë”. “Vrasësi i kryekomisarit ishte i denoncuar disa herë nga opozita dhe media e pavarur, si një njeri të cilin atë dhe grupin e tij e kishin përdorur kandidatët e PD-së për të siguruar mbështetje në vitin 2005 e në vitin 2007. E kishin liruar ‘me leje’ në vitin 2009, vetëm për zgjedhje dhe më pas e liruan edhe për fare. Shqiptarët duan të dinë sot nga ju Kryeministër, se cili është ai politikan i lartë, ministër, që vuri në lëvizje të gjithë drejtësinë, për t’i dhënë pafajësinë këtij vrasësi, në këmbim të shërbimeve që mori në zgjedhjet parlamentare PD e jo të derdhë lot krokodili sa për sy e faqe.


Drejtësia le të zbardhë vetëm tabulatet telefonike dhe do ta gjejë pa vështirësi këtë të vërtetë për vete dhe për shqiptarët”, tha Bizhga.