Champions starton me spektakël, PSG bën poker, Milani vuan për një barazim 0-0
Real Madrid-Mançester Siti, e konsideruar si superndeshja e natës së parë të Champions League, mbyllet me një fitore të çmendur të madrilenëve 3-2, por edhe shumë spektakël. Ishte një sfidë brenda sfidës, sepse përballeshin dy skuadra plot yje si Reali dhe Siti, pjesëmarrëse në një grup të mrekullueshëm dhe shumë të vështirë, i quajtur “Grupi i Ferrit” (me Ajaksin e Borusia Dortmund). Përballeshin dy trajnerë të mëdhenj si Zhoze Murinjo dhe Roberto Mançini, dy zotërinj të futbollit, të cilët nuk e kanë pëlqyer kurrë njëri-tjetrin dhe nuk kanë hequr kurrë dorë nga të thënit e asaj që mendojnë, siç ndodhi në deklaratat e pragndeshjes. Skuadrat zbritën në fushë me shumë ndryshime befasuese. Befasues ishte Murinjo, i cili la jashtë Luka Modriç, Benzema e Serxho Ramos, ndërsa në radhët e Sitit nuk u aktivizua titullar Mario Baloteli. Pjesa e parë mes këtyre dy skuadrave në “Bernabeu” u mbyll në barazim, pa gola. Dominimi i lojës ka qenë i gjithi në favorin e të zotëve të shtëpisë, që i kanë shkuar disa herë pranë golit. Ndërkohë që anglezët e Mançinit kanë menduar vetëm të mbrohen. Që në momentet e para, miqtë i kanë shpëtuar disa pritje të mrekullueshme të Hart, në minutën e 8 dhe 11, gjithnjë nga gjuajtje të Ronaldos. Pas disa minutash provoi edhe Higuain, por është ende aty i pakalueshëm portieri i kombëtares angleze. Rasti më i mirë ka qenë sërish në këmbët e sulmuesit argjentinas të madrilenëve, kur po përfundonte pjesa e parë, por shënjestra e tij është thjesht për të ardhur keq. Ndërkohë të vetmet rrezikshmëri u krijuan nga dy inkursione të bukura të Jaja Ture, të cilat nuk u shfrytëzuan si duhet nga sulmuesit e Siti, David Silva dhe Nasri. Pjesa e dytë është thuajse si e para, por me të vetmin ndryshim: Siti shikon më shumë nga porta madrilene. Reali krijon një volum të madh loje dhe raste me Marselon, i cili provon të ndëshkojë me gjuajtje nga jashtë zonës në minutat 60 dhe 65. Por në të 69-n, një Jaja Ture i jashtëzakonshëm ndërmerr një kundërsulm të shpejtë dhe jep një asist vertikal për Xhekom që mposht Kasijasin, duke bërë të heshtë “Bernabeun”. Siti i afrohet sërish golit me Ture, por në minutën e 76-të vjen reagimi i Realit me anë të Marselos, i cili, me një gjuajtje nga jashtë zonës, mposht më në fund portierin Hart. Në minutat e mbetura ndeshja është plot emocione. Zabaleta ka në këmbë rastin më të mirë për të rikthyer Sitin në avantazh, por gabon nga shumë pranë. Por goli i dytë i anglezëve vjen në minutën e 85-të falë një goditjeje dënimi, që përplaset në zonë, e padevijuar nga askush dhe përfundon në rrjetën e Kasijasit. Një minutë më vonë Benzema rikthen baraspeshën për Realin me golin e 2-2. Minutat e fundit të takimit janë përpjekje pafund të Realit, por kur kronometri numëronte sekondat e fundit të minutës së 90, Ronaldo vulos fitoren shumë të mundimshme 3-2 të Realit ndaj Sitit. Ndeshja tjetër e këtij grupi, Borusia Dortmund-Ajaks përfundoi 1-0 në favor të gjermanëve me gol të Levandovskit. Në grupin A, PSG e Ibrahimoviç fillon fuqishëm me një fitore 4-1 ndaj Dinamos së Kievit. Ndërsa Porto merr një fitore 2-0 në transfertën ndaj Dinamos së Zagrebit. Fitore në transfertë edhe në grupin B për Arsenalin dhe Shalke, që mundin të dyja 2-1 kundërshtarët përkatës, Montpelie dhe Olimpiakos. Në grupin C Milani ka vuajtur shumë për të marrë vetëm një barazim 0-0 me Anderlehtim. Malaga shokon Zenitin, me fitoren 3-0 në shtëpi.
Champions League
DJE
Grupi A
Dinamo Zagreb-Porto 0-2
Gonzalez 41’, Defur 90’
PSG-Dinamo e Kievit 4-1
Ibrahimoviç (11-m) 19′, T. Silva 30’, Aleks 32’, Pastore 90’ / Velozo 87’
Grupi B
Montpelier-Arsenal 1-2
Belhanda (11-m) 9′ / Podolski 16’, Gervinjo 18’
Olimpiakos-Shalke 1-2
Abdoun 58′ / Hëvedes 41’, Huntelaar 59′
Grupi C
Milan-Anderleht 0-0
Malaga-Zenit 3-0
Isko 3’, 76’, Saviola 13’
Grupi D
Borusia D.-Ajaks 1-0
Levandovski 87’
Real Madrid-Mançester S. 3-2
Marselo 76’, Benzema 86’, Ronaldo 90’ / Xheko 69’, Kolarov 85’
SOT
Grupi E
20:45 Çelsi-Juventus
20:45 Shakhtar D.-Nordsjaelland
Grupi F
20:45 Bajern Mynih-Valencia
20:45 Lilë-BATE Borisov
Grupi G
20:45 Barcelona-Spartak i Moskës
20:45 Sëlltik-Benfika
Grupi H
20:45 Braga-CFR Kluzh
20:45 Mançester J.-Galatasarai