ALTIN KREKA


“Shqiptarët, si shumë popuj të tjerë, i pëlqejnë konspiracionet. Por konspiracioni më i madh është heshtja”, deklaronte ish-ambasadori John Withers II në një intervistë dhënë në emisionin “Top Story”. Kjo është më se e vërtetë dhe në histori ka shumë shembuj kur heshtja ka shtrembëruar demokracinë, ka thelluar shkeljen e të drejtave të njeriut, ka nxitur autokracinë. Heshtja është po aq e rrezikshme sa edhe dhuna. Ata që heshtin, mbajnë mbi supe përgjegjësinë se përse nuk reaguan kur dikush u dhunua, iu shkelën të drejtat dhe u nëpërkëmb.


Të flasësh, të ngresh zërin e arsyes kundër kur shkelen të drejtat e tua është shumë e rëndësishme. Është një nga shtyllat e demokracisë, e drejta e fjalës dhe e mendimit. Nëse do mendonim, por nuk do flisnim është njësoj si të pranosh të keqen dhe të bësh kompromis me të. Ka shumë shembuj në histori që me të drejtën e fjalës dhe duke folur kanë ndodhur revolucione. Martin Luther King, Mandela, Rugova e shumë të tjerë. Ata nuk kishin armë e ushtri përballë së keqes, por vetëm fjalën dhe ajo u bë arma më e fortë e rezistencës.


Jo të gjithë mund të jemi si ata që kanë bërë historinë dhe revolucionet e mëdha, por mundemi të bëjmë më të mirën aty ku jetojmë. Duhet të flasim hapur për atë që na shqetëson, sepse në këtë mënyrë, bëhemi më të mirë, jo vetëm ne por edhe të tjerët. Të flasim sepse e drejta e fjalës është primare.


Nuk duhet të heshtim, por të flasim kur përballemi me fenomene si korrupsioni, shkelja e të drejtave të njeriut, racizmi, arroganca, shkelja e ligjit. Dhe këto fenomene janë fare sheshit mes nesh. I hasim përditë që kur dalim nga shtëpia, me njerëzit që nuk respektojnë asnjë rregull dhe normë shoqërore të bashkëjetesës në komunitet. Te polici i trafikut që shitet për dy lekë, te zyrtarët e shtetit që duan “t’i vaisësh” të kryejnë detyrën e tyre për të cilën paguhen nga shteti.


Ne duhet të flasim që këta njerëz të kenë frikë. Nuk duhet të jeni ju ata që duhet të hapni rrugën, por ata. Ata duhet të kenë frikë nga zëri juaj, sepse zëri juaj është arma më e fortë. Garancia e demokracisë dhe lirisë.


Marrë nga www.uneflas.al